BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 24 nëntor 2010

Data e publikimit: 01.12.2010

 
Pyetje: Qeveria parashikon që për vitin 2010 të ketë një rritje ekonomike prej 4.1 për qind dhe në 2011 një rritje prej 5.5 për qind. A përkojnë këto me vlerësimet tuaja?

Mendoni se drafti i buxhetit të vitit 2011 që ka prezantuar qeveria është një draft realist?

Guvernatori: Ne nuk kemi ende një skenar bazë për rritjen ekonomike. Një balancim i domosdoshëm i kërkesës së brendshme dhe të jashtme, i balancave të brendshme dhe të jashtme si dhe i potencialit të rritjes ekonomike të vendit, gjykuar në një kontekst të kujdesshëm për sa i përket projeksionit të të ardhurave, do të ishte bazë për të garantuar një nivel të përshtatshëm të rritjes ekonomike të vendit.

Përsa i takon pyetjes së dytë do të doja t’i referohesha edhe njëherë deklaratës që sapo lexova. Mendoj që ja vlen të përsëritet sepse është në kuadër të kujdesit, i cili ka qenë në qendër të gjithë filozofisë së Bankës së Shqipërisë, në kontekstin e një viti sfidues si 2011 për të gjithë ekonomitë botërore po ashtu edhe për ekonominë shqiptare, ekonomi e cila tashmë është vijëzuar si një ekonomi në zhvillim. Me marrjen e eurobondit e bëmë Shqipërinë transparente në treg dhe kujdesi i ruajtjes së parametrave të buxhetit dhe të borxhit bëhet thelbësor, sidomos kur flasim për parashikimet e kujdesshme për të ardhurat, duke faktorizuar njëkohësisht edhe faktorët potencialë të rrezikut si dhe zhvillimet e ekonomisë botërore që janë të domosdoshme për të pasur një buxhet të mirëekuilibruar, i cili natyrisht nuk do të ketë mundësi për të dhënë stimujt e mëparshëm në ekonominë shqiptare, por do të lejojë që këto stimuj të transferohen në sektorin privat. Ky i fundit duhet të jetë i kujdesshëm dhe optimist për të dhënë nxitjen e nevojshme ekonomike për të kapur potencialin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Pyetje: Ditët e fundit është vërejtur një zhvlerësim i monedhës kundrejt valutave të forta kryesisht euros si do ta vlerësonit këtë?

Guvernatori: Mendoj se kursi i këmbimit është i balancuar dhe ky është gjykimi i Bankës së Shqipërisë. Kjo bazohet në themele të shëndosha makroekonomike dhe nuk ka asnjë vlerësim që mund të krijojë shpërpjesëtime midis kërkesës dhe ofertës. Banka e Shqipërisë nuk ka çmim për lekun, por është e interesuar dhe kujdeset për të pasur një kërkesë të përshtatshme në ekonomi. Banka e Shqipërisë është shumë e kujdesshme në ndjekjen e situatës aktuale, për të krijuar parakushtet për një kërkesë – ofertë të përshtatshme. Mendojmë që regjimi i kursit të këmbimit fleksibël, liberalizimi total i llogarisë kapitale dhe korente si dhe masat e marra për hapjen e ekonomisë shqiptare bëjnë të mundur që flukset hyrëse të valutës në kushtet e themeleve të shëndosha makroekonomike të jenë të ekuilibruar. Edhe në rastet e lëvizjeve të përkohshme të kursit të këmbimit, rëndësi merr gjykimi ynë i bazuar në projeksione afatmesme e afatgjata. Ky gjykim është i bazuar në një analizë të modeleve përkatëse, përfshirë dhe situatën e re që po kalon vendi, liberalizimin e vizave. Duke marrë për bazë situatën globale, jemi bazuar në eksperiencën që vende të tjera kanë patur në këto rrethana, dhe kështu kemi bërë projeksionet tona, duke u mbështetur në modele empirikë, analiza të brendshme dhe të jashtme, si dhe indekset e besimit të biznesit edhe konsumatorit. Gjykojmë që kursi i këmbimit do të jetë në ekuilibër dhe çdo presion afatshkurtër nuk do të ketë influencë në zhbalancimin e kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë do të jetë mjaft e kujdesshme për të mos lejuar spekulime në tregun e këmbimeve valutore.

