BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje – përgjigjet e konferencës për shtyp, 5 korrik 2023

Data e publikimit: 05.07.2023

 

Pyetje: Në lidhje me luhatjet e kursit të këmbimit, gjatë ditës së sotme është vërejtur se forcimi i monedhës kombëtare ka vijuar ndaj monedhave të huaja e kryesisht ndaj euros. A ka në plan Banka e Shqipërisë të ndërhyjë për të normalizuar kursin e këmbimit dhe a keni bërë ndonjë monitorim të tregut? A keni hasur në problematika?

Guvernatori: Ne tregun e monitorojmë jo çdo ditë por çdo orë, nëpërmjet Departamentit të Operacioneve Monetare. Lidhur me ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë këto janë qartësisht të përcaktuara në rregulloret e Bankës së Shqipërisë. Siç e kemi theksuar disa herë, Banka e Shqipërisë ndërhyn në kursin e këmbimit në raste qartësisht të përcaktuara. Ne ndërhyjmë kur kemi çrregullime në kursin e këmbimit nga faktorë psikologjikë apo spekulativë që nuk mbështeten në aktivitetin dhe transaksionet reale të tregut. Ne ndërhyjmë në kursin e këmbimit në rastet kur blejmë valutë për rritjen e rezervës valutore, nëpërmjet ankandeve të cilat zhvillohen sipas një kalendari të publikuar. Edhe këtë vit ne e kemi publikuar këtë kalendar dhe e kemi ndjekur planin e ankandeve. Për informacionin tuaj, Banka e Shqipërisë ka tërhequr, pra ka blerë, mbi 120 milionë euro gjatë gjashtëmujorit të parë nga tregu valutor dhe do të vazhdojë ankandet e blerjeve sipas planit. Në mos gaboj, në 6 korrik ne kemi ankandin e radhës dhe do të tërheqim sasinë e përcaktuar nga tregu, por këto ankande janë të komunikuara dhe tregu ka pritshmëri. Pra nuk ndikojmë psikologjikisht, por gjithsesi ndikojmë duke tërhequr valutë.

Banka e Shqipërisë gjithashtu ndërhyn në tregun valutor në funksion të objektivit të saj kryesor, i cili është inflacioni. Ne kemi ndërhyrë në vitin 2018 për efekt të kursit të këmbimit me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për të arritur objektivin tonë të inflacionit. Në atë kohë ne ishim në një situatë me inflacion të ulët, në një nivel nën objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3% dhe mbiçmimi i kursit të këmbimit në atë periudhë na godiste më tej inflacionin dhe politikën tonë monetare. Ne synojmë të mbajmë çmimet nën kontroll, pra të mos kemi rritje çmimesh për popullatën, për agjentët dhe bizneset, në funksion të ruajtjes dhe të rritjes së mirëqenies së popullatës si dhe synojmë të nxisim konsumin dhe investimet në funksion të kësaj arsyeje.

Aktualisht, jo vetëm Shqipëria, por rajoni dhe e gjithë bota është në një situatë inflacioniste. Pas pandemisë filluan shenjat e para të inflacionit dhe lufta e Rusisë në Ukrainë e përshpejtoi këtë situatë dhe si pasojë e gjithë bota u përfshi në një situatë inflacioniste. Inflacioni në Eurozonë po shkakton dhe recension. Kemi marrë lajmet më të fundit nga ekonomitë e mëdha, si Gjermania e shtete të tjera të mëdha, të cilat po përjetojnë recension. Fatmirësisht ekonomia e Shqipërisë nuk është në recension; ne kemi një rritje të mirë ekonomike, kishim një rritje prej 4.8% vitin e kaluar dhe këtë vit ne parashikojmë që të kemi një rritje më të moderuar, por përsëri mund të kemi një rritje mbi 3%. Parashikimi i fundit i Departamentit të Politikës Monetare, i raportuar në mbledhjen e sotme të Këshillit Mbikëqyrës, nga Banka e Shqipërisë është që ne presim të kemi një rritje ekonomike për vitin 2023 prej 3.8%.

Sigurisht që ne synojmë që ta përshpejtojmë ritmin e rritjes ekonomike, për të përshpejtuar integrimin tonë evropian ekonomik dhe politik. Por, kursi i këmbimit është një nga faktorët që ka ndikuar për të mbajtur inflacionin nën kontroll dhe për të ndikuar pozitivisht në këtë rritje ekonomike.

Faktikisht, analiza jonë bëhet në nivel makro dhe ne analizojmë faktorët nga vjen ky forcim i kursit të këmbimit. Ju dje morët një informacion dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, në konferencën e saj për shtyp dhe pak a shumë u informuat mbi këta faktorë. Gjithashtu dhe Banka e Shqipërisë informon se kursi i këmbimit vjen si pasojë e aktivitetit ekonomik, të përmirësimit në bilancin e pagesave, jo vetëm për vitin 2022, por të dhënat e konfirmuara për tremujorin e parë dhe gjithashtu dhe të dhënat indirekte për gjashtëmujorin e parë për vitin 2023, tregojnë që kemi rritje të të ardhurave nga hyrjet nga turizmi, që pothuajse janë dyfishuar, si dhe nga investimet e huaja direkte që kanë një rritje të konsiderueshme gjithashtu. Këtu përfshihen dhe blerjet e pasurive të patundshme nga jorezidentët dhe gjithashtu ne kemi rritje të remitancave. Pra këto kanale janë burime të mjaftueshme hyrjesh në valutë të të huaj të cilat mbështesin mbiçmimin e kursit të këmbimit.

Përsa kohë që mbiçmimi i kursit të këmbimit përcaktohet nga faktorët realë fondamentalë të ekonomisë, dhe përsa kohë që Banka e Shqipërisë i ka të përcaktuara kriteret e saj në rregullore dhe ligj për ndërhyrje për kursin e këmbimit, nuk shohim arsye për të ndërhyrë te kursi i këmbimit. Nëse ne do të kishim një devijim nga këto kritere, sigurisht që do të ndërhynim sikurse kemi ndërhyrë në të shkuarën. Ky është qëndrimi i Bankës së Shqipërisë për kursin e këmbimit.

Gjithashtu, do të doja t’ju informoja që javën që vjen ne kemi organizuar një mbledhje me Shoqatën e Bankave dhe Drejtorët e Përgjithshëm të bankave të nivelit të dytë për të diskutuar mbi efektet që ka kursi i këmbimit te stabiliteti financiar i tyre dhe ndikimi te bizneset që preken. Ne do të diskutojmë për të ndihmuar këto biznese, por dhe bankat, për të mbajtur nën kontroll kredinë e mundshme me probleme, për të rritur bashkëpunimin e bankave me bizneset, kryesisht bizneset eksportuese fasone që preken nga ndikimi i kursit të këmbimit në funksion të menaxhimit të këtij rreziku. Gjithahtu do të diskutojmë me bankat për ndihmesën që mund ti jepet këtyre bizneseve për një ristrukturim më proaktiv të rasteve në vështirësi financiare, që vijnë si pasojë e kursit të këmbimit.