BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp 3 shkurt 2021

Data e publikimit: 03.02.2021

 

Pyetje: Nisur nga fakti që sektori bankar mbajti një pjesë të mirë të barrës dhe është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, duke cituar disa nga fjalët tuaja, ka një nisëm të Bankës së Shqipërisë që është përqafuar edhe nga Shoqata e Bankave, që lidhet me uljen e parasë cash në ekonomi, që lidhet me rritjen e tregtisë elektronike, çka dhe pandemia na tregoi që janë thelbësore.

Pyetja ime, meqë jemi në një realitet të ri, nga momenti që ka nisur kjo fushatë, a ka vend për masa të tjera? A është gati Shqipëria dhe shqiptarët për masa të tjera?

Guvernatori: Patjetër, lufta kundër parasë cash, përpjekjet kundër parasë cash në ekonomi kanë qenë përpjekje të hershme nga banka qendrore dhe nga autoritetet të tjera ligjzbatuese. Veçanërisht gjatë situatës së pandemisë, përpjekjet për të luftuar paranë cash kanë marrë fokus të veçantë. Banka e Shqipërisë ka miratuar vitin e kaluar një ligj për shërbimin e pagesave i cili ka një sërë masash që lidhen edhe me përfshirjen financiare dhe edukimin financiar. Këto lidhen si me luftën kundër përdorimit të parasë cash, pra futjes së parasë cash në sistemin bankar, por paralelisht shkojnë edhe në funksion të modernizimit të sistemit të pagesave. Pra, nga njëra anë duhet një edukim i mirë financiar dhe një rritje e përfshirjes financiare të popullatës në mënyrë që paraja të depozitohet në banka, sepse jo vetëm që është më e sigurt, por shërben më mirë dhe ka edhe produkte dhe oferta më të mira bankare, që shkojnë edhe në drejtim të zbutjes së pabarazisë dhe shumë avantazhe të tjera.

Por nga ana tjetër, kjo arrihet nëpërmjet një modernizimi të sistemit të pagesave. Në këtë kontekst, ne kemi marrë shumë masa, kemi bërë disa lëvizje dhe kemi në plan për të marrë edhe masa të tjera. Gjatë periudhës së pandemisë, heqja e komisioneve ose ndryshimet rregullative duke hequr komisionet e bankave të nivelit të dytë për transfertat elektronike, në mënyrë indirekte kanë patur ndikimin e tyre.

Gjatë këtij viti, po punojmë për të bërë klerimin e pagesave në monedhë të huaj, në euro, brenda vendit, për t’i kryer ato me sistemet e Bankës së Shqipërisë dhe shmangur bankat korrespondente. Kjo do të sillte një rritje të shpejtësisë në kohën e kryerjes së pagesave në valutë të huaj, njëlloj si në lek, por do të sillte edhe një ulje të komisioneve për popullatën.

Gjithashtu, në zbatim të ligjit të ri që kemi për shërbimet e pagesave, ne kemi në plan për të bërë disa zhvillime për mobilizimin e sistemit të pagesave, siç do të jetë një platformë unifikuese kombëtare për të gjithë sistemin bankar, për kryerjen e të gjitha pagesave elektronike dhe atyre me kartë. Ky është një zhvillim serioz i cili do të kërkojë kohën e tij, por ne kemi filluar të mendojmë dhe po punojmë për këtë zhvillim.

Ndërkohë, edhe ligji i ri i miratuar dhe i përgatitur në bashkëpunim me Bankën Botërore ka krijuar hapësira për të zhvilluar tregun drejt modernizimit të sistemit të pagesave. Pa diskutim që futja e parasë cash në sistemin bankar është një sfidë që shkon edhe në drejtim të formalizimit të ekonomisë, është një nga sfidat tona kryesore për të cilat ne po punojmë.

 

Pyetje: Më lejoni një pyetje të dytë. Nisem përsëri nga një prej fushatave dhe politikave tuaja: Deeurozimin. Ka nisur, ka disa vite. Ka ndikuar. Është rritur kredia në lekë. Efektin e ka bërë. Por, ka ende disa sektorë në ekonominë shqiptare, këtu po citoj, atë imobiliar, për shembull, që preferon monedhën e huaj, dhe më respektivisht, cash, euro. A mund të vazhdojmë më shumë por, në mënyrë që të transmetohet politika monetare edhe leku të jetë i pari në transaksionet tona? Faleminderit!

