BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit, datë 27 mars 2014

Data e publikimit: 08.04.2014

 

Pyetje: Dje organizuat një forum financiar shumë të rëndësishëm, i cili zhvillohej me dyer të mbyllura. Megjithatë, doja të dija nëse kishit ndonjë çështje që do të donit ta ndanit me publikun nga forumi i djeshëm, sidomos në kontekstin e mesazhit tuaj të fundit, pra që janë sfidat ose problemet të cilat frenojnë një kreditim të ekonomisë.

Përgjigje: Vërtet që forumi i djeshëm ishte mjaft i rëndësishëm si për faktin që mbahet për herë të dytë në Shqipëri,ashtu dhe për kohën në të cilën u zhvillua. Siç dihet,situata aktuale karakterizohet nga zhvillime të vrullshme si brenda dhe jashtë vendit. Fokusi i takimit qëndronte në gjetjen e stimujve të domosdoshëm për një rritje ekonomike të qëndrueshme në vend dhe garantimin e qëndrueshmërisë financiare të vendit.

Sot do të keni një deklaratë për shtyp mbi mbledhjen e djeshme. Ndërkohë mund të ndaj me ju disa nga çështjet kryesore të diskutuara dje.

Në takimin e djeshëm, përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë bënë një prezantim të situatës ekonomiko-financiare në vend, konkretisht rreth politikës monetare e asaj fiskale, stabilitetit të çmimeve, stabilitetit makroekonomik, si dhe stabilitetit të sistemit bankar në vend. Gjithashtu u prezantuan masat që do të ndërmerren gjatë këtij viti, por njëkohësisht dhe ato që do të merren në një periudhë afatmesme nga qeveria. Nëpërmjet këtyre masave synohet të jepen të gjithë stimujt e nevojshëm për vazhdimin e reformave strukturore, të cilat janë të domosdoshme për të nxitur rritjen ekonomike dhe kreditimin në vend. I gjithë ky kuadër masash është pjesë e programit që kemi nënshkruar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Aktorët pjesëmarrës në këtë tryezë të rrumbullakët ishin Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Qendrore Evropiane, Autoriteti Mbikëqyrës Evropian,si dhe të gjithë përfaqësuesit më të lartë të sistemit bankar shqiptar, si nga bankat mëma ashtu edhe drejtuesit në vend, përfshirë dhe fonde ndërkombëtare investimi që kanë interes mbi pozicionin financiar të Shqipërisë. Dua të them që ka një interes të lartë të këtyre investitorëve edhe për faktin se Shqipëria vitin tjetër do të bëjë riinvestim (rollover) të borxhit. Ka një interesim mjaft të lartë duke u bazuar në situatën e qëndrueshme makroekonomike dhe financiare në vend,si në dhe sigurinë që ofron sistemi bankar shqiptar.

Mendimi i Bankës së Shqipërisë, i shprehur në forum, ishte se duhet të bëjmë përpjekjet e domosdoshme në mënyrë që të gjenden të gjithë stimujt ekonomikë për të rigjallëruar kreditimin dhe njëkohësisht rritjen ekonomike të vendit. Kjo kërkon që të gjithë aktorët,vendas dhe ata të huaj, të angazhohen seriozisht në mënyrë që të gjenden nxitësit dhe të jepen në kohën e duhur. E gjitha kjo është në kuadër të programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, i cili përveç sugjerimeve dhe vërejtjeve që jep mbi zbatimin e reformave strukturore ka dhe një portofol, me fondet e të cilit do të bëhet i mundur ripagimi i detyrimeve ndaj biznesit.

Banka e Shqipërisë ka qenë gjithnjë e qartë në këtë drejtim, duke e cilësuar shlyerjen e detyrimeve të prapambetura si injeksionin më të mirë që mund t’i bëhet në këto kushte ekonomisë shqiptare. Ne vlerësojmë se ky hap do të japë ndikimin e duhur për rigjallërimin e kreditimit dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Gjithashtu nga marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria do të përfitojë dhe fonde të tjera në mënyrë që të bëhet i mundur vazhdimi i reformave strukturore. Disa prej këtyre reformave kanë karakter afatshkurtër, të tjerat afatmesëm dhe afatgjatë.

