BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë 31 gusht 2011

Data e publikimit: 01.09.2011

 

Pyetje- Sa do të ndikojë në ekonomi, politika e fundit fiskale e qeverisë lidhur me rritjen e çmimit të karburanteve?

Përgjigje-Goditjet nga ana e çmimeve të karburanteve kanë qenë evidente gjatë një periudhe afatmesme në tregun shqiptar. Banka e Shqipërisë gjykon  se këto goditje janë të mirëfaktorizuara në vendimmarrjen politikës monetare, përfshirë dhe zhvillimet e pritshme në të ardhmen.

Pyetje-Duke u nisur nga zhvillimet e fundit, kam parasysh këtu shkrirjen e dy bankave në Greqi, njëra prej të cilave ka një degë në Shqipëri, a ndjehet i kërcënuar sistemi bankar në vendin tonë?

Përgjigje-Për sa i përket situatës për bankat greke që operojnë në Shqipëri, rezultati i testeve të rezistencës ishte mjaft pozitiv. Mendoj që kriza greke po vazhdon në një situatë të mirëkontrolluar dhe strategjia për rikuperimin  e kësaj krize është efektive. Çdo lëvizje, përfshirë bashkimin e Alpha Bank me Eurobank EFG, është një lëvizje mjaft pozitive e inkuadruar në strategjinë ndërkombëtare për krizën greke. Kjo në kuptimin që menaxhimi i bankave greke, situata e të ardhurave dhe shpenzimeve, situata e kapitaleve, situata e investimeve do të jetë pikësynimi kryesor i kësaj strategjie për të sjellë rezultate pozitive. Për sa i përket ndikimit në Shqipëri,  mendoj që sektori bankar shqiptar është solid; ai po shkon drejt një stabiliteti afatgjatë dhe është i gatshëm të japë kredi. Sikurse e kam theksuar dhe gjatë kohëve të fundit, problemi kryesor është ai i rritjes së kërkesës, ku gjatë muajit të kaluar u konstatuan përmirësime sidomos për sa i përket kërkesës së konsumatorëve të thjeshtë.  Situata e bashkimeve apo e rigrupimeve në formën e thithjes apo në forma të tjera të bankave greke, mendoj që është një situatë pozitive dhe duhet marrë si një ogur i mirë për menaxhimin afatmesëm dhe afatgjatë të kësaj krize. Sektori bankar shqiptar është i mirëkapitalizuar dhe i aftë të gjenerojë fitim.

Pyetje- Do të doja një koment tuajin në lidhje me deklaratat e fundit të shefes së Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi gjendjen e sistemit bankar në Evropë, e cila kërkoi ndërhyrje urgjente për të përballuar këto pasiguri të shtuara. Mendoni se ka vend edhe për një debat të tillë në Shqipëri?

