BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit, 29.05.2013

Data e publikimit: 03.06.2013

 

Pyetje- Z. Guvernator, doja të dija diçka më të hollësishme rreth sugjerimit tuaj për një rregull të ri fiskal. E keni përmendur disa herë, e përmendët edhe sot. Përveç drejtimit në të cilin duhet shkuar, keni ndonjë platformë më konkrete se në çfarë nivelesh dhe në çfarë afatesh duhet arritur tek një konsolidim fiskal?

Së dyti, keni ndonjë analizë të efekteve të fushatës zgjedhore në aktivitetin ekonomik të vendit, kryesisht nisur nga vëllimet e tregut financiar? Në mbledhjen e sotme të Këshillit Mbikëqyrës keni trajtuar edhe një analizë të pritshmërive të sistemit financiar, për pjesën e mbetur të vitit. Pra, nga materiali që dispononi, keni ndonjë vlerësim për ndikimin që ka situata zgjedhore dhe zgjedhjet e përgjithshme në aktivitetin ekonomik në vend?

Përgjigje- Për sa i përket pyetjes së parë, në harkun e dy-tre viteve të fundit, kjo çështje është diskutuar gjerësisht nga unë personalisht dhe njëkohësisht nga Banka e Shqipërisë. Mendoj që takimet e muajve të fundit ndërmjet Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave vunë në pah nevojën - ky ishte një nga propozimet tona - për një rishikim të kushteve të reja. Këto kushte nënkuptojnë atë mori informacioni të nevojshëm për të vlerësuar nivelin e borxhit në kushtet e krizës. Ky rregull fiskal, i përcaktuar në bazë të këtij rivlerësimi, do të japë më shumë transparencë, më shumë fleksibilitet, por njëkohësisht edhe më shumë kredibilitet për investitorët e huaj. Kjo është ajo çka ne kemi diskutuar dhe të cilës i qëndrojmë: masat që do të çojnë në një stabilitet të balancave fiskale në periudhën afatgjatë. Por natyrisht, këto masa duhet t’i japin mundësi dhe fleksibilitet ekonomisë për t’u zhvilluar. Përsa i përket nivelit, kam propozuar se duhet një rivlerësim tërësor, në kushtet e reja.

Për sa i përket pyetjes së dytë që lidhet me fushatën, natyrisht që ajo ka efektet e saj në ekonomi, veçanërisht po të kemi parasysh tejzgjatjen e kësaj krize globale. Është e vështirë të matësh masën, por ajo që është e rëndësishme nga këndvështrimi i Bankës së Shqipërisë, është që debati duhet të jetë më konstruktiv dhe më “me këmbë në tokë”, në mënyrë që të orientojë të gjithë agjentët drejt një zhvillimi të qëndrueshëm e afatgjatë të vendit. Kjo në kushtet kur Banka e Shqipërisë tashmë ka hedhur në treg një paketë rregullash makro-prudenciale, e cila është mirëpritur gjerësisht nga publiku dhe agjentët. Mendojmë se kjo paketë do t’u japë një shtysë të re zhvillimeve në procesin e kreditimit të vendit, që është aq i domosdoshëm. Ne e vlerësojmë si shumë të rëndësishme ruajtjen e balancave makroekonomike dhe atyre fiskale në vend, balancë të cilën ne jemi në gjendje ta realizojmë.