BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje – përgjigjet e konferencës për shtyp, 21 dhjetor 2022

Data e publikimit: 22.12.2022

 

Pyetje: Ndodhemi në kushtet që inflacioni mund të mos e ketë arritur kulmin e tij, pasi jemi në fundvit dhe historiku ka treguar që norma e inflacionit mund të rritet dhe më tej, ecuri që mund të shoqërohej potencialisht dhe me rritje të normës bazë të interesit për lekun. Ju e thatë më herët që  janë bërë 5 rritje që e kanë çuar në 2.75% normën bazë të interesit për lekun. A janë pjekur kushtet që përveçse lëvizjeve në kahun e politikës monetare -  sigurisht e vetmja levë e Bankës së Shqipërisë - të ketë dhe lëvizje të tjera në kahun e politikës fiskale? Nuk e di nëse ka ndonjë iniciativë mes Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve si Ministria e Financave apo institucione të tjera të linjës...

Guvernatori: Politika fiskale është atribut i qeverisë, ndërsa politika monetare është atribut dhe detyrim ligjor i Bankës së Shqipërisë. Sikurse e theksova edhe në deklaratën për shtyp, ne kemi ndjekur një ndryshim të kursit të politikës monetare, siç kanë bërë të gjitha bankat qendrore në mbarë botën, si pasojë e inflacionit të lartë. Pritshmëritë për inflacionin e lartë kanë qenë të pranishme që vitin e kaluar, pra që në vitin 2021, pa nisur lufta midis Rusisë dhe Ukrainës. Ka pasur sinjale dhe ne e kemi theksuar këtë fakt në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrjes në atë kohë që po përgatiteshim për të reaguar me ndryshim të kahut të qëndrimit të politikës monetare. Por, fillimi i luftës në Ukrainë përshpejtoi rritjen e inflacionit dhe si rrjedhojë përshpejtoi vendimmarrjen, si dhe shpejtësinë e rritjes së normave të interesit nga bankat qendrore.

Theksohet kudo që shpejtësia e normalizimit të politikës monetare është “data driven”, d.m.th. e bazuar në të dhënat e reja të inflacionit dhe të rritjes ekonomike. Bankat qendrore janë kujdesur kudo që të frenojnë rritjen e inflacionit, pasi ky është objektivi i tyre kryesor: ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Kjo vendimmarrje dhe ky instrument kryesor i bankës qendrore është përdorur duke parë me shumë vëmendje paralelisht edhe ndikimin që ka në frenimin e aktivitetit ekonomik.

Meqenëse muajin e fundit, norma e inflacionit erdhi në rënie në Eurozonë dhe në Shqipëri, kjo është dhe një nga arsyet kryesore që ne sot morëm vendimin për të mos rritur normën bazë të interesit, pas disa rritjeve me radhë. Siç e theksuam, vendimmarrja e politikës monetare do të jetë e bazuar në të dhënat e reja dhe normalizimi do të jetë i rakorduar me ecurinë e inflacionit dhe ecurinë e rritjes ekonomike.

Lidhur me politikën fiskale, banka qendrore ka dhënë opinionin e saj lidhur me nevojën për konsolidim fiskal para Parlamentit, i cili është institucioni ku ne raportojmë. Vetë Ministria e Financave e ka pranuar se duhet të kemi një konsolidim të politikës fiskale, pra një ulje të nivelit të borxhit dhe sigurisht që po shkohet drejt kësaj uljeje. Niveli i borxhit ka ardhur në rënie dhe ka një objektiv konkret për të, i cili është komunikuar nga Qeveria dhe Ministria e Financave.

Sigurisht që dhe ne kemi bërë thirrje për uljen e nivelit të borxhit, por brenda këtij menaxhimi fiskal duhen pasur parasysh gjithë elementet për të trajtuar goditjet e inflacionit, duke mos frenuar rritjen ekonomike nga njëra anë, dhe nga ana tjetër për të ndihmuar shtresat në nevojë me paketa ose masa të tjera siç janë rritja e pagave, pensioneve ose paketave ndihmëse, të cilat qeveria i ka komunikuar. Pra, harmonizimi i politikës monetare me politikën fiskale ka qenë gjithmonë, në të gjithë kohërat, në të gjithë krizat.

Dikur ne kishim një politikë monetare lehtësuese, akomoduese quhej, dhe nga ana tjetër qeveria kishte një politikë fiskale konsoliduese për uljen e nivelit të borxhit. Sot që kemi ndryshimin e kahut të inflacionit, pra nuk jemi më në një situatë dezinflacioniste por në një situatë inflacioniste, kemi ndryshuar dhe kahun e politikës monetare, por akoma akomoduese. Kështu quhet sepse në realitetin shqiptar, akoma politika jonë nuk ka arritur në nivele shtrënguese dhe normat e interesit nuk kanë dalë mbi 4 ose 5% de facto. Ndërkohë, politikat do duhet të mbeten akomoduese duke pasur parasysh këto elemente që përmenda më lart: ndihmën e shtresave në nevojë dhe vazhdimin e rritjes ekonomike të vendit. Ky është pak a shumë harmonizimi i politikës fiskale-monetare dhe strategjitë që ne kemi si institucione, si Bankë e Shqipërisë dhe Ministri e Financave dhe Ekonomisë.