Guvernatori: Deeuroizimi është një projekt i nisur nga ne. E kemi diskutuar dhe bashkë, por dhe me të gjithë kolegët e tjerë në media. Kjo politikë ka dy qëllime kryesore që po i përsëris, pasi mendoj që është më mirë të ripërsëriten: 1. Deeurozimi rrit transmetimin e politikës monetare, pasi politika jonë monetare ushtrohet vetëm mbi monedhën vendase, pra mbi lekun. Politika monetare ka për qëllim stimulimin e investimeve, konsumit dhe të kreditimit. Të tri këta elementë ndikojnë në rritjen e mirëqenies së popullatës. Pra ne kërkojmë që të rritet transmetimi i politikës monetare, për t’u rritur ekonomia. Ky është qëllimi. Ky është një instrument. Instrumenti bazë i bankës qendrore. Lufta kundër euroizimit, pra deeuroizimi na ndihmon në këtë drejtim, pra ndihmon bankën qendrore në këtë drejtim. 2. Paralelisht, me të, deeuroizimi ndikon dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar, pra në ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar, mbrojtjes së depozitave të depozituesve, të klientëve të bankave. Kjo sepse një pjesë e mirë e bizneseve dhe individëve kanë ekspozime, kanë kredi në euro, ndërsa të ardhurat e tyre i kanë në monedhën vendase, pra i kanë në lekë. Rreth 1/2 e portofolit total të kredive bankare, individë dhe biznese, është në monedhë të huaj, kryesisht në euro. Duke qenë se këta klientë i gjenerojnë të ardhurat në lekë, ata janë të ekspozuar ndaj kursit të këmbimit, duke pasur parasysh që ne kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit në Republikën e Shqipërisë. Në rast të zhvlerësimit të monedhës kombëtare, natyrisht që të gjithë këta klientë do të ishin të ekspozuar ndaj rrezikut të mospagimit të kredisë. Jo vetëm që ata do të kishin falimentim apo probleme serioze në bizneset e tyre, por dhe sistemi bankar do të përballej me një rrezik serioz, që është rreziku i kursit të këmbimit.

Pikërisht, për këto arsye ne e kemi promovuar ose kemi punuar për rritjen e transparencës dhe edukimit financiar të klientëve, qoftë në rastin e kredimarrësve ashtu dhe të depozituesve, por në rastin konkret të kredimarrësve, që kur të ardhurat i kanë në një monedhë të caktuar, ose kur të ardhurat i kanë në monedhën vendase, kredinë ta marrin në monedhën vendase, sepse shmangin këtë lloj rreziku, dhe për më tepër që politika jonë monetare lehtësuese është në nivelet minimale historike, pra nuk ka diferenca në normat e interesit. Për sa kohë që nuk humbet nga normat e interesit, përkundrazi mund të jenë në nivele të njëjta me euron, atëherë përse duhet marrë kjo kredi në monedhë të huaj?!.

Në këtë kontekst ne kemi rezultate pozitive, që kur ka filluar procesi për deeuroizimin (nëse mund ta quajmë kështu), kemi një rënie të lehtë, sidomos në drejtim të kredisë kemi një efekt shumë pozitiv. Pra, është edukuar tregu. Po ashtu në drejtim të depozitave. Vetëm këtë vit ne kemi më shumë se 1% rënie në nivelin e kredive dhe depozitave në euro, por sidomos të kredive. Sigurisht që duhet vazhduar puna. Është e drejtë ajo që ju thatë: nuk ka pse të kuotohen në mënyrë të panevojshme çmimet e disa produkteve, sidomos produkteve me vlerë të madhe, të industrisë së automobilave, të pasurive të paluajtshme në euro. Këto produkte mund të kuotohen shumë mirë në monedhën vendase. Por kemi dhe produkte në vlerë më të vogël. Shohim dyqane që kuotojnë në euro. Nuk ka arsye. Për sa kohë që monedha jonë kombëtare është leku, natyrisht që çmimet e produkteve duhet të kuotohen në lek. Kjo është e përcaktuar dhe me ligj. Pra, nuk ka pse të tolerohet, ose nuk ka pse të përdoret euro si mjet pagese në mënyrë të panevojshme. Euro mund të konvertohet. Ne kemi mjaftueshëm banka dhe zyra këmbimi ku mund të konvertohen. Po të shohim në të gjithë shtetet, qoftë në rajon, por dhe më gjerë, kur kanë monedhën e tyre, natyrisht që përdorin monedhën e tyre. Pra nuk ta pranojnë blerjen apo shitjen në monedhë të huaj. Pra e njëjta gjë duhet të ndodhë dhe këtu. Qëllimet unë i shpjegova dhe arsyet pse. Natyrisht që ka vend dhe hapësirë për të punuar më tej, por që do të diskutohet në mbledhjen e radhës së Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, së bashku me Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, dhe me institucionet e tjera se si do të vazhdojë ky proces. Është një proces gradual. Sigurisht, e theksoj, nuk synojmë të heqim euron, “të zhdukim” euron nga tregu. Por, të mbajmë në ato parametra të cilat ne i kemi si objektiv për arsyet e përmendura më lart.

