BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp, 23 shkurt 2011

Data e publikimit: 25.02.2011

 

Pyetje: Ju deklaruat në fjalën tuaj se qytetarët po përballen me rritje të çmimeve të ushqimeve dhe të naftës dhe thatë se po preken shtresat më të varfra. Sa shqetësuese e mendoni ju për të ardhmen, pra parashikoni se do të vijojë ky shtrenjtim dhe çfarë duhet bërë në këto kushte?

Guvernatori: Mendoj se në deklaratën e sotme ishte e shprehur qartë që Banka e Shqipërisë në të gjitha projeksionet e saj të së ardhmes ka faktorizuar ndikimin e rritjes së çmimeve të lëndëve të para, përfshirë raportet parashikuese të FMN-së dhe Organizatës Botërore të Ushqimit, si dhe do të jetë mjaft e vëmendshme për efektin, në qoftë se do të ketë efekt të raundit të dytë të këtyre çmimeve.

Pyetje: Pak ditë më parë, Autoriteti i Konkurrencës publikoi një raport lidhur me një monitorim që është kryer në sektorin bankar dhe ka evidentuar disa probleme lidhur me transparencën e tarifat dhe ka bërë disa rekomandime për institucionin tuaj. Çfarë komenti keni lidhur me këtë?

Guvernatori: E rëndësishme në ekonominë shqiptare është që çdo institucion duhet t’i përmbahet ligjit dhe të zbatojë detyrat e vëna me ligj. Raporti i Autoritetit të Konkurrencës i ardhur në Bankën e Shqipërisë, nuk parashikon asnjë element të një konkurrence joreale për sa i përket sistemit bankar shqiptar. Raporti zyrtar i këtij organizmi nuk vëren asnjë problem lidhur me konkurrencën. Lidhur me problemet e tjera të tarifave, çmimeve apo të transparencës, këto janë probleme me bazë të gjerë strukturore, ku i gjithë ambienti makroekonomik shqiptar është i përfshirë.

Banka e Shqipërisë prej vitesh, siç e kam përsëritur, ka hapur një trialog të rëndësishëm për këto procese edhe për të ndërgjegjësuar konsumatorin shqiptar lidhur me zgjedhjen e bankave me të cilat ai do të punojë. Unë konfirmoj që sektori bankar shqiptar është sektori më i mirëkontrolluar dhe më i mirëmbikëqyrur, është taksapaguesi më i rregullt, si dhe është një sektor llogaridhënës dhe transparent. Natyrisht që lëvizja në kahun e reformave strukturore dhe zgjerimi e thellimi i tregut në 20 vitet e tranzicionit, ka qenë një nga qëllimet kryesore të ekonomisë shqiptare. Ajo që Banka e Shqipërisë po bën gjatë këtyre viteve me masat e marra prej saj, nën një spektër 360 gradë, tregon edhe përgjegjshmërinë në vendimmarrjen e saj. Banka e Shqipërisë nuk merr vendime për goditje afatshkurta, spontane apo fenomene të përkohshme. Ajo është e interesuar për një zgjerim, thellim, formalizim të tregut në aspektin afatgjatë. Në vendimin e sotëm të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, vërtetohet kjo që thashë më lart. Banka e Shqipërisë për t’i dhënë një stimul të ri sektorit bankar shqiptar, për t’i dhënë një efektivitet më të madh sistemit të pagesave, si dhe për të siguruar një formalizim në vazhdim të tregut bankar dhe financiar në vend mori një sërë masash dhe pritet që mbledhjen tjetër të marrë disa masa të tjera, përsa i përket çmimeve të produkteve bankare kryesisht në lekë dhe njëkohësisht të transparencës të sistemit bankar.

E rëndësishme është për të gjithë ne që të mos spekulojmë me çmimet dhe tarifat  e sektorit bankar shqiptar, duke kuptuar që së pari ato përbëjnë vetëm dy për qind të buxhetit të të ardhurave të sektorit bankar dhe së dyti janë në rregullim dhe në ekuilibër me zhvillimet e reformave të ndryshme strukturore në vend dhe kostove të rritura që vendet në tranzicion kanë. Ajo që është e rëndësishme është që shpenzimet, tarifat dhe njëkohësisht çmimi i disa produkteve në monedhën vendase ka vend për tu rregulluar. Për këtë, Banka e Shqipërisë me vendimin e sotëm zgjeroi “autostradën” e pagesave, duke i dhënë nxitje efektivitetit të pagesave të mëdha dhe të vogla.  Kështu, Banka e Shqipërisë vendos një kufi, i cili do të shërbejë si një tavan për çmimet që sistemi bankar shqiptar i transmeton konsumatorit. Pra, zgjerohet “autostrada” e shërbimeve me disa rregullime në mënyrë që bankat ta shfrytëzojnë më mirë, më me efektivitet dhe me kosto më të ulta, e cila është në linjë me ligjin që po përgatitet për sistemet e pagesave tashmë, në bazë të direktivave të Bashkimit Evropian. Por, Banka e Shqipërisë njëkohësisht vendos  dhe kushte në mënyrë që bankat të jenë më në linjë me kostot dhe çmimet për sa i përket pagesave në monedhën vendase.

Gjithashtu, dua të shtoj se procesi i ndërgjegjësimit i edukimit financiar është i vazhdueshëm. Njëkohësisht, kam dhe një apel për konsumatorët shqiptarë.   Të gjithë të dhënat e sistemit bankar dhe ato  Bankës së Shqipërisë, tani dhe  në të ardhmen, krijojnë të gjitha kushtet që klienti shqiptar të zgjedhë më mirë bankën e tij, dhe të punojë me këtë bankë, duke shfrytëzuar dhe marrë njohuri për të gjithë kapacitetet e sistemeve të pagesave që Banka e Shqipërisë jep për sistemin bankar dhe konsumatorin.