BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 23 mars 2011

Data e publikimit: 25.03.2011

 

Pyetje: Zoti Guvernator, sa gjasa ka që të kemi një skenar çmimesh të ngjashëm me atë të viteve 2007-2008? Në këtë pikë ku ndodhet ekonomia, një inflacion i lartë çfarë do të thotë. A është ai një kërcënim për rigjallërimin e saj?

Guvernatori: Pyetje me vend. Mendoj që i gjithë diskutimi ynë gjatë kësaj periudhe ka qenë i përqendruar në përgjigjen e kësaj pyetjeje. Banka e Shqipërisë me lëvizjen e sotme bëri një ndërrim të kahut të politikës monetare në drejtim të shtrëngimit të saj. Kjo lëvizje vjen në momentin e duhur, si dhe reflekton kushtet e një presioni ndërkombëtar të rritjes së çmimeve, dhe njëkohësisht të një paqartësie në kuadrin botëror mbi ecurinë e tyre në një periudhë afatmesme.

Ne mendojmë që vendimmarrja e sotme është në linjë me projeksionet tona, të cilat tregojnë se presionet për t’a mbajtur inflacionin në kahun rritës do të vazhdojë gjatë 2-3 muajve në vijim. Për këtë qëllim, masa e sotme do të ndikojë si një element i rëndësishëm për të ankoruar këtë prirje dhe për t’a mbajtur në një periudhë afatmesme inflacionin në objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Pyetje: Pas pak javësh do të kemi zgjedhjet dhe tradicionalisht në Shqipëri, në prag të zgjedhjeve kemi pasur probleme me ekonominë, ndoshta probleme jo shumë të mëdha. Mendoni se këto zgjedhje do të ndikojnë në ekonomi në aspektin e investimeve apo edhe në problemin më të madh që kemi tani që është inflacioni?

Guvernatori: Mendoj që kjo periudhë koinçidon me një vëmendje të shtuar për sa i përket kujdesit në vendimmarrjen e politikës monetare, që përkthehet me një ndërthurje të domosdoshme dhe efektive të politikës fiskale me politikën monetare. Njëkohësisht, lëvizja e sotme është një stimul i ri në kahun e qëndrueshmërisë së aktivitetit ekonomik, duke pasur parasysh që mbajtja nën kontroll e inflacionit është një stimul i domosdoshëm për një klimë të shëndetshme biznesi dhe investimesh.