BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp, 26.10.2011

Data e publikimit: 27.10.2011

 

Në raportet e publikuara nga shoqata e bankave është konstatuar një rritje e nivelit të kredive me probleme, sa është realisht kjo përqindje dhe a përbën rrezik kjo rritje?

Ecuria e Kredisë me probleme ka qenë gjithmonë në syrin vigjilent të Bankës së Shqipërisë. Shpesh herë këtë problem e kemi raportuar jo vetëm në sistemin bankar por dhe në publikun e gjerë. Banka e Shqipërisë gjykon që kredia me probleme është në nivele të kontrollueshme. Pavarësisht se niveli i tyre është 17-18 %, ai është tërësisht i menaxhueshëm nga sistemi bankar. Stress-testet e kryera nga Banka e Shqipërisë tregojnë për një gjendje solide të portofolit të kredive. Situata është nën kontroll nga Banka e Shqipërisë, duke pasur parasysh dhe nivelin e përshtatshëm të mbulimit me kolaterale dhe provigjionimin e kredive me probleme. Kujdes i veçantë në të ardhmen u duhet kushtuar ekzekutimit të kolateraleve, në mënyrë që t’i jepet  frymëmarrje zhvillimit të kreditimit në vend.


Sipas të dhënave tuaja më të fundit, sa është treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar dhe a ka banka të veçanta që duhet detyrimisht të rrisin kapitalin aksionar për të qëndruar brenda parametrave të caktuar rregullator? Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka propozuar uljen e TVSH-së për disa produkte ushqimore bazë dhe një masë e tillë në teori do të ndikonte në ecurinë e çmimeve të mallrave të konsumit. Cili është opinioni juaj rreth këtij propozimi?

Për sa i përket pyetjes së parë do të thoja se kapitali dhe kapitalizimi është kryefjala e kujdesit makroprudencial botëror sot. Fatmirësisht sistemi bankar shqiptar u gjet i mirëkapitalizuar, likuid dhe fitimprurës përpara krizës. Masat e marra nga Banka e Shqipërisë dhe nga sektori bankar arritën të shtojnë kapitalin pranë bankave duke rritur njëkohësisht besimin ndaj sistemit bankar dhe rritjen e depozitave. Në këtë kontekst, niveli aktual i kapitalizimit të bankave është mbi nivelin jo vetëm rajonal por dhe atë  evropian. Unë garantoj që sistemi bankar shqiptar është i mirëkapitalizuar, është likuid është solvent dhe është i gatshëm të kreditojë ekonominë shqiptare.

Pyetja e dytë është teorike dhe ne këtu jemi për raportin e politikës monetare. E rëndësishme është ruajtja e dy niveleve shumë të rëndësishëm, niveli i deficitit dhe niveli i borxhit, ruajtja e balancave të brendshme dhe të  jashtme të ekonomisë.  

Sot është përmendur emri juaj në mbledhjen e Qeverisë si anëtar i ardhshëm i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Do të kandidoni sërish për Guvernator apo do të jeni pjesë e bordit të Bankës së Shqipërisë?

Kjo pyetje është ezauruar në një mbledhje të mëparshme. Guvernatori është në detyrë dhe leximi i raportit të sotëm tregon se Banka e Shqipërisë është në krye të detyrës dhe vigjilente për të përballuar sfidat e së ardhmes.

Në përfundim të këtij mandati tuaj 7-vjeçar, të parë le të themi dhe ju urojmë pse jo dhe një të dytë, a mund të na thoni se çfarë i njihni vetes si arritjen më të mirë në drejtimin tuaj 7-vjeçar në krye të Bankës së Shqipërisë?

Banka e Shqipërisë ka përmbushur mandatin e saj për mbajtjen nën kontroll të inflacionit. Banka e Shqipërisë ka rritur pavarësinë e saj institucionale dhe atë reale. Banka e Shqipërisë ka kontribuar në mbajtjen nën kontroll dhe konsolidimin e balancave makrofinanciare të vendit. Banka e Shqipërisë ka arritur të ketë sukses në zhvillimin, thellimin e tregut bankar dhe financiar. Banka e Shqipërisë ka zhvilluar një model modern komunikimi që është mishëruar në formën e një trialogu eficient me qeverinë, me tregun dhe publikun e gjerë. Banka e Shqipërisë ka zhvilluar një fushatë vizionare, largpamëse për edukimin e publikut, duke besuar se ky i fundit është i rëndësishëm për eficiencën e politikës monetare, rritjen e besimit, forcimin e stabilitetit financiar, dhe rritjen e qëndrueshme të ekonomisë. Banka e Shqipërisë është një institucion i besueshëm që prodhon konfidencë.

Cili është komenti juaj në lidhje me një shqetësim ose një paralajmërim të ngritur nga FMN mbi efektet e krizës së eurozonës në ekonominë shqiptare, duke përfshirë dhe sistemin bankar ? Pyetja tjetër është: Para pak muajsh jeni shprehur për një rritje ekonomike afërsisht në nivelin e vitit të kaluar, vazhdoni ti qëndroni ende këtij vlerësimi?

Duke filluar nga pyetja e fundit do të thoja që Banka e Shqipërisë ka qenë shumë e kujdesshme në parashikimet për rritjen ekonomike. Ne besojmë se niveli i pasigurisë që karakterizon aktivitetin ekonomiko-financiar global rrit shkallën e vështirësisë në parashikim. Ne besojmë që rritja ekonomike e këtij viti do të jetë në linjë me rritjen ekonomike të 3-mujorit të parë.

Përsa i përket pyetjes tjetër, unë mendoj që Banka e Shqipërisë ka qenë gjithmonë e kujdesshme, informuese, vokale lidhur me zhvillimet makroekonomike në Shqipëri. Nuk është i ri informacioni  i Fondit. Ky informacion është faktorizuar në veprimet e Bankës së Shqipërisë, në kuadër të një kujdesi të shtuar për mbajtjen e balancave të brendshme dhe të jashtme nën kontroll në vazhdimin e reformave strukturore.  Siç përmenda dhe më sipër, dy janë gjërat më të rëndësishme që duhen patur kujdes: niveli i deficitit dhe niveli i borxhit. Unë mendoj që ekzistojnë të gjitha mundësitë që këto objektiva të realizohen.