BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje – përgjigjet e konferencës për shtyp, 20 dhjetor 2023

Data e publikimit: 20.12.2023

 

Pyetje: Ju i përmendët pak arsyet e mbivlerësimit të lekut, por doja të dija nëse keni një plan për vitin e ardhshëm. Nëse Banka e Shqipërisë do të vijojë me  ndërhyrje apo blerje të eurove në treg për efekt të rezervës valutore siç ndodhi gjatë këtij viti?

Guvernatori: Në lidhje me planin e ndërhyrjeve, ne kemi miratuar kalendarin e ndërhyrjeve në treg ose më mirë kalendarin e blerjeve të eurove në treg për vitin e ardhshëm dhe ky kalendar është publikuar.

Banka e Shqipërisë ka rishikuar kalendarin gjithmonë në funksion të krijimit të rezervës valutore bazuar në një metodologji të ndërtuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, bazuar në rreziqet bashkëkohore. Parashikojmë të kemi një rezervë valutore në vitin 2026, përafërsisht në nivelin e 7.4 miliardë euro. Kjo ka bërë që ne të rrisim parashikimet për blerje për 3 vitet e ardhshme dhe në këtë kontekst, për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, në vitin 2024 kemi parashikuar rritjen e blerjeve në tregun financiar në funksion të shtimit të rezervës valutore mos gaboj me një interval midis 270 dhe 330 milionë euro, në mesatare por mund të jetë edhe 290-300 milionë euro në vit.

vendosje kartmonedhat screen konf 498

Në vitet e ardhshme ne do të tërheqim nga tregu i brendshëm më shumë euro se çfarë kishim parashikuar më parë dhe kjo në funksion të shtimit të rezervës valutore. Kalendari i ankandeve është i publikuar, tregu nuk ka surpriza, sistemi financiar, bankat, agjentët që operojnë në tregun e këmbimit valutor nuk kanë surpriza pasi ne e publikojmë kalendarin. Në rast se kemi ndryshime të kalendarit gjatë vitit edhe këto publikohen dhe komunikohen.

Blerjet faktike në tregun valutor publikohen me tre muaj vonesë për transparencë, në mënyrë që të mos krijojmë efekte spekulative. Kjo është mënyra se si operon Banka e Shqipërisë. Ndërhyrjet në tregun valutor bëhen sipas kërkesave tona rregullative, ndërhyrje që lidhen me spekulime, me luhatje të panatyrshme në tregun valutor dhe që janë të përcaktuara në rregulloret e Bankës së Shqipërisë. Banka i ka ushtruar ndërhyrjet në përputhje strikt me rregulloren e saj, jo vetëm sot por gjatë gjithë historisë së tre dekadave.

Mbiçmimi i fundit në tregun valutor është pasojë e kërkesë ofertës, dhe jo vetëm bilanci i pagesave tregon qartësisht shifrat e të hyrave nga të gjitha burimet, që të mos i përsëris pasi unë i thashë fjalën time, por njëkohësisht dhe spread-et në tregun valutor kanë qenë normale dhe nuk kanë kërkuar ndërhyrje nga Banka e Shqipërisë jashtë kalendarit të saj.

Ne do ta monitorojmë strikt tregun e këmbimit valutor. Banka e Shqipërisë nuk ka një objektiv të kursit të këmbimit, po e përsëris prapë pavarësisht se e kemi përsëritur shumë herë në të shkuarën, sepse është mirë që të ngulitet në mendjen e agjentëve financiarë dhe tregut valutor që ne nuk kemi një kurs këmbimit të synuar.

Kursin e këmbimit sipas regjimit të tregut të lirë e përcakton tregu, pra kërkesë oferta dhe ndërhyrjet tona bëhen në ato raste kur ne shikojmë që plotësohen ato kritere dhe parametra të rregulloreve tona dhe nuk bëhen në funksion të grupeve të caktuara të interesit por në funksion të objektivave kryesorë të Bankës së Shqipërisë, që janë stabiliteti i çmimeve dhe stabiliteti financiar.

Për kursin e këmbimit unë kam folur shumë gjatë. Nëse ju keni pyetje specifike ne do të jemi gjithmonë të gatshëm t’ju sqarojmë të gjitha detajet me përjashtim të atyre që e kemi të kufizuar sipas rregullores, pra ne i bëjmë publike ndërhyrjet dhe blerjet 3 muaj më vonë pasi kanë ndodhur. Pra asgjë nuk është sekret në raport me aktivitetin e Bankës së Shqipërisë në lidhje me kursin e këmbimit, gjithçka është transparente. Ky është parimi sesi operon Banka e Shqipërisë në një regjim të lirë të kursit të këmbimit.

Pyetje: Disa kartëmonedha të cilat dalin nga qarkullimi në 31 dhjetor cilat janë ato dhe a do të kemi të tjera prerje në të ardhmen?

Guvernatori: Ju falënderoj për pyetjen sepse, pavarësisht se ne e kemi komunikuar disa herë afatin e grumbullimit për disa kartëmonedha që janë hequr nga qarkullimi, ka pasur një konfuzion lidhur me këtë cështje sidomos në disa shtresa të popullatës, pjesa e pensionistëve ose ndoshta dhe në zonat rurale. Kjo mund të ketë ardhur ndoshta dhe nga disa pamje televizive që nuk kanë përkuar me ato të kartëmonedhave të cilat dalin nga qarkullimi. Në fakt, ne flasim për ato kartëmonedha, pjesë e emisionit të vitit 1992 deri në vitin 1996, që kanë dalë tashmë nga qarkullimi

Këto kartëmonedha janë paraqitur dhe më lart në ekran dhe ftoj kamerat që ti fokusojnë.

Pavarësisht se janë komunikuar gjatë këtyre ditëve, shfrytëzojmë rastin e kësaj konference për shtyp për t’i bërë dhe njëherë publike. Këto kartëmonedha kanë dalë nga qarkullimi rreth 12-15 vjet më parë, pra nuk kanë më kurs ligjor në treg. Ato prej shumë vitesh nuk mund të përdoren për blerje dhe ajo që Banka e Shqipërisë ka bërë së fundi është një rikujtesë e afatit të grumbullimit përfundimtar dhe dhënies mundësi individëve që, nëse mund të kenë të tilla të mbartura, ti këmbejnër me kartëmonedha me kurs ligjor. Pra nuk është një informacion i ri.

E kemi thënë në mënyrë të vazhdueshme, këto kartëmonedha janë të vjetra dhe shumë pak ka në qarkullim. Dhe fakti është që gjatë këtij viti shumë pak prerje janë dorëzuar pranë bankave të nivelit të dytë. Por ata qytetarë që mund të kenë akoma kartëmonedha të mbetura të këtyre serive nga viti 1992-1996 ndonëse që nuk mund t’i përdorin në treg për blerje, deri më datë 31 dhjetor mund të shkojnë në bankat e nivelit të dytë dhe ti këmbejnë me kartëmonedhat që janë me kurs ligjor, pra që janë në përdorim. Në të kundërt, pas datës 31 dhjetor, nëse dikush do të ketë kartëmonedha të këtyre serive mund t’i mbajë për kujtim si vlerë numizmatike, por nuk do të jetë më në gjendje t’i këmbejë me kartëmonedha me vlerë reale me kurs ligjor.

Ne e kemi komunikuar në shume emisione televizive dhe sërish ju falënderoj për pyetjen që ne ti komunikojmë dhe njëherë se cilat janë dhe publiku ti shohë qartësisht në ekran dhe ti krahasojë me ato që mund ti ketë të mbetura në shtëpi.