Për realizimin e këtij objektivi u angazhuan të gjithë pjesëmarrësit në forum, si përfaqësuesit e bankave mëma që operojnë në Shqipëri, ashtu edhe përfaqësuesit e institucioneve financiare ndërkombëtare.

Pyetje. Kam dy pyetje. Së pari, raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar evidenton një sërë rreziqesh të shtuara për sistemin bankar, si kreditë e këqija apo edhe huamarrjen e lartë e qeverisë në tregun e brendshëm. A ka një plan masash Banka e Shqipërisë për të zbutur këto efekte? Së dyti, ditët e fundit është ndezur një debat për rritjen e çmimit të energjisë. A ka një qëndrim Banka e Shqipërisë për këtë pjesë, a është e përshtatshme në këtë kohë krize të rritet çmimi i energjisë?

Përgjigje. Për sa i përket pyetjes së parë, Shqipëria gëzon stabilitet të plotë makrofinanciar. Banka e Shqipërisë garanton që sistemi bankar është i gatshëm të përballojë çfarëdolloj presioni të brendshëm apo të jashtëm, pasi është i mirëkapitalizuar, likuid dhe prodhon fitim . Kjo është kryesorja. Ky vlerësim shkruhet dhe në raportet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe njëkohësisht është baza mbi të cilën ne ndërtojmë marrëdhënien e re me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si një marrëveshje partneriteti afatmesëm. Në qoftë se këto parakushte nuk do të ishin të plotësuara,nuk do të dihej nëse Fondi do të vinte për një marrëveshje me Shqipërinë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një marrëveshje kaq fleksibile si kjo që kemi nënshkruar me FMN-në.

Kjo është e para. Kështu që duke garantuar stabilitetin makrofinanciar në vend, ne nënshkruajmë një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, dhe përfitojmë nga kjo marrëveshje.

E dyta, ne si Bankë e Shqipërisë jo vetëm jemi dakord me programin e nënshkruar, por kemi qenë dhe jemi nxitës të respektimit të të gjitha kushtëzimeve që rrjedhin prej tij. Siç thashë dhe në fillim është i domosdoshëm një konsolidim fiskal. Korrektimi është një çështje që ne e kemi ngritur gjatë gjithë kësaj kohe. Njëkohësisht duhen dhënë nxitësit e domosdoshëm për një rritje ekonomike të qëndrueshme të vendit. Shqipëria duhet të jetë e gatshme dhe e përgatitur për të kapur potencialin e saj ekonomik, për t’u bërë tërheqëse ndaj investitorëve të huaj dhe investitorëve të brendshëm,në mënyrë që të sigurojë rritje ekonomike të qëndrueshme.

Pyetje: Ju keni folur vazhdimisht për reforma strukturore. Cili është sugjerimi juaj, cilët janë sektorët emergjentë ku qeveria duhet të vendosë prioritetet dhe të fillojnë reformat në kuptimin e eksporteve, duke pasur parasysh faktin që më shumë se gjysma e eksporteve tona përbëhen nga lëndë të para. Pra ende jemi në një nivel të ulët përpunimi.

Përgjigje: Në programin që përmenda janë parashikuar një sërë reformash strukturore të natyrës afatshkurtër dhe sigurisht edhe të një natyre më afatgjatë. Në radhë të parë është konsolidimi fiskal si dhe gjetja e rrugëve për rigjallërimin e kreditimit. Elementë të tjerë që janë shumë të rëndësishëm lidhen me reformën e sigurimeve shoqërore,me përmirësimin e klimës së biznesit dhe reformën e pensioneve. Banka e Shqipërisë ka evidentuar dhe ka dhënë këshillat e saj për sa i përket rritjes sasiore dhe cilësore të prodhimit bujqësor me synim daljen në eksport të tij. Mendoj që në programin ekonomik janë identifikuar saktë një grup i madh reformash strukturore, realizimi i të cilave do të japë nxitësit e domosdoshëm për të gjallëruar ekonominë tonë.