BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp, 25.01.2012

Data e publikimit: 26.01.2012

 

Pyetje: Një pyetje mbi raportin për perspektivat e ekonomisë globale që publikoi Banka Botërore javën e kaluar. Ndër të tjera thuhej që një nga problemet për sistemet bankare të vendeve në zhvillim është varësia e lartë nga grupet e mëdha bankare ndërkombëtare. Banka Botërore sugjeronte një forcim të rolit të bankave lokale në këto vende. Besoni që kjo analizë vlen dhe për Shqipërinë dhe cili është opinioni juaj?

Përgjigje: Në këtë mori informacioni, raportesh, vërejtjesh dhe sugjerimesh duhet të jemi shumë të pavarur në gjykim, konsistentë dhe të shikojmë nga e ardhmja. Shqipëria ka sot avantazhe krahasuese me vende të tjera të rajonit dhe më gjerë, sepse politika shqiptare gjatë 20 viteve të fundit ka qenë largpamëse, konsekuente, e qartë dhe vendimmarrëse në kryerjen e reformave strukturore të shumta. Shqipëria është i vetmi vend që gjatë periudhës së krizës vazhdoi reformat strukturore dhe prodhoi rritje ekonomike. Ne jemi të bindur që vetëm ecja drejt zhvillimit të një tregu të hapur, drejt thellimit dhe zgjerimit të tij, drejt zgjerimit të ndërmjetësimit financiar, drejt privatizimeve dhe stimulit bankar për një rritje të qëndrueshme, do të krijojë kushtet për prosperitet në të ardhmen. Kjo vlen jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera të rajonit dhe më gjerë. Mendimi im, ka qenë, është dhe do të mbetet, që një faktor i rëndësishëm për vitet në vijim është bashkëpunimi rajonal, vazhdimi i reformave strukturore të bashkërenduara me rajonin në degë të rëndësishme si infrastruktura, energjia, bujqësia, sistemi financiar. Vetëm në këtë mënyrë ne do të jemi të aftë të krijojmë një rritje të qëndrueshme afatgjatë dhe prosperitet duke rritur punësimin në vendet tona. Për sa i përket mendimeve të ndryshme lidhur me efektivitetin dhe ndërvarësinë e degëve të ndryshme, unë mendoj që duke iu referuar teorisë por njëkohësisht dhe praktikës ciklet e zhvillimit ekonomik kapitalist janë evidente. E rëndësishme është që vendet të kenë politika të qarta zhvillimi, të bazohen në burimet e tyre të brendshme dhe të jashtme, t’i përdorin me efektivitet dhe njëkohësisht të kenë perspektiva afatgjata. Në këtë mënyrë unë mendoj se vendi ynë i ka të gjitha kushtet për të rritur ndërmjetësimin, për të rritur prodhimin vendas, për të përfituar nga avantazhet krahasuese të tij dhe për të qenë një vend atraktiv gjatë periudhës së krizës, të përfitojmë nga avantazhet që ka kriza. Unë mendoj se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që këtë rënie ekonomike globale ta kthejë në një avantazh të saj për periudhat e ardhshme për një rritje ekonomike të qëndrueshme.

Pyetje: Për të mbetur tek raportet e ndërkombëtarëve, të cilët parashikojnë rritje ekonomike gjatë vitit 2012, BERZH publikoi dje një parashikim 1.2 për qind për Shqipërinë. Për të patur një mendim tuajin si përfaqësues i Bankës Qendrore, sa mund të rritet ekonomikisht këtë vit Shqipëria, duke pasur parasysh këto potenciale të pashfrytëzuara dhe këto avantazhe që mund të përfitojë nga situata e krijuar në rajon nga kriza.

Përgjigje: Siç e theksova dhe më parë, duhet të jemi të qartë dhe analitikë në marrjen e përpunimin e gjithë këtij informacioni tashmë botëror dhe studimin e tij në kontekstin shqiptar. Banka e Shqipërisë ka qenë gjithnjë konsekuente në vendimet e saj dhe njëkohësisht në marrjen dhe dhënien e informacionit në mënyrë që ky informacion t’i vlejë monitorimit sa më të mirë që bizneset dhe të gjithë agjentët ekonomikë financiarë kanë për Shqipërinë. Unë mendoj, dhe kjo është e faktuar tashmë, që të gjitha institucionet e specializuara ndërkombëtare po bëjnë një rikolaudim të rritjes dhe faktorëve të rritjes në kahun rënës. Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjykon që viti ku ne jemi, 2012, i ka të gjitha kushtet që të prodhojë më shumë rritje se viti 2011.