BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp, 29 maj 2012

Data e publikimit: 31.05.2012

 

Pyetje: Siç e thatë edhe në fjalën tuaj dhe siç e keni thënë shpesh gjatë muajve të fundit, ekonomia shqiptare po rritet nën potencialet e saj dhe shenjat janë për një përkeqësim të mëtejshëm. Kryeministri Berisha javën e kaluar paralajmëroi hapjen e një debati me biznesin dhe me qarqet akademike lidhur me gjetjen e mënyrave dhe mekanizmave për të mund të nxitur ekonominë në këtë moment. Ju do kishit ndonjë sugjerim konkret?

Përgjigje: I gjithë debati i sotëm ekonomiko-financiar në vend por njëkohësisht dhe zhvillimet politiko-ekonomike në mbarë botën të çojnë në konkluzionin se zhvillimet e ardhshme të ekonomisë botërore duhet të synojnë drejt një rritjeje strukturore. Kjo do të thotë që baza e rritjes ekonomike për të ardhmen qëndron në ndërmarrjen dhe në thellimin e reformave strukturore në vend dhe më gjerë. Kjo do të realizohet nëpërmjet një koordinimi ndërkombëtar i cili do të synojë të krijojë një strukturë të re ekonomiko-financiare për rritjen e prudencës dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare. Mendoj që jemi në këtë linjë. Në diskutimin e sotëm, Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin që kryesore në vend është ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe atij financiar. Plotësimi i këtyre dy parametrave krijon kushtet e përshtatshme për një rritje ekonomike të qëndrueshme afatmesme. Banka e Shqipërisë jep kontributin e saj të vyer në këtë drejtim duke mbajtur nën kontroll inflacionin si dhe duke siguruar stabilitetin financiar të vendit duke mbështetur në këtë mënyrë të gjithë nxitësit për një rritje të qëndrueshme. Është shumë e rëndësishme që ekonomia shqiptare të ruajë balancat makroekonomike për të qenë atraktive ndaj investitorëve të huaj dhe për rrjedhim për të gjeneruar rritje ekonomike të qëndrueshme. Vazhdimi i reformave strukturore është parësor në ruajtjen e të gjithë parametrave të përcaktuar. Për sa i përket gjetjes së nxitësve, unë mendoj se Shqipëria është një ekonomi e privatizuar, që do të thotë se nxitësit duhen kërkuar në treg. Banka e Shqipërisë është e angazhuar në këtë iniciativë. Ne do të zhvillojmë një takim me Shoqatën Shqiptare të Bankave në mënyrë që  të japim një mbështetje aktive të Bankës së Shqipërisë në rritjen ekonomike të vendit duke nxitur bankat në gjetjen e rrugëve, mundësive dhe produkteve alternative të kohës, në mënyrë që të rritet kërkesa dhe investimet private të orientohen drejt investimeve kapitale. Unë mendoj që ky do të jetë një argument shtesë në debatin dhe diskutimin tonë me tregun dhe me agjentët e tij, për të rritur aftësinë konkurruese të vendit dhe për të ndërtuar një axhendë rritjeje afatmesme, e cila do të jetë atraktive për thithjen e investimeve të huaja.

Pyetje: Z. Fullani a do të ishit i gatshëm ju, nëse do t’ju kërkohej, që të linit postin për t’u bërë president në interes të zgjidhjes së krizës politike?

Përgjigje: Unë kam një mandat i cili është mjaft i rëndësishëm jo vetëm për ekonominë, por dhe për vetë vendin. Jam i gatshëm të jap të gjitha aftësitë e mia në mënyrë që ky mandat të jetë i suksesshëm dhe që sfidat, që kemi filluar, t’i çojmë deri në fund në mënyrë që vendi të ecë i qetë, me stabilitet makrofinanciar për të siguruar një rritje afatgjatë për ekonominë.