BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp, 27 qershor 2012

Data e publikimit: 29.06.2012

 

Pyetje: A e gjykoni ndikimin e krizës Greke ende si një rrezik për ekonominë Shqiptare?    Dhe pyetja e dytë: A nuk mendoni se një inflacion kaq i ngurtë mund të ketë dhe efekt në një konsum kaq të ulët?
 
Përgjigje: Unë do ta filloja përgjigjen duke u ndalur fillimisht në vendimmarrjen e qëndrueshme, konsekuente, largpamëse dhe transparente të Bankës së Shqipërisë. Kjo ka bërë të mundur zbatimin e suksesshëm të ligjit në funksion të asaj që sot është më e rëndësishmja në botë, stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit makrofinanciar të vendit. Jemi dëshmitar që situatat më të vështira sot i po i kalojnë  ato vende, sistemi financiar i të cilave është goditur nga kriza. Në rastin e këtyre vendeve  kërkohen mbështetje të fuqishme financiare për vënien në balancë, jo vetëm të bilanceve të  bankave por edhe për ringritjen e besimit të rënë të institucioneve financiare  në vendet e tyre.

Në këtë kontekst,  do të mendoja që kriza aktuale greke është në monitorim të vazhdueshëm nga i gjithë spektri ndërkombëtar por njëkohësisht është në një monitorim të kujdesshëm edhe nga Banka e Shqipërisë, për të siguruar stabilitetin makrofinanciar në vend. Në këtë kuadër, kujdesi ynë ka qenë i vazhdueshëm, duke bërë që bankat që operojnë në Shqipëri, të cilat e kanë bankën mëmë në Greqi të jenë të mirëkapitalizuara, madje më mirë sesa mëmat e tyre në Greqi; të jenë likuide dhe njëkohësisht të prodhojnë fitim dhe të japin kredi në Shqipëri. Me miratimin e ndryshimeve në ligjin ‘Për bankat në Republikën e Shqipërisë’ u bë dhe ndryshimi për  kalimin e tyre nga degë në filiale. Këto shtesa dhe ndryshime  forcojnë akoma më shumë stabilitetin e tyre në vend dhe njëkohësisht i japin mundësi bankave në Shqipëri për vigjilencë. Mendoj që pasja nën monitorim e situatës ndërkombëtare për sa i përket krizës globale dhe njëkohësisht asaj Greke përbën një vëmendje të shtuar të vetë ndërgjegjësimit të ambientit në përgjithësi por njëkohësisht edhe të vendimmarrjes së Bankës së Shqipërisë.

Për sa i përket stimujve, unë mendoj që stimuli më i madh që Banka e Shqipërisë ka dhënë përpara, gjatë dhe sidomos në këtë situata është ruajtja e mirë e nivelit të çmimeve të konsumit, ruajtja e balancave makro-financiare dhe e stabilitetit financiar në vend. Do të vazhdojmë të përpiqemi dhe  garantojmë publikun se stabiliteti makrofinanciar në vend do të jetë i siguruar. Për sa i përket stimujve unë mendoj se dhe qëndrimi i sotëm është një stimul. Në qoftë se do të përmbushen disa nga parakushtet që  i gjykojmë të domosdoshëm,  Banka e Shqipërisë do të vlerësonte dhe një rishikim tjetër të normës bazë të interesit. Por, e theksoj dhe njëherë që çdo stimul i Bankës së Shqipërisë duhet të shkojë në funksion të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit makrofinanciar të vendit.