BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit të datës 4 maj 2016

Data e publikimit: 04.05.2016

 

Pyetje: Banka e Shqipërisë ka qenë aktive për sa i përket politikave lehtësuese për të nxitur kreditimin, por ndërkohë nuk kemi një rritje të kredisë. Cilat janë arsyet, në fakt, që nuk kemi një rritje të kredisë dhe çfarë mbetet akoma për t'u bërë?

Guvernatori: Sikurse e theksuam, kemi një rritje të moderuar të kreditimit gjatë dy muajve të parë të vitit 2016, duke e zhveshur atë nga efekti i fshirjes së kredive të humbura. Po kështu edhe në vitin 2015 kredia është rritur. Më konkretisht, rritja e tepricës së kredisë ka qenë në nivelin prej 2.4%, (pa efektin e fshirjes së kredive) në fund të dy muajve të parë të vitit, krahasuar me rreth 1.8% në fund të vitit 2015. Pra doja të nënvizoja faktin që ne kemi rritje të kreditimit, sigurisht të lehtë, jo nivelin që dëshirojmë dhe që synojmë nëpërmjet politikës tonë monetare stimuluese.

Për të folur në terma absolutë, gjatë vitit 2015 sistemi bankar dhe financiar (mos harroni se sistemi bankar përbën mbi 95% të sistemit financiar), ka kredituar ekonominë shqiptare me mbi 1 miliard euro. Pavarësisht kësaj, për të mbështetur më mirë ekonominë në rrugën e saj për të kapur potencialin e vet, ne synojmë për më shumë kredi për ekonominë, në përputhje me parashikimet dhe objektivat tona për një rritje të qëndrueshme ekonomike. Ne synojmë të kemi një rritje të kreditimit, e cila të mos të jetë në përmasat e parakrizës. Pra nuk synojmë të kemi një rritje të kredisë në nivelet 20-30%. Ky aktivitet i lartë kreditimi do të krijonte problematika në cilësinë e portofolit të kredive. Për këtë arsye pa referuar shifra absolute, do të theksoja se një rritje vjetore në kufirin 5% deri në 10% do të ishte e pëlqyeshme dhe shumë e shëndetshme për rigjallërimin ekonomik.

Dua të ndalem edhe në një fakt tjetër të rëndësishëm. Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë është transmetuar dhe i ka dhënë efektet e saj në kreditim. Uljet e normës bazë të interesit nga ana e Bankës Qendrore kanë ndikuar dhe kjo është reflektuar dukshëm në rritjen e portofolit të kredisë në lekë. Kredia në lekë është rritur mbi nivelin 43% dhe trendi i ritmit të rritjes së portofolit të kredisë në lekë vazhdon. Pra kjo tregon që në kahun e kreditimit, politika monetare ka funksionuar dhe është transmetuar.

Ndërkohë edhe komponenti në valutë, si rezultat i politikës monetare të ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane, ofrohet me norma shumë të ulëta prej një periudhe relativisht të gjatë kohe. Pra, në kahun e ofertës, Banka e Shqipërisë ka përmbushur rolin e saj nëpërmjet adoptimit të një politike monetare stimuluese, transmetimit të kënaqshëm të kësaj politike dhe rritjes sasiore të komponentit të kredisë për ekonominë në monedhën kombëtare. Ajo që vlen të theksohet, lidhet me problemet e një natyre tjetër, të cilat do të zgjidhen dhe do të korrigjohen në kohë si pasojë e efekteve pozitive që do të japin reformat strukturore. Pa u gjallëruar dhe pa u përmirësuar klima e biznesit në ritme më të larta, natyrisht që ne do të hasim hezitim të agjentëve privatë dhe investitorëve për kreditim.

Në lidhje me vitin 2016, sikurse theksuam në raportin tonë të Politikës Monetare, ne presim përmirësim të kushteve të financimit. Bankat i kanë lehtësuar kushtet e kreditimit dhe kjo do të sjellë norma më të larta rritjeje të kreditimit, i cili do të ndikojë dhe në rritjen ekonomike të parashikuar për këtë vit.

Nga ana tjetër, përveç kreditimit, ne presim që të ketë edhe një rritje të investimeve të huaja gjatë vitit 2016. Sot, bëmë analizën dhe raportimin për tremujorin e parë të vitit 2016. Sigurisht që jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë jo vetëm të kreditimit, por të gjithë parametrave të tjerë makroekonomikë dhe monetarë.

Pyetje: Ulja e normës së interesit në mbledhjen e sotme të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ishte një vendim surprizë. Zoti Guvernator, ju thatë se rritja ekonomike nuk është në nivelet e parashikuara, por është më e ulët. A mund të na thoni se sa është më e ulët nga ajo që kishit parashikuar? Dhe kur deklaroni që politikat monetare duhet të shoqërohen me reforma strukturore, për cilat reforma bëhet fjalë, konkretisht një specifikim?

Guvernatori: E kemi theksuar edhe më parë, se ne kemi korrektuar parashikimin për nivelin e rritjes ekonomike për vitin 2016. Në qoftë se ju kujtohet, ne kishim parashikuar për vitin 2015 një rritje ekonomike në nivelin 3% dhe pastaj e korrektuam në vlerësimet tona pasardhëse. Po kështu dhe për këtë vit, rritja ekonomike ishte parashikuar në nivelin 3.5% dhe është korrektuar më vonë. Parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar së bashku me qeverinë shqiptare ishte për një rritje ekonomike rreth nivelit 3.4%. Ndërkohë, ne si Bankë Qendrore, duke qenë gjithmonë konservatorë në analizat tona në drejtim të rritjes ekonomike, kemi rishikuar parashikimin tonë për rritjen ekonomike në nivelin 3%, për vitin 2016.

Sigurisht që parashikimi mbetet parashikim dhe ne vazhdojmë në mënyrë konstante të analizojmë treguesit, muaj pas muaji, dhe tremujor pas tremujori. Unë do të doja të theksoja që pavarësisht korrektimit të rritjes ekonomike, e rëndësishme është që trendi apo hapi i ritmit të rritjes ekonomike është në rritje të vazhdueshme, nga 2% në 2.6%, në 3% dhe kështu në vazhdim. Sikurse theksova dhe në deklaratën e politikës monetare presim që ekonomia të kthehet në ekuilibër gjatë vitit 2017 dhe inflacioni të arrijë objektivin rreth fundit të vitit 2018. Në rast se ne do të ecim me këto parashikime, pavarësisht luhatjeve të momentit në përqindjet e rritjes ekonomike, unë do të vlerësoja se ekonomia është në një trajektore pozitive zhvillimi. Pra, pavarësisht nëse shifra do të jetë 2.8% apo 3%, është shumë e rëndësishme që kemi një trend pozitiv të rritjes ekonomike. Gjithsesi duhet të jemi të ndërgjegjshëm që ka elementë dhe faktorë autonomë, të jashtëm dhe të brendshëm, që ndikojnë treguesit kryesorë ekonomikë. Për shembull, inflacioni i ulët i muajve shkurt dhe mars, vlerësohet të ketë ardhur kryesisht nga goditjet e ofertës, si pasojë e rënies së çmimit të naftës dhe produkteve bujqësore dhe ushqimore në tregjet ndërkombëtare.

Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 4 maj 2016