BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 26 Janar 2011

Data e publikimit: 27.01.2011

 

Pyetje: Zoti Guvernator, a mendoni se protestat e dhunshme si ajo e disa ditëve më parë, kanë efekt në ekonomi dhe çfarë sugjeron Banka e Shqipërisë në këtë pikë. E lidh këtë me disa lajme që kanë qarkulluar në web ku thuhet se aksionet shqiptare të investitorëve të huaj në vendin tonë kanë pësuar rënie në bursa, pikërisht ditën e protestës se 21 janarit?

Çdo nismë veprimi, mosmarrëveshje, konflikt apo konfrontim politik ka një kosto ekonomike të dukshme dhe të padukshme, direkte apo indirekte, të së sotmes apo të së nesërmes. Të gjithë duhet të kuptojmë që ekonomia dhe politika funksionojnë si enë komunikuese. Për mendimin tim, ato janë vëllezër siamezë të lidhur nga shtylla kurrizore. Mbi të gjitha dua të konfirmoj atë që tashmë është evidente jo vetëm në raportet e Bankës së Shqipërisë, por në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve që ekonomia shqiptare gëzon imunitet të plotë ndaj goditjeve afatshkurtra, si dhe sistemi bankar shqiptar është i mirëkapitalizuar, i shëndoshë dhe mbi të gjitha gëzon besimin e institucioneve ndërkombëtare dhe  besimin e plotë të publikut shqiptar. Nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh që  me kalimin e Shqipërisë nga një vend në tranzicion në një vend në zhvillim, 2011-ta duhet të  kuptohet që është ndryshe nga vitet e mëparshme, sepse kemi njëkohësisht brenda elementin Bashkim Evropian dhe NATO. Kjo do të thotë se matematikisht ekuacioni i Shqipërisë ka  ndryshuar, emëruesi  i Shqipërisë ka ndryshuar duke faktorizuar brenda këto dy elementë të rëndësishëm. Kjo përbën një besim dhe siguri shtesë në ekonominë shqiptare dhe në sistemin bankar dhe financiar shqiptar, por nga ana tjetër rrit përgjegjësinë për mbarëvajtjen e këtij sistemi. Në këto kushte, duhet të kuptojmë që monitorimi i ekonomisë shqiptare dhe i sistemit sistemin bankar financiar nga autoritetet e  autorizuara nga institucionet ndërkombëtare përsa i përket elementit politik është  mjaft  i rëndësishëm.  Rreziku  politik është bazë në vlerësimin e ekonomisë shqiptare nga agjentët ndërkombëtarë, investitorët e huaj dhe ata shqiptarë. Është një notë për Shqipërinë. 

Kryeministri  Berisha ka paralajmëruar rritjen e ngarkesës fiskale për sistemin bankar dhe kjo ngarkesë fiskale shtesë sipas tij, do të synojë të tatojë ato fitime që sipas tij konsiderohen jashtë të ashtuquajturit “kodi moral i fitimit”. Doja të pyesja në parim nëse Banka e Shqipërisë do të ishte në favor të një nisme të tillë dhe së dyti besoni që një mekanizëm i tillë do të ishte i efektshëm për atë qëllim që qeveria pretendon se ka,  pra për të ulur çmimet e shërbimeve dhe produkteve bankare.  Besoni se mund të ulen çmimet duke rritur taksat?

Nuk kemi një  propozim të tillë akoma.  Në kohën që këto propozime do të vijnë do të kemi edhe vlerësimet tona. Së dyti do të thoja, që ky është pjesë e një diskutimi të gjerë, ku ju keni qenë jo vetëm dëshmitarë, por njëkohësisht edhe aktorë të fuqishëm për ta përcjellë gjithë këtë politikë. Gjatë këtyre 5 viteve ne jemi fokusuar në drejtim të kujdesit, stabilitetit financiar dhe një politike makroekonomike të përshtatshme; përpara, gjatë dhe tashmë pas krizës, e cila u faktorizua me ndryshimin e ligjit për bankat, me krijimin e Regjistrit të Kredive dhe njëkohësisht me një sërë ndryshimesh rregullative në drejtim të transparencës, të qeverisjes më të mirë të bankave dhe të kontrollit të rrezikut dhe mirëmenaxhimit të këtij rreziku nga ana e sektorit bankar. Natyrisht, ka patur një dialog të gjerë të monitoruar nga ana juaj dhe është arritur në një konsensus me bankat që këto probleme të adresohen ekonomikisht, duke u mbështetur në masa administrative të Bankës së Shqipërisë. Ka ardhur momenti dhe çasti më i mirë është sot, mbasi sektori bankar shqiptar tregoi shenja të forta soliditeti, duke mos u atakuar direkt nga kriza. Tashmë ekzistojnë të gjitha mundësitë që përmirësohen sa më shumë katër elementët e rëndësishëm: transparenca, qeverisja, kontrolli i brendshëm dhe  ai i rrezikut. Kjo e mbështetur edhe me rregulloren përkatëse që ne miratuam javën e kaluar  lidhur me rrezikun operacional dhe një sërë rregulloresh të tjera që ne po përgatisim. Nga ana tjetër, duhen përmendur edhe disa masa që Banka e Shqipërisë do të marrë për lehtësimin e  kostove të sistemit duke përsa i përket transaksioneve në lekë, të cilat lidhen me sistemin e pagesave në  Shqipëri. Megjithatë, siç u shpreha dhe në fjalën time në takimin rajonal që organizuam në Shkodër, e gjithë kjo është një lëvizje për një rregullim drejt kujdesit, stabilitetit financiar, konkurrueshmërisë dhe uljeve të kostove efektive. Flasim këtu për kostot në lekë kryesisht, sepse sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë kostot në valutë janë pothuajse të njëjta me rajonin dhe më tej. Është shumë e rëndësishme vazhdimi i reformave strukturore, të cilat kanë lidhje direkt apo indirekt me kostot e sistemit bankar. Gjithashtu, kam theksuar se të  rëndësishme janë edhe kostot që lidhen me pronësinë, me regjistrimin, me ekzekutimin e kolateralit dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor, i cili lidhet direkt me sistemin bankar.