BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje – përgjigjet e konferencës për shtyp, 4 tetor 2023

Data e publikimit: 04.10.2023

 

Pyetje: Z. Guvernator, aktualisht kemi një ekuilibër të kursit të këmbimit të euros rreth 106 lekë. A ka ndërmend Banka e Shqipërisë të ndërhyjë në treg për të shtuar rezervën valutore të saj? Apo do të zbatojë kalendarin e publikuar?

Guvernatori: Kalendari i ndërhyrjeve për efekt të rezervës valutore është publikuar në fillim të vitit dhe është ndryshuar gjatë muajit gusht. Ne nuk kemi në plan të bëjmë ndërhyrje të tjera përtej kalendarit, në rast se nuk plotësohen kriteret që përcaktohen ligjërisht në rregulloren e Bankës së Shqipërisë, për të mbajtur një kurs këmbimi të stabilizuar. Normalisht regjimi i kursit të këmbimit është i lirë. Pra, për sa kohë që kursi i këmbimit ka një sjellje normale, që zhvillohet sipas kritereve të  tregut dhe jo kushteve spekulative, ne nuk kemi në plan të ndërhyjmë.

Edhe një herë theksoj që një kurs këmbimi jo vetëm i stabilizuar por një kurs këmbimi i fortë i lekut kundrejt monedhave të huaja, kryesisht euros, ndihmon në mbajtjen e çmimeve në kontroll pra në rritjen e fuqisë blerëse së popullatës dhe në mbajtjen në kontroll të presioneve inflacioniste. Objektivi ynë kryesor është inflacioni por jo vetëm. Natyrisht që nëse kursi i këmbimit ndihmon në mbajtjen e çmimeve në kontroll, Banka Qendrore nuk ka arsye se pse të ndërhyjë në kursin e këmbimit.