 

Pyetje: Sa parashikohet që të rritet numri i kredive të këqija ?

Guvernatori: E kemi theksuar që kreditë e këqija si pasojë e pandemisë janë parashikuar të vijnë në rritje. Për fat të mirë ky tregues nuk u rrit në vitin 2020. Siç e përmenda dhe në deklaratë niveli i tyre ishte 8.1 %. Ky është një tregues pozitiv,  ashtu siç ishte edhe rritja e kredisë. Kreditë me probleme janë një përqindje që shprehet në raport me kredinë në total dhe kredia u rrit në nivelin 7.7%. Pra, përgjithësisht sektori financiar pavarësisht nga kriza pati rezultate pozitive, tregues të mirë kapitalizimi, rentabiliteti edhe kreditimi.

Por natyrisht që viti 2021 mund të ketë një përkeqësim. Kemi marrë masa të ndryshme gjatë vitit 2020 siç ishin: shtyrja me dy-tremujorë e pagesave të kësteve të kredive, ndryshime rregullative për ristrukturimin e kredive për 6 muaj për t’i dhënë bankave mundësi proaktive për të bërë strukturime të kredive. Ky ndryshim rregullativ u shty së fundmi dhe për një tremujor, deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2021, pikërisht për të ndihmuar bankat dhe bizneset për të përballuar situatën e pandemisë, për t’i krijuar lehtësi bizneseve për të bërë ristrukturime, për të zgjatur afatet në të gjithë format e mundshme që bankat gjykojnë për ata klientë që janë prekur. Kjo ndikon që për momentin kredia me probleme të mos rritet, por sigurisht që me mbarimin e këtyre afateve ne parashikojmë që do të kemi një rritje të kredisë me probleme. Nuk mund ta them saktë se sa do të jetë kjo rritje e kredisë me probleme sepse nuk kemi një shifër.  Kemi disa parashikime por parashikimet ndryshojnë.  Çdo parashikim në fakt jo vetëm për kredinë me probleme por dhe për rritjen ekonomike, për rritjen e kreditimit dhe për të gjithë treguesit e tjerë makro është në varësi të situatës së pandemisë, sa do të zgjasë pandemia, sa do të jenë masat shtrënguese dhe si do të reagojë pastaj ekonomia në funksion të zgjatjes së pandemisë. Në këtë kontekst, nuk mund të jap një shifër të saktë për kreditë me probleme por sigurisht që ne presim një rritje. Megjithatë analizat tona, stres-testet që kemi bërë, skenarët e ndryshëm që kemi marrë në analizë për sistemin bankar, edhe në rastin më të keq të rritjes së kredisë me probleme na tregojnë që sistemi bankar është i shëndetshëm, ka kapitalizim dhe likuiditet të mjaftueshëm për të përballuar situatën nga rritja e kredisë me probleme, pra ne nuk parashikojmë që të kemi nevojë për shtim kapitali apo turbulenca të caktuara në sistemin bankar nga rritja e kredisë me probleme. Për fat jemi në një nivel të ulët, nuk është rritur dhe shpresojmë të kemi një rritje sa më të pakët të kredisë me probleme, por mbetet të shohim si do shkojë situata nga pandemia.

 

Pyetja: Në fakt pavarësisht asaj çfarë është deklaruar deri tani, z. Guvernator për çështjen e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë vjen një realitet nga biznesi i madh si ankesë-kërkesë më shumë. Duke qenë se sigurimi i likuiditetit po bëhet në mënyra, ose më saktë në rrugë jo bankare ku merren po them borxh me përqindje interesi jashtë rrugëve bankare. A ju shqetëson ky si fenomen dhe a keni ndoshta analiza paraprake për t’i bërë ballë kësaj situate.

