BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp, 29 janar 2014

Data e publikimit: 31.01.2014

 

Pyetje-Kam një pyetje në lidhje me ecurinë e kredisë për ekonominë. Siç e përmendët dhe ju, deri në fund të muajit nëntor kredia qëndroi në terren negativ, pra në rënie, dhe as politika monetare stimuluese dhe as masat e tjera makroprudenciale të Bankës së Shqipërisë nuk kanë mjaftuar për ta kthyer së paku në territor pozitiv rritjen e kredisë. Cilat janë pritshmëritë tuaja për vitin 2014?A shikoni elementë që të bëjnë të shpresosh për një performancë më të mirë sasiore të kredisë për ekonominë dhe a ka hapësirë për ndërhyrje të tjera të Bankës së Shqipërisë, përtej lehtësimit të mëtejshëm të politikës monetare? Pra, a ka mënyra të tjera që Banka e Shqipërisë të mund të nxisë më tej kreditimin e ekonomisë?

Përgjigje-Pyetja është aktuale dhe njëkohësisht përfaqëson një debat të gjerë sot në botë. Kreditimi i ekonomive është kthyer në një problem global dhe është thembra e Akilit për çdo politikbërës.

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash për nxitjen e kreditimit, madje në bashkëpunim me sektorin bankar dhe qeverinë, synojmë që këtë proces ta kthejmë në një program kombëtar. Kjo nismë përkon dhe me marrëveshjen e re me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Njëkohësisht, nevojitet dhe një lëvizje më aktive e institucioneve financiare ndërkombëtare në këtë drejtim si BERZH dhe BEI.

Në periudhën në vijim, ne presim që të vjelim frytet e masave stimuluese të ndërmarra si nga ana e politikës monetare ashtu edhe nga ato makroprudenciale. Si  rrjedhojë e këtyre masave të ndërmarra në treg, është vërejtur një zbutje e yieldeve të normave të interesit sikurse edhe në normat e kreditimit të ekonomisë. Këto zhvillime tregojnë se ka një funksionim më të mirë të transmisionit në ekonomi. Natyrisht që kahu i  sistemit bankar dhe i tregjeve ka akoma probleme, kjo për arsye që dihen tashmë, të cilat lidhen me situatën globale dhe me kërkesën, pra ne kemi një situatë paksa komplekse.

Ndërkohë, duhet përmendur se gjatë këtij viti do të kryhet edhe vlerësimi i radhës i shëndetit financiar të grupeve bankare nga ana e autoriteteve evropiane, rezultatet e të cilit mund të kenë efektet  e tyre në këtë drejtim.

Megjithatë, dëshiroj të theksoj se masat e fundit që ne po marrim në bashkëpunim me Qeverinë, Bankën Botërore dhe FMN-në, për të hyrë në analiza mikro të problemit, do të jetë një zhvillim tjetër pozitiv, duke synuar ose fshirjen e kredive me probleme aty ku mundësia për rikuperim është e papërfillshme, ose në të kundërt në ristrukturimin e kredive.

E rëndësishme është që sistemi bankar është solid dhe i mirëkapitalizuar, duke performuar  jo vetëm mbi nivelin mesatar të  rajonit, por dhe të Eurozonës, me gjithë problemet që ka ekonomia globale dhe ndërvarësinë e bankave nga mëmat e tyre. Mendoj që situata do të jetë më pozitive, por sigurisht ka vend për më shumë optimizëm, më shumë punë dhe siç e shpreha këtu, viti 2014, është viti i realizimit të detyrave.

Kemi shumë detyra shtëpie për të bërë, por  pozitiv është fakti që po merren masat e duhura , po  ofrohet e gjithë energjia përkatëse në mënyrë që edhe ky element (rritja e kredisë), të cilën nuk e shoh vetëm si një shifër të caktuar, por shoh dhe atë çka vjen përtej asaj shifre, si reformat strukturore që duhet të ndërmerren për zgjerimin e tregut.