BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp, datë 26 shkurt 2014

Data e publikimit: 17.03.2014

 

Pyetje-Qeveria pritet të miratojë një draft i cili do të përcaktojë njëherë e mirë marrëdhëniet mes bankave dhe tatimorëve për kreditë e këqija. Cilat do të jenë këto kredi që do të jenë të zbritshme nga bankat për të shmangur konfliktet mes tyre dhe tatimorëve? Si e vlerësoni nismën?

Përgjigje- Është një nismë shumë e rëndësishme dhe gjej rastin të përshëndes të gjithë ata që kanë qenë pjesë e saj. Gjykoj se ky hap është një ogur mjaft i mirë për ekonominë shqiptare. Në kuadër të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar ne kemi rënë dakord që të ketë dy lëvizje mjaft të rëndësishme: si fshirja e kredive të këqija nga bilancet e bankave, dhe kryerja e rregullimeve përkatëse midis palëve. Njëkohësisht pritet një përmirësim për sa i përket proceseve të likuidimit të kolateraleve, por ajo që është më e rëndësishme është shlyerja e detyrimeve të prapambetura. Këto lëvizje të rëndësishme, në gjykimin e Bankës së Shqipërisë do të japin një stimul të ri që është mbështetja më e mirë që mund t’i jepet ekonomisë shqiptare në këto kohë, përfshirë dhe rritjen ekonomike të vendit. Me datë 28 shkurt Fondi Monetar Ndërkombëtar pritet të miratojë marrëveshjen e huasë me Shqipërinë, dhe ky është një lajm i rëndësishëm. Nga pala shqiptare janë plotësuar të gjitha kushtet dhe besoj që miratimi i saj do të  kalojë suksesshëm në këtë datë. Natyrisht kjo i hap rrugë marrëveshjes me Bankën Botërore e cila nuk do të sjellë vetëm vlera monetare por njëkohësisht do të mundësojë dhe mbështetje të fuqishme në të gjitha degët e ekonomisë së vendit.