BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 26 maj 2010

Data e publikimit: 26.05.2010

 

Pyetje: Ju përmendet një rritje të ndjeshme të eksporteve. A gjykoni se kjo rritje do të vazhdojë gjatë gjithë vitit apo është një zhvillim episodik i bazuar në bumet që kemi patur te eksporteve të energjisë elektrike që kemi patur gjatë muajve të parë të vitit.

Ju folët për një nervozitet të tregjeve të kapitalit, tregjeve ndërkombëtare financiare. A gjykoni se ky nervozitet mund të vonojë deri diku shitjen e eurobondit të parë shqiptar ?

Guvernatori – Për sa i përket pyetjes së parë është një shprehje anonime që thotë se “parashikimet janë të vështira, sidomos kur bëhen për të ardhmen”. Ajo që ne parashikojmë është që prirjet inflacioniste janë të mirëankoruara në nivel afatmesëm dhe nuk shohim goditje shoku për këtë gjë. Natyrisht që mirëpresim tendencën rritëse të eksporteve, të cilat sidomos në këtë vit janë një mbështetje e fuqishme për ekonominë shqiptare. Analizat do të vazhdojnë dhe do të shohim.

Përsa i përket pyetjes së dytë, situata ndërkombëtare siç përmenda dhe në dokumentin e politikës monetare është kaotike në eurozonë. Dalja e eurobondit shqiptar po dhe shumë eurobondeve të tjerë (një sërë vendesh të Ballkanit synojnë të shesin eurobonde sivjet) influencohet nga situata e përgjithshme e eurozonës dhe euros dhe natyrisht do të shohim në kohë se si do të shkoj ky proces. Por mendoj që përpjekjet duhet të jenë të vazhdueshme.

Pyetje: Cilat janë rreziqet që mund ti vijnë ekonomisë nga ajo që ju e quani politikë stimuluese fiskale ?

Guvernatori: E përmenda dhe në material, ne mirëpresim, inkurajojmë dhe mbështesim të gjitha masat për një administrim më të kujdesshëm të buxhetit. Kjo është në linjë jo vetëm me zhvillimet e brendshme, por njëkohësisht me të gjitha zhvillimet e vërejtura sot në ekonominë evropiane dhe më gjerë.