BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 27 prill 2011

Data e publikimit: 29.04.2011

 

Pyetje: Ministria e Financave ka propozuar së fundi një rritje të tatimit mbi fitimin. Kjo rritje është parashikuar të jetë në përpjesëtim me rritjen e shkallës së fitimit të shoqërive tregtare. Duke iu referuar rezultateve të viteve të fundit, ndër bizneset që do prekeshin potencialisht nga një masë e tillë, nëse do të miratohej do të ishin edhe bankat tregtare. Duke u nisur nga kjo cili është opinioni i Bankës së Shqipërisë, dhe si do të ndikonte një masë e tillë tek biznesi dhe tek planet e zhvillimit të bankave tregtare?

Guvernatori: Deri tani Banka e Shqipërisë nuk ka dijeni për një propozim të tillë.  Banka e Shqipërisë gjykon se harmonizimi i politikës fiskale me atë monetare ka qenë kyçi i suksesit të arritjeve të këtyre viteve të fundit, konkretisht duke filluar që nga 2008 dhe deri më sot, vite të cilat përkojnë me periudhën e krizës botërore. Duke patur parasysh këtë eksperiencë,  gjykoj se edhe në të ardhmen politikat duhet të jenë të mirëstudiuara. Ato duhet  të marrin parasysh edhe eksperiencat ndërkombëtare, veçanërisht ato për një model të ri të rritjes ekonomike. Prioritet duhet të ketë thellimi i reformave strukturore me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë të ekonomisë shqiptare, për ta bërë atë tërheqëse për investitorët e huaj si dhe për të dhënë nxitësit përkatës për një zhvillim afatgjatë. Kjo do të përkthehej në kosto të ulëta, në zhvillimin e konkurrueshmërisë, në krijimin e hapësirave për zhvillimin e një tregu konkurrues si dhe do të ndihmonte  për të ruajtur standardet e një ekonomie që prodhon, të një ekonomie që eksporton dhe të një ekonomie që fton investitorët e huaj për rritjen e kapaciteteve shfrytëzuese në vend.

Pyetje: Ju thatë se shtrenjtimi i importeve ka qenë shkak kryesor për rritjen e çmimeve të mallrave në vend, sa ka ndikuar në këtë drejtim zhvlerësimi i lekut?

Guvernatori: Zhvlerësimi i lekut, i gjykuar nga Banka e Shqipërisë dhe i raportuar sot, në vlerë nominale është 1 për qind. Kjo do të thotë që leku ka qenë dhe është në balancë në krahasim me dy vitet e mëparshme. Duhet të jemi të qartë që Banka e Shqipërisë gjithmonë ka kujtuar dhe rikujtuar publikun që regjimi i adoptuar nga Shqipëria për një kurs fleksibël këmbimi, ka qenë një nga mbrojtësit kryesorë nga presionet inflacioniste të ardhura nga jashtë, por njëkohësisht dhe një sinjal mjaft efektiv për parametrat e ekonomisë shqiptare. Lënia e tij e lirë dhe kujdesi i veçantë i Bankës së Shqipërisë që kursi të jetë fleksibël ka bërë që ai të luhatet drejt parametrave efektivë. Të gjitha vendimmarrjet e Bankës së Shqipërisë, përfshi edhe vendimmarrjen e sotme për uljen e remunerimit  të rezervave të detyruar të bankave, kanë qenë në funksion të mbajtjes së një kursi fleksibël në ekuilibër për t’i dhënë të gjitha nxitjet e nevojshme ekonomisë shqiptare në një periudhë afatmesme.