BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 30 qershor 2010

Data e publikimit: 01.07.2010

 

Pyetje – Ju e përmendët edhe në forumin për bankat por edhe gjatë fjalës tuaj tani se objektivi i ri i operacional i BSH do të jetë sjellja e normave të interesit pranë normës bazë. A mund të na thoni se si mund të realizohet kjo, çfarë skenarësh, si mund të zbatohet më konkretisht ?

Guvernatori - Në realitet, kjo lëvizje është formalizim i përsosjes operacionale që ne kemi bërë gjatë tre viteve të fundit. Me testimin e inflacionit të targetuar, do të thotë që instrumentët tanë operacionalë si M3 dhe rezerva valutore do të vazhdojnë të luajnë një funksion edhe në të ardhmen, por funksioni parësor do të jetë përafrimi i normave të tregut drejt normave të Bankës së Shqipërisë. Kjo do të thotë që Banka e Shqipërisë me një informacion më të madh dhe me një transparencë më të madhe krijon kushtet që operacionet e Bankës të jenë më të efektshme në treg në horizontin afatmesëm. Kjo është një lëvizje që e çon kuadrin operacional të Bankës të Shqipërisë në të njëjtin nivel me kuadrin operacional të Bankës Qendrore Evropiane. Kjo lëvizje formale bëhet mbas një diskutimi të gjatë me sektorin bankar dhe në sajë të ndihmesës tuaj për ta përcjellë atë në publik. Mendoj që dialogu ynë i vazhdueshëm dhe reformat e tjera strukturore që duhet medoemos të vazhdojnë, si reforma e pensioneve, do të ndihmojnë në thellimin dhe zhvillimin e tregut dhe njëkohësisht në efektivitetin e politikës tonë.

Pyetje - A janë ritmet aktuale të huamarrjes të brendshme të qeverisë një shqetësim që mund të cënojë aksesin e sipërmarrjes private në kredimarrje, po të kemi parasysh edhe pritshmëritë në të ardhmen, një dështim të mundshëm të eurobondit, ku pritet që ritmi i huamarrjes së qeverisë të jetë më i lartë?

Guvernatori - Duhet të jemi të qartë se të gjitha qëndrimet e Bankës së Shqipërisë i vënë theks zhvillimit të tregut privat, i cili ka qenë, është dhe do të jetë gjeneratori kryesor i rritjes ekonomike të vendit. Natyrisht, Banka e Shqipërisë gjykon se huamarrja e brendshme prej 25 milion euro nuk do të ketë ndikim në parametrat makroekonomikë të vendit. Një pjesë e saj rreth 14 milionë euro u sigurua nga nga pjesëmarrja në ankand e jorezidentëve. Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjykon që huamarrja duhet të drejtohet drejt tregjeve të jashtme për ti lënë hapësirën e nevojshme tregut shqiptar për kreditim.