BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit, 30.04.2013

Data e publikimit: 17.05.2013

 

Pyetje- Z. Guvernator, para disa ditësh ju ishit i pranishëm në mbledhjet e radhës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Ndoshta ky ka qenë një rast për të ballafaquar analizat dhe prognozat e Bankës së Shqipërisë, si institucioni më i specializuar në Shqipëri në këtë drejtim, me ato të institucioneve financiare ndërkombëtare. Nga diskutimet që u zhvilluan gjatë këtyre mbledhjeve, cila është perspektiva e daljes nga kriza? Kjo veçanërisht për sa i përket ekonomisë së Eurozonës, e cila është një faktor përcaktues edhe për ecurinë e ekonomisë shqiptare.

Përgjigje- Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore kanë marrë një rëndësi gati-gati më të madhe se ato të vjeshtës. Deri pak vite më parë mbledhjet e pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore kanë qenë më tepër takime të natyrës konsultative, por tashmë në kuadrin e krizës globale këto mbledhje kanë marrë një rëndësi të veçantë, jo vetëm për sa i takon intensitetit të takimeve, por mbi të gjitha për çështjet që diskutohen nga pjesëmarrësit. Nga mbledhja e Tokios në tetorin e kaluar në mbledhjen e fundit të zhvilluar në muajin prill në Uashington, u pranua se ekziston një “klimë ” më e favorshme.

Ekonomia amerikane po reagon pozitivisht, sidomos për sa i përket kredive për shtëpi, e cila është një tregues i rëndësishëm për këtë ekonomi. Megjithatë punësimi ende nuk po lëviz. Shpresat që ky tregues të fillojë të lëvizë janë të mëdha, falë masave të ndërmarra në këtë drejtim si dhe falë ndërhyrjeve direkte  të të gjitha politikave që synojnë nxitjen e tij. Theksoj dhe njëherë së është  pozitive që një nga elementët e rëndësishëm të kësaj ekonomie si kredia për shtëpi, po tregon shenja gjallërimi. Kujtoj se kredia për shtëpi ishte dhe flluska më e madhe e fillimit të krizës botërore.

Për sa i përket ekonomisë evropiane, ajo është shumë e varur nga tre sfidat e mëdha që janë: unioni financiar, unioni bankar dhe sigurimi i depozitave. Këto tre sfida tashmë janë gati për diskutim në tryezat evropiane me propozimet përkatëse.

Në panelin e veçantë të mbledhjes së pranverës së FMN dhe të BB, z. Olivier Blanchard, Kryeekonomist i FMN-së  u shpreh se ekonomia botërore po ecën me 3 shpejtësi e gjysmë, duke patur parasysh Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropën, vendet e BRIK -ut dhe Japoninë, ku kjo e fundit është akoma në gjysmë shpejtësie. Më tej zonja Christine Lagarde shtoi se mund të shkojmë deri në 4 shpejtësi, por kjo mbetet për t’u parë.

Në këto kushte, do të thoja që po marrin një rëndësi të madhe ndryshimet në ekonomitë e vendeve BRIK, ku roli i Kinës është vendimtar. U diskutua në detaje procesi i ngadalësimit të rritjes ekonomike të Kinës në 7%, megjithatë kjo për Guvernatorin Zhou Xiaochuan nuk përbënte problem. Kjo ulje e ritmeve të rritjes ekonomike të Kinës ndikon në të gjithë tregun e vendeve BRIK, gjë e cila u pranua  dhe nga Guvernatori i Brazilit dhe i Rusisë. Të gjitha këto vende shprehen gatishmërinë të ndërmarrin reforma strukturore afatgjata, me anë të të cilave synohet të rritet kërkesa e brendshme, me qëllim nxitjen e një zhvillimi më të madh dhe më të qëndrueshëm.

Për sa i përket vendeve të tjera, duke përfshirë këtu vendin tonë dhe ekonomitë në zhvillim të rajonit, vlerësohet që kanë bërë reforma të mira strukturore dhe po i vjelin frytet e tyre. Masat kundërciklike të marra nga disa ekonomi kanë bërë që këto vende të jenë më pak të prekshme nga kriza. Sipas vlerësimeve të FMN-së dhe BB-së, këtu hyn dhe ekonomia shqiptare.

Një argument tjetër lidhet dhe me krijimin e nismës  Vjena II, ku siç është njoftuar unë jam anëtar i Komitetit Drejtues.  Meqenëse Shqipëria është i vetmi vend jo-anëtar i Bashkimit Evropian që ka anëtarësi në Komitetin Drejtues të nismës së Vjenës, ajo do të përfaqësojë dhe interesat e vendeve që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo iniciativë do të shkojë tej asaj së Vjena I në kuptimin e makroprudencës, stabilitetit financiar, dhe uljes së ekspozimit të grupeve të mëdha bankare në vendin tonë. Një prej problemeve të rëndësishme që po shqyrton ky komitet është shtimi i kredive me probleme në të gjithë vendet e Ballkanit.

Një çështje tjetër ka të bëjë me Unionin Bankar Evropian. Ne propozojmë një rritje të pjesëmarrjes së vendeve jo anëtare të BE-së në këtë union. Tashmë, si anëtar i Komitetit Drejtues i Nismës së Vjena II ne jemi pjesë e forumeve bankare, veçori kjo që na mundëson të bëhemi promotorë që këto vende të jenë pjesëmarrëse në iniciativën e unionit bankar evropian. Ajo që ne propozojmë, dhe kjo është vënë në propozimet përkatëse të Vjena II, është që vendet e rajonit të jenë pjesë e Unionit Bankar Evropian.
Gjithashtu, kam kërkuar që të informohemi në vazhdimësi me nismat dhe rregulloret evropiane që lidhen me mbikëqyrjen bankare, pasi ato kanë një ndikim të drejtpërdrejtë mbi operatorët bankarë evropianë që operojnë në Shqipëri.