BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 27 korrik 2011

Data e publikimit: 29.07.2011

 

Pyetje- Qeveria shqiptare ka vendosur të ulë shpenzimet me 18.3 miliardë lekë. A është kjo e mjaftueshme për të mbajtur deficitin buxhetor brenda planifikimit, deri në fund të vitit?

Përgjigje- Banka e Shqipërisë ndjek politika të komunikimit të hapur, transparent dhe konstruktiv me publikun dhe në prani të medias, kemi qenë vokalë dhe njëkohësisht të suksesshëm për të marrë një informacion të plotë nga tregu dhe ekonomia reale, në mënyrë që bashkërendimi i politikave, kombinimi i politikës fiskale dhe asaj monetare të jetë i suksesshëm. Njëkohësisht, gjykojmë se reduktimi i shpenzimeve është plotësisht në linjë me zhvillimet ekonomike në vend, për të siguruar një deficit buxhetor të kontrolluar dhe një borxh publik në përmasat e planifikuara, gjithmonë brenda kuadrit ligjor. Në po ndjekim hap pas hapi zhvillimet, jo vetëm në kuadrin makro por edhe në atë mikro dhe mendojmë se masa, ashtu si e përmenda dhe në raport, është e duhur dhe vjen në kohën e duhur. Një mesazh, i cili përcillet me ndërmarrjen e masës , është dhe se shpenzimet duhet të kryhen në bazë të të ardhurave. Unë mendoj se masa është pozitive dhe jep premisa për ruajtjen në nivele të qëndrueshme të deficitit buxhetor.

Pyetje - Vura re se ju u bëni sot shqiptarëve thirrje që të rrisin konsumin.

Përgjigje- Është në vazhdim të opinionit të Bankës së Shqipërisë, njëkohësisht dhe timit, ka ardhur koha dhe janë krijuar kushtet që të rrisim konsumin, për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm. Njëkohësisht, kjo duhet të ndodhë duke përfshirë një element shumë të rëndësishëm, që sot kërkohet jo vetëm për ekonomitë e vogla në zhvillim, si Shqipëria, por edhe për ato të zhvilluara: më shumë optimizëm në zhvillimet ekonomike, bazuar në kushtet reale të zhvillimit të tyre dhe të një buxheti të kontrolluar. Stimuli i përshtatshëm monetar dhe nxitja që po i bëjmë sistemit bankar dhe financiar për të qenë sa më aktiv, për të nxitur kërkesën konsumatore në mbështetje të një realiteti të ri, është një faktor kyç në këtë drejtim. Nevojitet më shumë kujdes, por në të njëjtën kohë edhe më shumë investime të drejtuara nga rritja e konkurrueshmërisë shqiptare në tregun botëror.

Pyetje - Duke qenë se ka kaluar gjysma e vitit dhe tashmë kemi një pamje më të qartë të zhvillimeve ekonomike, a e gjykoni si të mundshëm objektivin e buxhetit për një rritje ekonomike prej 5 %?

Përgjigje- Unë mendoj se është e rëndësishme që të ndjekim me mjaft kujdes informacionin që vjen nga ekonomia, të programojmë në mënyrë realiste dhe duke qenë të qartë se ekzistojnë të gjithë stimujt ekonomikë në vend për të arritur një rritje ekonomike të përshtatshme me kërkesën, për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Banka e Shqipërisë gjykon se ekzistojnë të gjitha mundësitë që të arrihet niveli i vitit të kaluar, por njëkohësisht ekzistojnë edhe të gjitha mundësitë që në një hark kohor afatmesëm, të arrihet një nivel më i artë, ndoshta niveli 5%.

Pyetje- A do ta ketë të vështirë Banka e Shqipërisë të ruajë inflacionin e parashikuar dhe si mund të mbyllet viti 2011 për sa i përket inflacionit?

Përgjigje- Ashtu siç e përmenda edhe në raport, mendoj se ekzistojnë të gjitha kushtet dhe indikatorët që inflacioni brenda vitit të jetë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Është tashmë një objektiv, por po i afrohet pikës së referimit.