Guvernatori: Tregu joformal i kreditimit ka ekzistuar dhe ekziston. Nuk është një problem madhor për sa na ka rezultuar nga analizat, dhe analizat janë gjithmonë të rifreskuara. Referuar viteve të kaluara, kemi marrë në analizë tregun informal pasi gjithmonë ka qenë ky shqetësim. Dhe ka rezultuar që ka një treg joformal, i cili nuk ka konkurruar tregun bankar, por ka krijuar deformime të caktuara në treg. Natyrisht që ne si institucion rregullator kemi marrë masa, kemi bërë përpjekje maksimale qoftë me akte rregullative ashtu dhe nëpërmjet edukimit financiar për ta shmangur këtë treg joformal.

Partneri më serioz për çdo individ dhe biznes duhet të jetë banka, pasi tregu joformal shoqërohet dhe me norma më të larta interesi. Natyrisht që mund të ketë kërkesë më të ulët në procedura, mund të ketë një procesim më të shpejtë, por ama është më “therës” në aspektin e çmimit, ka norma shumë më të larta interesi se sa tregu formal që janë bankat.

Klientët seriozë të cilët mendojnë ta kthejnë kredinë, pra të marrin një borxh për një nevojë dhe qëllim të caktuar me synimin për ta likuiduar, kanë kujdes financiar të mirë. Që kur e marrin atë borxh kanë bërë llogaritë se si do ta shlyejnë, që ta mbyllin historinë e borxhit dhe të mos ngelen peng ndaj gjykatave, përmbarimeve, ekzekutimeve. Për këta klientë, banka është partneri më i mirë sepse është partneri më serioz në respektimin e kushteve të kontratës dhe me çmimin më të mirë. Ndërkohë që tregu joformal preferon ata klientë të cilët kanë joformim të mirë, kanë nevojë të menjëhershme dhe do të përballen pastaj dhe me vështirësi. Sigurisht që ne kemi bërë jo vetëm thirrje, por kemi marrë dhe masa për ta shmangur këtë treg joformal. Sidoqoftë, ky treg nuk është në ato nivele. Gjithmonë flasim në vija të përgjithshme për individët se ne mund të kemi dhe raste marrëveshjeje biznes me biznes, që mund të kenë problem të caktuara historiku me bankat dhe, duke pasur një oportunitet biznesi i japin hua njeri-tjetrit.

Huadhënia dhe huamarrja është e lejuar me ligj. Pra në qoftë se bizneset gjykojnë që mund të kreditojnë njëri-tjetrin, ose individët mund të kreditojnë ose t’i japin hua njëri tjetrit me një deklaratë noteriale sipas ligjit mund ta bëjnë këtë. Problem është fenomeni, shqetësimi, nëse ka institucione të palicensuara, të parregulluara, që operojnë në këtë fushë duke abuzuar, duke dalë me norma interesi jashtë tregut. Kjo nuk na rezulton që të jetë një fenomen shumë i zgjeruar megjithatë ne e kemi në mbikëqyrje. Është një fenomen që ekziston, por nuk është akoma një fenomen i cili konkurron tregun bankar. Megjithatë është shumë komplekse. Nga njëra anë, ne duam të ruajme bankat se ato janë mbajtëset kryesore të depozitave të popullatës. Stabiliteti financiar pikërisht aty synon. Pra ne duam të sigurojmë kursimet në radhë të parë por duam të sigurojmë dhe rolin e bankave për zhvillimin e ekonomisë, pra që ato të jenë kredituese. Dhe ndërmjetësimi financiar bëhet vetëm duke pasur disa banka të shëndetshme me tregues të mirë. Sigurisht që ne nuk do të donim që bankat të sakrifikonin kriteret e rrezikut, të kreditonin pa limit, të lehtësonin kriteret dhe nesër të kishin një kredi të keqe më të lartë, siç e përmendëm pak më parë. Kjo do të ishte pastaj në dëm përsëri të ekonomisë sepse nuk do të kreditonin më. Pra faktorët janë të ndërthurur, janë zinxhir. Ne duam të kemi kreditim serioz, të kemi formalizim, të kemi sistem të qëndrueshëm bankar, të shmangim tregun joformal. Të gjitha këto janë sfida më vete për të cilat ne punojmë.