BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp të Guvernatorit datë 26.06.2013

Data e publikimit: 01.07.2013

 

Pyetje-Nisur nga situata pas-zgjedhore në të cilën ndodhemi, cilat janë këshillat që do ti jepnit Qeverisë aktuale për sa i përket menaxhimit të financave publike?

Përgjigje- Të njëjtat sugjerime që i kemi bërë dhe më parë. Është shumë e rëndësishme në këto kohë dhe në kohët që do të vijnë të ruajmë balancat fiskale, në mënyrë që të sigurohet një premisë e domosdoshme për rritje të qëndrueshme në të ardhmen.

Pyetje- Duke mos ndryshuar normën bazë të interesit, raportohet se ekonomia nuk është turbulluar, le të themi, nga atmosfera elektorale. Është kjo e vërtetë apo jo? Pra, sa ka ndikuar fushata elektorale në përgjithësi në ekonominë e vendit me konsumin më të ulët, me kreditimin më të ulët apo me shpenzimet buxhetore të rritura, 13 % siç raportuat ju?

Dhe së dyti, ju lutem një koncept fillestar të Bankës Qendrore të Shqipërisë se sa është e gatshme të përshtatet me angazhimet e reja të qeverisë së re për një stil të ri të menaxhimit të ekonomisë apo me objektivat të reja që një qeveri e re do të ketë për ekonominë?


Përgjigje-Për sa i përket pyetjes së parë, e kemi diskutuar dhe herë të tjera. Do të thoja se është e vështirë të kemi një matje të saktë dhe momentale të këtij problemi. Natyrisht që Banka e Shqipërisë ka vlerësimet e saj për aktivitetin ekonomik të vendit. Ekonomi  si Shqipëria, ekonomi në zhvillim (emerging), të vogla dhe të hapura në kushtet e një krize globale, janë ndikuar prej kësaj të fundit, duke ndikuar për rrjedhim  perceptimin dhe pritshmëritë e agjentëve ekonomikë, përfshirë dhe publikun e gjerë. Thuhet që këto ekonomi gjatë kësaj periudhe janë në pritje; mendoj që kjo gjë ka ndodhur dhe në Shqipëri.
Fushata ka qenë e gjatë, konstruktive, me mjaft ide dhe propozime, të cilat pa diskutim kanë ndikuar në vendimmarrjen e agjentëve ekonomikë në vend. Megjithatë, tashmë jemi përpara një prespektive të re. E rëndësishme në këtë situatë, është vazhdimi me ritme të shpejta i reformave strukturore dhe identifikimi i degëve kryesore, mbështetja e të cilave do të siguronte rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë kombëtare në kushtet e kohës. Elementi kohë është mjaft i rëndësishëm për vendimmarrjen dhe për shpejtësinë e veprimit për reforma strukturore, në mënyrë që të garantohet konkurrueshmëria ekomomike. Sepse të gjitha vendet tona tashmë konkurrojnë për një objektiv të vetëm: Bashkimin Evropian. Brenda këtij objektivi, të gjithë ne duhet të shkojmë me vlera të shtuara. Shpejtësia është e rëndësishme por ajo duhet të shoqërohet me adoptimin e masave dhe politikave të qarta, të cilat garantojnë stabilitetin afatgjatë makrofinanciar të vendit. Në këtë pikë do të thoja se konsolidimi fiskal është i domosdoshëm, duke nënkuptuar para së gjithash hartimin e një rregulli të përshtashëm fiskal, për të cilin  asistenca e FMN-së mendoj se është e nevojshme.

Mendoj që në muajt në vijim do të kemi zhvillime pozitive në këtë drejtim. Më 16-17 korrik vjen misioni i parë i programit FSAP . Kemi rreth dy vjet që punojmë për një program të dytë të vlerësimit të sektorit financiar shqiptar, pas atij të kryer rreth 8 vite më parë. Ky “skanim” i sektorit financiar nga ana e ekspertëve të FMN-së dhe BB-së është mjaft i rëndësishëm për të bërë një diagnostikim të plotë të shëndetit financiar dhe makroekonomik të ekonomisë tonë. Në këto kushte, është mjaft e rëndësishme që bashkë me ekzaminim të bëhemi gati edhe për këtë reformë të madhe, siç është rregulli fiskal. Ky rregull do të japë një garanci të shtuar për tregjet, do t’i “vendosë një kapak” borxhit, do të garantojë konsolidimet afatmesme dhe do të japë transparencë të shtuar për tregjet e brendshme dhe të jashtme. Duhet të mendojmë për reforma të cilat do të drejtojnë Shqipërinë për 20 -30 vitet e ardhshme; mendoj se ky është momenti i përshtatshëm për këtë gjë.

I urojmë Qeverisë së re punë të mbarë. Banka e Shqipërisë është mjaft e interesuar si gjithmonë për harmonizimin e  politikave monetare me ato fiskale; është e interesuar të japë asistencën e saj të plotë. E përmenda që puna ka filluar për realizimin e programit FSAP, por rregulli fiskal dhe reformat e tjera do të garantojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë. Duke garantuar konkurrueshmërinë them se të gjithë janë brenda projekteve dhe programeve të tyre.

Pyetje- Si paraqitet situata për sa i përket borxhit publik dhe pak kohë më parë nga zj. Meksi ka patur një prononcim për mungesë likuiditeti, ndoshta pak ditë mund të kishte para shteti? Si qëndron situata?

Si e lexova në raport, del mjaft qartë situata e rritjes së deficitit dhe e borxhit. Pyetja është mjaft me vend dhe e drejtë. Megjithatë më duhet të sqaroj opinionin publik se nuk bëhet fjalë për mungesë likuiditeti. Ka një paqartësi në treg lidhur me konceptin e likuiditetit që duhet sqaruar dhe nga ekonomistët dhe nga analistët. Likuiditeti ka qenë dhe është i mjaftueshëm në sektorin financiar të vendit, gjë që e ka lejuar qeverinë që të marrë borxh në treg.

Ne e kemi thënë gjatë gjithë konferencave për shtyp, gjatë gjithë periudhës së krizës, sidomos gjatë 2-3 viteve të fundit, se ruajtja e balancave fiskale është e rëndësishme. Mendoj se  jemi në një pikë ku mund të fillojmë me reformat që përmenda, zhvillimin e një aktiviteti normal të financave publike dhe private në Shqipëri dhe për rrjedhim të garantojmë një sektor bankar të sigurt dhe të gatshëm për të kredituar ekonominë. Sfida jonë më e madhe, është angazhimi ynë i përgjithshëm për të krijuar sa më shumë stimuj për rritjen e kreditimit të ekonomisë. Kjo është një sfidë botërore dhe sidomos një sfidë e madhe evropiane, e diskutuar gjerësisht para dy ditësh në mbledhjen vjetorë të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare. Në këtë mbledhje, përfundimi kryesor i diskutimeve ishte që politika monetare e ka bërë punën e saj dhe ajo nuk mund të jetë një “plumb i argjendtë” që zgjidh të gjithë problemin. Duhet një rakordim i mirë i të gjithë politikave dhe vazhdim i reformave strukturore të qarta dhe efektive në mënyrë që të jemi konkurrentë dhe të sigurojmë një rritje afatgjatë dhe të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare. E përsëris dhe njëherë, janë të gjitha kushtet për ta bërë këtë. Mendoj që është një shenjë optimiste që ekonomia shqiptare ka vend për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar, dhe i ka potencialet e nevojshme për ta bërë këtë gjë.