BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp, 29 shkurt 2012

Data e publikimit: 02.03.2012

 

Pyetje: Duke pasur parasysh që në muajin janar kemi një rënie të inflacionit në nivelin 1.6%, a përbën kjo një problem për ekonominë në kushtet kur edhe konsumi mbetet i ulët, pavarësisht sinjaleve të gjallërimit. Pra, a përbën një shqetësim për ekonominë ky inflacion i ulët?

Përgjigje: Ne mendojmë që inflacioni do të jetë brenda objektivit afatmesëm të Bankës së Shqipërisë, pra niveli i tij do të luhatet brenda bandës tonë 2 deri në 4%. Megjithatë Banka e Shqipërisë, me vendimet e saj të kohëve të fundit përfshirë dhe qëndrimin e saj të sotshëm, ka reaguar me transparencë për objektivin e saj për inflacionin. Parashikimet vlerësojnë që inflacioni është i mirëankoruar. Siç e përmenda dhe në material, Banka e Shqipërisë do të jetë vigjilente për çdo zhvillim të ekonomisë së jashtme dhe të brendshme, në marrjen e saj të vendimeve për politikën monetare.

Pyetje: Në dy ankandet e fundit interesat e bonove të thesarit janë rritur, janë rritur pavarësisht nga ulja e normës bazë të interesit prej Bankës së Shqipërisë, madje në ankandin e fundit qeveria nuk arriti të plotësonte të gjithë shumën e kërkuar. Në gjykimin tuaj, cilat janë shkaqet që kanë sjellë rritje të interesave të bonove dhe a shihni në të ardhmen rrezik që qeveria të mos arrijë të sigurojë të gjithë huamarrjen e planifikuar në tregun e brendshëm financiar?

Përgjigje: Do doja ta filloja përgjigjen time duke theksuar se ky fenomen tregon që tregu funksionon, madje funksionon shumë mirë. Konstatohet se ka një përcjellje të mirë të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë nga shtatori deri më sot në tregun ndërbankar,  në përqindjet e depozitave dhe të kredisë. Pritet njëkohësisht një transmetim më i mirë në maturitetet afatgjata. Nuk duhet të harrojmë që transmetimi i vendimeve të politikës monetare në ekonomi, domethënë përcjellja e saj realizohet pas 2 deri në 8 tremujorësh. Në lidhje me pyetjen që vjen natyrshëm nga ana juaj për yield-et e bonove, do të thosha që tregu funksionon dhe është në ekuilibër me kërkesë-ofertën dhe me parashikimet tona. Natyrisht që ka një luhatshmëri, por gjykojmë se nuk mund të flasim akoma për një trend afatgjatë. Mendoj që janë të gjitha mundësitë që tregu të absorbojë kërkesat në vazhdim.

Pyetje: Dy ditë më parë shefja e FMN-së paralajmëroi se ekonomia botërore përveç krizës së borxheve rrezikohet dhe nga rritja e çmimit të naftës. A e shikoni si rrezik edhe për ekonominë shqiptare dhe nëse po, çfarë pasojash mund të ketë? Tre vjet më parë në 2009-ën i këshilluat qeverisë që të niste negociatat me donatorët dhe institucionet ndërkombëtare për të përfituar nga fondet e tyre, sot ka një negociatë të tillë por që duket e vështirë për shkak dhe të kushteve të vendosura. A vazhdoni t’i qëndroni të njëjtës këshillë?

Përgjigje: Në lidhje me pyetjen e parë do të thosha se Banka e Shqipërisë është vigjilente dhe njëkohësisht në vendimmarrjen e saj ka faktorizuar edhe elementë të tillë siç është çmimi i naftës. Mendoj që janë të gjitha instrumentet e gatshme për të vepruar në kohë për të mbajtur inflacionin në ekuilibër. Për sa i përket pyetjes së dytë, Banka e Shqipërisë është gjithmonë e hapur, njëkohësisht dhe ekonomia shqiptare, për të përfituar nga fonde të ndryshme për sa i përket ruajtjes së stabilitetit makrofinanciar. E rëndësishme në këto periudha dhe e këshillueshme është jo vetëm përthithja e fondeve, por dhe investimet direkte në ekonomi. Domethënë e gjithë struktura makroekonomike e financiare e Shqipërisë duhet të drejtohet drejt një reagimi të shpejtë, duke pasur parasysh atë që ne kemi thënë gjithmonë dhe unë e kam përsëritur disa herë, që të përfitojmë nga faktorët konkurrencialë të ekonomisë, në mënyrë që këto fonde të jenë të gatshme për të zbatuar projektet e së ardhmes. Ne vazhdojmë të jemi të hapur për diskutime konkrete për të përfituar fonde të tilla. Mendoj që i kemi të gjitha mundësitë që Shqipëria të përfitojë nga to. Ka një angazhim total të ekonomisë shqiptare për të përfituar por ju thashë dhe një herë tjetër është shumë i rëndësishëm për ne sot kujdesi. Dëshiroj t’ju garantoj se Banka e Shqipërisë është vigjilente, në kahun e kujdesit për të ruajtur parametrat makroekonomikë, në mënyrë që gatishmëria e institucioneve ndërkombëtare për të mbështetur ekonomitë si ekonomia shqiptare në kuadrin e krizës globale të jetë sa më efikase.