Pyetje: Jam shumë i interesuar të dëgjoj një koment tuajin lidhur me raportin e depozitave dhe kredive në sistemin bankar në Shqipëri. Në mbledhjen e mëparshme Këshilli Mbikëqyrës i kërkoi bankave që të lokalizojnë klientët me probleme të kredive të këqija. Cili është aktualisht raporti i depozitave të qytetarëve me kreditimin e bankave? Cila është gjendja e kredive me probleme dhe pse bankat nuk i kanë dëgjuar thirrjet tuaja dhe të qeverisë për të kredituar më shumë ekonominë?

Guvernatori: Siç thuhet dhe në literaturën e huaj thirrjet, kërkesa, por dhe bindjet, në qoftë se nuk shoqërohen me masa ekonomike administrative dhe ndërgjegjësim të përgjithshëm të publikut nuk funksionojnë. Ne kemi mundësuar këtë kombinim nëpërmjet rregullimeve përkatëse ligjore dhe ndërgjegjësimit të tregut, të agjentëve të tregut dhe të publikut të gjerë. Ndryshe nuk funksionon. Gjykimi i Bankës së Shqipërisë mbështetur dhe në materialin e sotëm tregon që tregu shqiptar ka likuiditet të mjaftueshëm për të kredituar ekonominë, duke i dhënë nxitje kapjes së potencialit të saj ekonomik, nga vlerat aktuale në 6% e më tej. Likuiditeti bazë ekziston, oferta ekziston. Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë përpara dhe gjatë krizës ka marrë masat e saj të domosdoshme për rregullimet administrative, për të nxitur kreditimin në lekë duke rritur provigjionimet 150 për qind të kreditimit në valutë, duke stimuluar rritjen e depozitave dhe mbetjen e valutës në Shqipëri si dhe për të rritur kapitalin e domosdoshëm të bankave dhe shtimin e kapitalit nga mëmat e tyre. Situata ka ndryshuar, kemi teprica të likuiditetit gjë që bën një balancim të mirë edhe të hyrjeve-daljeve në sistemin financiar, të kryesuar nga sistemi bankar.

Sot problemi botëror, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa, që janë dy kolonat më të rëndësishme për sa i përket zhvillimeve të mëtejshme ekonomike dhe sfidave të post-krizës tregon që kreditimi i vogël dhe i mesëm është në vështirësi. Kjo sepse bankat janë shumë të kujdesshme se më parë në dhënien e kredisë, me një sërë dokumentacioni shtesë. Ka një bllokim të kredisë për kreditorin e vogël dhe të mesëm dhe këtu kërkohet shumë për t’u bërë. Ndërsa, kreditori i madh është i bllokuar për arsye të mosadministrimit të kreditimit të tij para krizës. Bankat janë të gatshme të japin, por ky nuk është i gatshëm të marrë. E thënë me një gjuhë popullore është si të çosh kalin te burimi, por kali nuk pi sepse s’ka etje. Kështu që problemi kërkesë-ofertë tashmë rëndon më shumë nga ana e kërkesës. Prandaj dhe sot e theksova që, megjithëse gjatë muajve të fundit ka një rritje dhe premisë të mirë për rritjen e kreditimit, kryesisht për mallra konsumi, ekziston një situatë ku biznesi shqiptar duhet të rrisë kërkesën për kredi. Kjo nëpërmjet projekteve të përshtatshme për të thithur investitorët e huaj strategjikë. Pra, nga njëra anë kemi bankat që duhet të jenë më agresive, por njëkohësisht edhe më të kujdesshme, pasi ne reflektojmë strukturën botërore, me banka që janë aktore reale në tregun evropian dhe botëror. Natyrisht ato kanë mundësi të jenë më aktive, por kjo do të varet shumë nga optimizmi, realizimi dhe iniciativa e bazuar në projekte reale të sektorit privat. Kjo duhet të ndodhë, në një kohë kur Banka e Shqipërisë ka krijuar kushtet e përshtatshme makrofinanciare për një qëndrueshmëri të kursit të këmbimit, qëndrueshmëri të inflacionit dhe dhënies pa kufi të likuiditetit në treg. Njëkohësisht, politika fiskale, me shkurtimet e saj do të konsiderueshme, të cilat domosdoshmërish duhet të jenë tiparet bazë edhe të buxhetit të vitit 2011 (për të vazhduar konsolidimin fiskal në terma afatmesëm dhe afatgjatë), i lejon vend sektorit privat për një hapësirë dhe rol më të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.