Përgjigje-Situata botërore në lidhje me sistemin bankar, siç e kam theksuar dhe më parë, po shkon drejt një procesi riorganizimi dhe drejt një filozofie të re në qendër të së cilit është kujdesi. Kjo do të thotë që riorganizimi, krijimi i një kodi të ri bankar, nuk do të jetë vetëm një marrje masash afatshkurta për të dalë nga situata. Ai do të jetë një kod i ri, i cili do të shohë nga e ardhmja për të siguruar një stabilitet afatgjatë të sistemit bankar në kuadrin e zhvillimeve globale. Atë që kriza vuri në dukje është se sistemi bankar duhet të jetë i mirëorganizuar, i mirëkontrolluar dhe me një kod të ri etik, për të qenë solid në kuadrin global. Natyrisht kjo nuk është një lëvizje sporadike, një lëvizje që pritet të japë efektet e saj në një kohë afatshkurtër. Mendoj që është dakortësi politike ndërkombëtare e arritur në rrethanat e  ndryshimeve në tregje, në rrethanat e shfaqjes së aktorëve të rinj, në rrethanat kur një mori rreziqesh vazhdojnë të jenë të pranishëm. Megjithatë, njëkohësisht hasim dhe grupime të veçanta të vendeve të ndryshme, ashtu siç ka dhe lëvizje në rang vendesh të veçantë. Duke iu rikthyer vendit tonë, përderisa  politika shqiptare gjatë 20 viteve të fundit ka qenë mjaft ortodokse në drejtim të borxhit, në drejtim të deficitit buxhetor, në drejtim të inflacionit, në drejtim të zhvillimit dhe thellimit të tregjeve, në drejtim të kujdesit të stabilitetit financiar, unë do të thoja që këto janë arritje për një ekonomi të vogël, të hapur dhe me një kurs fleksibël këmbimi si ajo e Shqipërisë, e cila zhvillohet në kuadrin e  një ekonomie globale dhe me synimin për të qenë pjesë organike me vlera të shtuara jo vetëm për rajonin por për Evropën. Në këto kushte unë besoj që mbajtja nën kontroll e borxheve, mbajtja nën kontroll e deficitit buxhetor (vendimi i fundit për shkurtimin e shpenzimeve), mbajtja nën kontroll e inflacionit, mbajtja nën kontroll e sistemit bankar, e stabilitetit financiar duke pasur për bazë hapjen e Shqipërisë, liberalizimin e llogarisë kapitale, llogarisë korente dhe me një kurs fleksibël janë të gjitha kushtet që Shqipëria jo vetëm të gjenerojë rritje ekonomike por të jetë e gatshme për të përballuar sfidën e Evropës së bashkuar. Për sa i përket specifikisht sektorit bankar shqiptar, ai e tregoi gjatë periudhës së krizës dhe pas saj që është një sektor solid. Ai doli pa asnjë gërvishtje nga kriza dhe njëkohësisht duke dalë nga kjo vrimë e zezë e krizës botërore, ka akoma “pluhur nëpër rroba”, gjë që është normale. Kjo do të thotë se duhet të tregohemi të kujdesshëm në mbajtjen e parametrave të fiksuar, për të qenë konsekuent me politikat tona afatmesme, duke ndjekur  parimin kryesor që stabiliteti makroekonomik, stabiliteti financiar dhe stabiliteti fiskal janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me njëri- tjetrin.  Harmonizimi i mirë i këtyre politikave padiskutim do të sjellë Shqipërinë në një situatë të tillë, e cila do të jetë jo vetëm kontribuuese në rritjen ekonomike të vendit por njëkohësisht do të jetë një faktor stabiliteti për rajonin dhe më gjerë.

Pyetje: A do të ishit i gatshëm për një mandat të dytë në krye të Bankës Qendrore?

Përgjigje- Gjithsecili ka dëshirë t’i çojë sfidat e tij deri në fund. Një shprehje e madhe e një prej presidentëve më të suksesshëm amerikanë thotë se nuk ka limit në aktivitetin e një njeriu. E rëndësishme është që ajo që ai bën të shihet si një kontribut i shtuar, pavarësisht se kujt i shkon përfitimi. Në këtë kontekst, do të thoja që qëndrimi i Bankës së Shqipërisë, qëndrimi i imi personal si pjesë e rëndësishme e saj, komunikimi ynë i hapur, konsekuent dhe konsistent, jep një optimizëm të shtuar për t’i çuar sfidat tona deri në fund. Unë mendoj që Shqipëria, siç thashë dhe më parë, i ka të gjitha mundësitë që të jetë një vlerë e shtuar për Evropën, nesër. Le të japim të gjithë kontributin tonë në këtë drejtim.    

Pyetje- Fakti që qeveria ka marrë më shumë financim nga sistemi bankar gjatë kësaj periudhe a e ka penalizuar kreditimin ndaj biznesit dhe a keni ju një apel për ekzekutivin në këtë drejtim?

Përgjigje- Nuk më rezulton në asnjë rast kjo që thoni ju. Gjatë gjithë periudhës para dhe gjatë krizës, në ndryshim nga mjaft vende të tjera, duke patur një harmonizim të mirë të politikës fiskale me atë monetare, Shqipëria ka pasur vend për manovër dhe e ka treguar këtë duke mbajtur inflacionin në nivele të qëndrueshme dhe duke ankoruar prirjet inflacioniste. Sot, sfida jonë më e madhe është të gjenerojmë kërkesën, e cila ka shfaqur shenja të mira gjatë muajve të kaluar. Mendoj që duhet të japim kontributin tonë për të krijuar optimizmin e duhur në ekonomi për të rritur kërkesën  Rritja e saj do të transmetohet në rritje ekonomike.