BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp, 25 prill 2012

Data e publikimit: 27.04.2012

 

Pyetje: Pyetja ime lidhet me problematikën e ekzekutimit të kolateralit. Në Raportin e fundit të Stabilitetit Financiar përmendet nevoja për ndërhyrje ligjore në sistemin e ekzekutimit të kolateralit. Në fakt, kjo është një çështje e ngritur në mënyrë të hershme prej jush dhe ka pasur edhe disa kontakte publike me disa institucione të tjera të përfshira. Deri tani a jeni të kënaqur nga mënyra se si kanë reaguar këto institucione ndaj nevojës për ndërhyrje në sistemin e ekzekutimit të kolateralit?

Përgjigje: Viti i kaluar ishte një vit me sfida, jo vetëm përsa i përket ekzekutimit të kolateralit, por edhe ruajtjes së stabilitetit makrofinanciar të vendit. Gjykoj se sistemi bankar, i ka të gjitha mjetet dhe mundësitë, që në mirëkuptim të plotë me organet  dhe me agjentët e tjerë, si dhe me biznesin, të mundësojnë rigjallërimin e jetës së brendshme të ekonomisë shqiptare, përfshirë aktivitetin e bizneseve shqiptare. Në këtë drejtim, vazhdon konsolidimi i bilanceve të këtyre kompanive, vazhdojnë përpjekjet për ristrukturimin dhe njëkohësisht pastrimin e bilanceve të bizneseve si edhe të bankave. Gjithashtu vazhdojnë përpjekjet e Bankës së Shqipërisë, për të përshtatur më mirë anën ligjore dhe rregullative. Është bërë një punë e madhe për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Bankës Qendrore, tregut, institucioneve shtetërore si dhe agjentëve të ndryshëm. Përsosja e legjislacionit synon t’i japë atij, fuqinë e plotë të kontratës për të qenë një titull ekzekutiv. Natyrisht që kjo përbën një sfidë, por propozimet tashmë janë në tavolinat përkatëse. Shpresojmë dhe njëkohësisht nxisim përshpejtimin e këtyre procedurave për të arritur rezultatet që kërkohen.

Pyetje: Meqenëse në deklaratat tuaja të fundit flitet shpesh për rritjen nën potencial, mund të na thoni sa e gjykon Banka e Shqipërisë potencialin e rritjes ekonomike, sepse ka një debat në lidhje me potencialin e ekonomisë shqiptare. Dhe pyetja e dytë, meqenëse ju prisni një kërkesë më të moderuar nga eksportet por dhe nga komponenti fiskal, mendoni se ekonomia shqiptare, gjatë këtij viti, mund t’i ruajë ritmet e rritjes së vitit të kaluar?

Përgjigje:Të dyja pyetjet janë në linjë me diskutimet e zhvilluara në mbledhjet e pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore. Gjatë diskutimeve u konstatua se ka ardhur koha që të vendoset si prioritet një konsolidim fiskal i qëndrueshëm. Për realizimin e tij duhet të ndërtohet një balancë e re midis stimujve, për të garantuar në të njëjtën kohë dhe një rritje të qëndrueshme strukturore. Sigurisht që realizimi i saj do të kërkojë kohën e duhur. Gjykoj se edhe ekonomia shqiptare i plotëson kushtet që të ecë në përshtatje me zhvillimet e fundit makroekonomike botërore, për të krijuar kështu një rritje të qëndrueshme ekonomike. Kjo është shumë e rëndësishme për t’u kuptuar. Por nga ana tjetër, më duhet t’ju rikujtoj diçka shumë të rëndësishme: nuk duhet të biem në kurthin e shifrës së rritjes ekonomike. Rritja ekonomike është mjet për realizimin e qëllimit kryesor të punësimit. Synimi i sotëm është rritja e nivelit të të punësuarve, për të krijuar një rritje të qëndrueshme ekonomike. Prandaj mendoj se për ne është e rëndësishme mbyllja e hendekut të prodhimit. Ne duhet të shohim edhe anën e oportunitetit të pranisë së një hendeku të tillë, duke vlerësuar me optimizëm dhënien e të gjithë stimujve të qëndrueshëm në mënyrë që ne të shfrytëzojmë të gjithë potencialet ekonomike. Theksoj se ka një ndryshim filozofie për sa i përket situatës globale. Nëse gjatë vitit të kaluar iu kushtua një rëndësi e madhe konsolidimit fiskal pa kushte, sivjet u kërkua që të vendoset një balancë më e kujdesshme ndërmjet konsolidimit fiskal dhe rritjes ekonomike. Theksoj se është e domosdoshme që të krijohet një konsolidim fiskal strukturor, por nga ana tjetër duhet të gjenden stimujt e nevojshëm për të gjeneruar rritje ekonomike dhe punësim.

Nëse nuk gjendet kjo balancë, nëse ecim vetëm duke ndërtuar mure të larta kundra zjarrit, ka shumë mundësi që këto vatra zjarri të ekzistojnë dhe ti të mos kesh mundësi t’i shuash. Sot ekonomia shqiptare vlerësohet si një ndër ekonomitë që kanë potenciale të mira zhvillimi. Aktualisht ajo është drejt një konsolidimi afatmesëm fiskal, çka duhet të bëhet e ditur dhe në arenën ndërkombëtare. Kjo do të ndikonte pozitivisht si në nivelin e kredimarrjes, ashtu edhe në atë të investimeve të huaja direkte. Në këtë drejtim, roli i Bankës Qendrore është dhënia e stimujve të qëndrueshëm, gjë e cila po realizohet. Një rol të rëndësishëm Banka Qendrore luan dhe në krijimin e një situate të shëndoshë makrofinanciare, duke pasur për bazë ruajtjen e stabilitetit makrofinanciar të vendit, në mënyrë që këto banka të jenë të gatshme që jo vetëm të mbështetin dhe të ristrukturojnë bizneset dhe ekonominë shqiptare në periudhën afatmesme, por të jenë të gatshme të ftojnë investitorët e huaj dhe njëkohësisht të gjenerojnë burime të reja financimi. Realizimi i saj do të ndihmonte në krijimin e stimujve që nevojiten për të krijuar një rritje të qëndrueshme makroekonomike.

Theksoj se ekzistojnë të gjitha mundësitë që ekonomia shqiptare të prodhojë rritje të qëndrueshme ekonomike. Në lidhje me zhvillimet në ekonominë botërore, mendoj se deri në fund të vjeshtës, grupet e mëdha bankare do të kenë një plan biznesi më të qartë mbi rikapitalizimin e tyre. Me qartësimin e kësaj situate mendoj se dhe ne do të kemi një gjykim më të plotë mbi planet financuese që këto banka do të kenë për ekonominë tonë. Vende si Shqipëria që kanë një ekonomi të integruar, por njëkohësisht janë të angazhuara edhe për konsolidimin fiskal, i plotësojnë të gjitha kushtet për të prodhuar rritje të qëndrueshme ekonomike. Së fundmi nuk reshtem së këshilluari që në këto kushte duhet të ruajmë dhe forcojmë më tej të gjithë faktorët që ne kemi për të qenë konkurrues në treg, veçanërisht avantazhet krahasuese për sa i përket kostove të ulëta.