BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës së përbashkët për shtyp të Guvernatorit Sejko me Shefen e Misionit të FMN-së dhe Ministrin e Financave dhe Ekonomisë

Data e publikimit: 27.10.2023

 

Pyetje: Banka e Shqipërisë është këshilltar ligjor i qeverisë shqiptare. Cili është rekomandimi apo këshillimi që i keni bërë qeverisë shqiptare që lidhet pikërisht me këtë politikë mbi presionet e kostos së jetesës nëpërmjet politikave fiskale por sidomos për shtresat e varfra që preken nga këto politika?

Guvernatori: Lidhur me rolin që Banka e Shqipërisë ka si këshilltar i qeverisë, në radhë të parë ne e kemi këshilluar në mënyrë zyrtare dhe publike vazhdimisht Qeverinë e Republikës së Shqipërisë në kuadrin e politikave makro, pasi treguesit makro janë ato që ne si bankë qendrore shikojmë në këndvështrimin tonë. Politika fiskale është atribut direkt i qeverisë shqiptare, ndërsa politika monetare është atribut i bankës qendrore. Lidhur me politikën fiskale vazhdimisht ne kemi komunikuar dhe rakorduar me Ministrinë e Financave dhe kemi dhënë para Parlamentit të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Ekonomisë dhe Financave rekomandime që kanë të bëjnë me uljen e nivelit të borxhit publik, pa hyrë në detaje të politikës fiskale që nuk është atributi ynë.

Ndërkohë, vetë banka qendrore ka ndërmarrë iniciativa lidhur me shtresat në nevojë të cilat lidhen kryesisht me objektivat e saj të përfshirjes financiare dhe edukimit financiar. Në këtë kuadër, ka pasur një fokus të vazhdueshëm sikurse përmenda dhe gjatë fjalës time në strategjinë e edukimit financiar dhe përfshirjen financiare. Këto nuk janë vetëm teorike, janë veprime konkrete ku ne kërkojmë që popullata të jetë sa më e përfshirë në banka, pasi sa më e lartë të jetë përfshirja në banking sipas studimeve të Bankës Botërore dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare, aq më shumë ulet dhe pabarazia shoqërore nëpërmjet përfitimeve që merr popullata nëpërmjet produkteve dhe shërbimeve financiare.

Më konkretisht, para një viti kemi implementuar një sistem pagesash në euro brenda Republikës së Shqipërisë duke përdorur kapacitetet tona njëlloj sikurse kemi bërë për lekun. Ky sistem që në vitin e parë ka sjellë mbi 10 milionë euro kursime dhe ky vit do të tregojë shifra dhe me të larta në kursim të drejtpërdrejtë jo vetëm të shtresave në nevojë por dhe të agjentëve dhe të bizneseve. Njëkohësisht, dua të përmend dhe ligjin e fundit për llogarinë bazike që qeveria shqiptare sapo e kaloi me propozimin tonë dhe do të miratohet së shpejti në parlament. Ky ligj është i dedikuar për shtresat në nevojë dhe vulnerabël, për pjesën e popullsisë me të ardhura më të ulta të cilat do të kenë mundësi të kenë llogari bankare dhe produkte bankare me kosto zero. Ky është një hap tjetër shumë i rëndësishëm në këtë drejtim.

Lidhur me këshillimin, opinioni i bankës qendrore jepet vazhdimisht çdo vit përpara përgatitjes së buxhetit në Ministrinë e Financave me shkrim dhe publikisht në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Ndërkohë më në detaje, politika fiskale është atribut absolut i qeverisë shqiptare.

Pyetje: A është kursi aktual i këmbimit një normalitet i ri?

Guvernatori: Në një regjim të lirë të kursit të këmbimit askush nuk mund të thotë se cili është kursi, dhe si do të jetë kursi. Kursin e përcakton kërkesa dhe oferta në treg. Ajo që mund të themi dhe që kemi parë është që forcimi i kursit të këmbimit duke filluar që nga viti 2015, por konkretisht më shumë që nga viti 2018, ka ardhur në linjë me rritjen ekonomike dhe me zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Pra ka qenë në linjë me fondamentet.

Edhe mbiçmimi i fortë i kursit të këmbimit në këtë vit, ka qenë një mbiçmim i fortë por ky mbiçmim ka filluar po të kthehemi pak në kohë që nga viti 2018, i cili është gjithashtu në linjë me fondamentet. Po të shohim të dhënat e bilancit të pagesave, tregojnë qartazi hyrjet në tregun valutor dhe tepricat valutore që vjen pikërisht nga këto kanale që unë i kam theksuar, pa hyrë në detaje.

Natyrisht që ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet dhe të zhvillohet, dhe ne shpresojmë që kjo të ndodhë. Pra ne për këtë punojmë, jo vetëm shpresojmë po punojmë, dhe lodhemi që të zbatojmë gjithë reformat strukturore në funksion të një rritjeje dhe zhvillimi të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare. Atëherë sigurisht që dhe kursi i këmbimit teorikisht lidhur me fondamentet mund të vijojë të jetë në këto nivele ose më i fortë.

Por kursi i këmbimit është kaq kompleks dhe i ndikuar nga shumë faktorë; nuk ndikohet vetëm nga tregjet e brendshme por dhe nga tregjet e jashtme. Dhe të gjithë këta faktorë kaq kompleksë nuk mund ti parashikosh dot dhe nuk mund të thuash që është një normalitet i ri ose jo.

Në bazë të fondamenteve, rritja e ekonomisë shqiptare si parimisht ashtu dhe teorikisht pritet të sjellë një kurs të fortë këmbimi.Por konkretisht nuk mund të përjashtohen asnjëherë faktorët e tjerë që ndikojnë në kursin e këmbimit, që vijnë nga tregjet ndërkombëtare. Ne kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit, ky është një tregues i tregut që bazohet në kërkesën dhe ofertën dhe nuk mund ta përcaktojmë dot konkretisht se do të keqorientonim tregun dhe sikur. Do bënim gabim teorik dhe praktik nëse do të thonim konkretisht këtë gjë.