BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, datë 31.10. 2012

Data e publikimit: 02.11.2012

 

Pyetje - Ngushtimi i hapësirave për stimuj fiskalë në shumicën e vendeve evropiane ka sjellë një trysni në rritje ndaj bankave qendrore, qoftë nga tregjet, qoftë nga qeveritë, për një sjellje monetare më agresive në drejtim të zgjerimit të stimujve monetarë. Duke qenë se edhe Shqipëria po hyn në një zonë të rritjes ekonomike të dobët dhe të borxhit publik të lartë, a ndieni të tilla presione mbi Bankën e Shqipërisë?

Përgjigje - Jo, të tilla presione nuk ndihen mbi Bankën e Shqipërisë. Përkundrazi, do të thoja që situata e 4-5 viteve të fundit të krizës ka forcuar pavarësinë, transparencën dhe llogaridhënien e Bankës së Shqipërisë. Natyrisht kjo ka shtuar përgjegjësinë e saj, si një pjesë e rëndësishme e shtetit, për të dhënë të gjithë stimujt e nevojshëm që do të garantonin një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë. Masat e marra nga Banka e Shqipërisë kanë bërë të mundur mbajtjen në kontroll të inflacionit, si dhe kanë siguruar stabilitetin financiar të vendit. E përkthyer në terma më konkretë, kjo do të thotë që ne kemi siguruar një sistem bankar të mirëkapitalizuar. Edhe gjatë krizës, ne kemi patur kujdes që kapitalizimi i sistemit bankar të ishe më i lartë sesa ai normave evropiane. Në qoftë se Evropa, sot dhe vitin e ardhshëm, do të luftojë për të rritur kapitalin rregullator të bankave në 9%  ne sot këtë tregues e kemi në nivelin 15.6% dhe do të vazhdojmë ta mbajmë të lartë . Kjo sepse Shqipëria është një vend i vogël, me ekonomi të hapur ndaj presioneve që mund të vijnë nga ekonomitë e mëdha, të cilat do të vazhdojnë edhe për një periudhë të ardhshme të përballen me efektet negative të krizës. Në këto kushte, kontributi më i madh që Banka e Shqipërisë mund të japë është garantimi i stabilitetit makrofinanciar të vendit. Për këtë qëllim Banka e Shqipërisë është e gatshme të bashkëpunojë pa hezitim, për të ruajtur nivelin e klasifikimit të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare. Kjo është shumë e rëndësishme në kushtet e ftesës për investime të huaja direkte, si çelësi i zhvillimit të ardhshëm të ekonomisë.

Si rezultat i masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve është mundësuar krijimi i një ambienti të qetë makrofinanciar, pa turbullira në sektorin bankar. Kjo është arritur pa pasur nevojën për të ndërhyrë me para publike në sektorin financiar sepse ai ka përmbushur detyrat e tij me kapital. Situata në Shqipëri nuk ka qenë e njëjtë me situatën e sistemit bankar ndërkombëtar, ku bankat qendrore dhe qeveritë kanë ndërhyrë me fonde publike për të shpëtuar sistemin bankar e financiar.

Banka e Shqipërisë ka forcuar mbikëqyrjen mbi sistemin bankar, ka furnizuar me likuiditetin e domosdoshëm tregun bankar dhe financiar dhe njëkohësisht ka ulur 5 herë radhazi normën bazë të interesit. Në sajë të këtyre masave, Banka e Shqipërisë ka krijuar ambientin e nevojshëm për të stimuluar sistemin bankar që të vazhdojë procesin e strukturimit të likuidimit të kolateraleve dhe njëkohësisht të nxitjes së kredisë së re, si domosdoshmëri për rritjen e shtuar ekonomike të vendit. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë shikon me mjaft interes zhvillimin e tregut të brendshëm dhe të jashtëm si dhe vlerëson se stimuli më i mirë që ajo mund të japë sot është sigurimi i të gjitha garancive që ekonomia shqiptare të jetë e balancuar edhe gjatë vitit të ardhshëm. Vit i cili është mjaft sfidues për ekonomitë e ndryshme të Eurozonës dhe Eurozonën në përgjithësi.

Pyetje-Kur thoni që sistemi bankar duhet të jetë më fleksibël në mbështetjen e sektorit privat keni parasysh dhe uljen e kostove të financimit?

Përgjigje- Politika e Bankës së  Shqipërisë është në kah lehtësues, por kryesorja për sistemin bankar dhe financiar sot është arritja e një negocimi dhe analizimi më të mirë i planeve të biznesit, në mënyrë që të rritet kreditimi. Banka e Shqipërisë ka dhënë të gjithë stimujt e nevojshëm, që kostot e sistemit të pagesave të jenë minimale. Siç u vlerësua edhe në raport, transmetimi i politikës monetare në kushtet e harmonizimit të politikës fiskale me atë monetare ka qenë i admirueshëm, kjo u vërtetua  në uljen e yield-eve të bonove të thesarit.

Pyetje - Ju folët për një nivel të ulët të konsumit. Pikërisht për të stimuluar këtë konsum Konfindustria ka kërkuar që të ulni edhe më shumë normën bazë të interesit. Përse nuk u pranua kjo kërkesë? Dhe së dyti, sa është niveli i kredive të këqija në vend?

Përgjigje - Norma bazë e interesit është vendim ekskluziv i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Për sa i përket nivelit të kredive me probleme, kjo shifër gjendet në raport.