BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje – përgjigjet e konferencës për shtyp, 23 mars 2022

Data e publikimit: 23.03.2022

 

Pyetje: Në rast se situata me çmimet vijon të jetë përsëri problematike si pasojë e konfliktit që ne nuk e dimë se sa do të zgjasë, a ka Banka e Shqipërisë alternativa të tjera për të ndërhyrë apo për të marrë masa për të pasur stabilitet çmimesh në vend përveç rritjes së normës së interesit?

Guvernatori: Objektivi kryesor që ka Banka e Shqipërisë me ligj është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe instrumenti kryesor që Banka e Shqipërisë përdor në këtë drejtim është norma bazë e interesit. Norma bazë e interesit aplikohet mbi monedhën kombëtare dhe transmetimi i politikës monetare duhet theksuar që është gradual, pra nuk është i menjëhershëm, kërkon 2 deri në 3 tremujorë dhe më shumë që të reflektohet në nivelin e çmimeve.

Natyrisht që Banka e Shqipërisë ka dhe instrumente të tjerë përveç këtij instrumenti kryesor që janë të gjithë elementët e tjerë që kanë të bëjnë si me masat mikro dhe makro prudenciale që aplikohen për stabilitetin financiar, pra mbi sistemin financiar dhe mbi sistemin bankar. Po ashtu dhe masa që lidhen me situatën e likuiditetit, pra me furnizimin e tregut me likuiditet sipas situatave të caktuara financiare.

Këto janë situata krize që janë specifike dhe kanë tiparet e tyre. Natyrisht që ne kaluam një situate krize të vështirë që ishte periudha e pandemisë dhe ajo situatë krize kërkonte një politikë monetare lehtësuese, pra një ulje të normës së interesit deri në nivelin minimal historik.

Tani situata ndryshoi, jemi në një situatë krize që vjen nga konflikti ushtarak në Ukrainë dhe përballemi me të kundërtën, me rritje të çmimeve dhe nevojitet një qëndrim i ndryshëm i politikës monetare. Ky është një qëndrim i politikës monetare që po mbajnë shumica e bankave qendrore sot në Eurozonë, por edhe në botë, edhe Rezerva Federale, edhe bankat e tjera qendrore.

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të punojë për objektivin e stabilitetit të çmimeve. Dua të theksoj që me gjithë limitet dhe kufizimet që ne kemi pasur nga niveli i lartë i euroizimit në ekonominë shqiptare, transmetimi i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë ka qenë i mirë, ka qenë shumë i mirë me këtë nivel kufizimi pasi ne kemi pasur rritje të konsumit, të investimeve, rritje të ekonomisë dhe rritje të kreditimit në monedhën kombëtare.

Pyetje: A ka pasur ndërhyrje nga Banka e Shqipërisë në treg kur ka patur luhatjet në fillim të këtij muaji në kursin e këmbimit, kur euro në disa pika këmbehej deri në 128 lekë?

Guvernatori: Sjellja e kursit të këmbimit në këtë moment shfaqi të njëjtën sjellje si në fillimin e krizës së pandemisë. Nqs ju kujtohet, para dy vjetëve, sapo filloi goditja nga kriza e pandemisë, ne patëm një zhvlerësim të monedhës kombëtare dhe Banka e Shqipërisë bëri ndërhyrjen e saj në atë moment. E njëjta gjë ka ndodhur edhe kësaj radhe. Për disa ditë ne vumë re që kursi i këmbimit pati zhvlerësim.

Duhet të theksoj se ne respektojmë regjimin e lirë të kursit të këmbimit dhe nuk kemi objektiv të përcaktuar të tij. Duke pasur një regjim të lirë të kursit të këmbimit, ne ndërhyjmë vetëm në raste specifike, të përcaktuara qartësisht me rregullore.

Dhe këto raste janë: kur kursi ka sjellje të çuditshme, pra kur ka sjellje spekulative, kur hapen spread-et; dhe më konkretisht ne ishim në këtë situatë kur kursi i këmbimit kishte një sjellje të çuditshme me spread-e shumë të gjera që vinin si pasojë e goditjes së faktorit psikologjik dhe pritshmërive të larta të agjentëve ekonomikë për rritje të çmimeve të importit të energjisë dhe naftës dhe gjithë produkteve të tjera të importit, por kjo nuk përfaqësonte një situatë reale të kërkesës dhe ofertës për valutë në treg.

Atëherë, Banka e Shqipërisë ndërhyri për 2-3 ditë dhe kursi u stabilizua. Fakti që kursi u stabilizua pas ndërhyrjes së Bankës vërtetoi që sjellja e kursit ishte si pasojë e efekteve psikologjike, dhe jo e faktorit kërkesë-ofertë.

Gjithsesi, duhet të theksoj, se ne ndërhyjmë vetëm për raste specifike në kursin e këmbimit. Nqs kursi i këmbimit do të nënçmohej ose mbiçmohej si pasojë e një realiteti të ri ekonomik, Banka e Shqipërisë nuk do të ndërhynte, sepse siç e thashë ndërhyrjet në kursin e këmbimit janë të specifikuara, bëhen në raste shumë të veçanta kur goditet objektivi i inflacionit, stabilitetit financiar, për rritjen e rezervës valutore, ose kur kemi sjellje të çuditshme nga faktorët psikologjikë.

Në ditët aktuale, ne shohim që kursi vijon të mbetet i stabilizuar. Do të monitorojmë si do të sillet ekonomia, si do të jenë tregjet, sa do jetë kohëzgjatja e konfliktit dhe niveli i goditjes së konfliktit nga tregjet ndërkombëtare në ekonominë shqiptare.

Edhe vendimmarrja e sotme e Bankës së Shqipërisë ose bankave qendrore në përgjithësi, për rritjen e normës së interesit ka një lidhje korrelative me nivelin e kursit të këmbimit. Mosreagimi i bankave qendrore nëpërmjet normës bazë të interesit do të ndikonte në zhvlerësimin e kursit të këmbimit.