BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 31 gusht 2010

Data e publikimit: 02.09.2010

 

Pyetje - Pyetja e parë ka të bëjë me ecurinë e çmimeve. Pse mendoni që rritja e shpejtë e çmimeve për disa produkte ushqimore në tregjet ndërkombëtare nuk do të ketë efekte të forta në nivelin e inflacionit shqiptar?

Për disa herë me radhë keni përsëritur në deklaratat tuaja rëndësinë e mbajtjes së deficitit brenda parametrave të parashikuar nga buxheti i rishikuar. Pse kjo përsëritje, a ka banka ndonjë shqetësim që deficiti mund të kapërcejë?

Guvernatori: Në lidhje me pyetjen e parë, nga informacionet që ne kemi në dispozicion, mendojmë që kontributi nuk do të jetë i lartë, për arsye dhe të ndikimit të ulët të importeve në Shqipëri, të një rigjallërimi të aktivitetit të përgjithshëm tregtar si dhe njëkohësisht të një politike të kujdesshme të mbajtur gjatë gjithë kësaj kohe nga Banka e Shqipërisë dhe të prirjeve inflacioniste të mirëankoruara në ekonomi.

Në lidhje me të dytën, për të qenë transparent, kjo ishte një nga temat e diskutuara sot në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës, ku theksi u vu në kujdesin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë, veçanërisht gjatë tre-katër muajve të fundit, në ndjekjen ditore të shpenzimeve, në mënyrë që të sigurohet efektiviteti i masës së marrë për uljen e deficitit buxhetor. Ne kemi besimin që me një administrim të kujdesshëm, i cili gjatë kësaj periudhe është vërtetuar tashmë, janë të gjitha mundësitë për të qenë brenda limiteve të përcaktuara të deficitit buxhetor. Pra, e përsëris edhe njëherë, kujdes i veçantë i duhet vënë respektimit të deficitit. Kjo është një temë mjaft e rëndësishme botërore; stimuli fiskal, vazhdimësia apo tërheqja si dhe qëndrimi i kujdesshëm i politikës monetare, për të ruajtur stabilitet afatgjatë të ekonomisë botërore do të thoja është kryetema e të gjithë diskutimeve akademike dhe njëkohësisht e vendimmarrjeve politike në rang global.

Pyetje - Ju thatë pak më parë në fjalën tuaj që bankat kanë filluar të reflektojnë uljen e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë kryesisht tek interesat e depozitave dhe letrave me vlerë, po përsa i përket kredive ?

Guvernatori: Jo, unë thashë në material që kemi një zhvillim pozitiv në uljen e të gjithë segmentit të yield-eve të bonove të thesarit prej 10 pikë përqindjeje. Qëndrimi i kujdesshëm për uljen e deficitit buxhetor dhe reagimi i politikës monetare ka sjellë si rezultat një reflektim të menjëhershëm të sektorit privat dhe tregut financiar në përgjithësi përsa i përket uljes së normave të bonove të thesarit, duke krijuar parakushtet e domosdoshme për një ulje të mëtejshme të normave të depozitave dhe të kreditimit.

Pyetje: Pritet që kjo të ndodhë gjatë muajve në vijim ?

Guvernatori: Ne presim që kjo të ndodhë. Parakushti tashmë, megjithëse në një periudhë të shkurtër është materializuar, është ulur me 10 pikë përqindjeje niveli i të gjithë segmentit të yield-eve të bonove të thesarit të qeverisë.