BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje – përgjigjet e konferencës për shtyp, 5 tetor 2022

Data e publikimit: 05.10.2022

 
Pyetje: Z. Sejko, a jeni njohur me draftin e amnistisë fiskale dhe a keni pasur propozime për ndryshimin e tij?

Guvernatori: Amnistia fiskale, mesa kam informacion, po rishikohet. Pra, drafti i amnistisë është duke u punuar, pasi edhe Ministrja e Ekonomisë dhe Financave këtë konfirmoi në mos gaboj në intervistën e saj. Ne jemi pyetur dhe i kemi dhënë opinionet tona për draftet e amnistisë fiskale. Opinioni i Bankës së Shqipërisë është theksuar dhe para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, sikurse edhe në konferencën e kaluar për shtyp. Pavarësisht nga drafti specifik, i cili është akoma duke u parë në esencë, edhe njëherë e përsëris se Banka e Shqipërisë e shikon amnistinë fiskale me kosto dhe përfitime, por në radhë të parë, ne e shohim amnistinë në funksion të formalizimit të ekonomisë. Banka qendrore ka si objektiv rritjen e përfshirjes financiare, futjen e parasë jashtë sistemit bankar në sistem, formalizimin e ekonomisë dhe në këtë kontekst edukimin financiar pikërisht si ndihmesë për të rritur përfshirjen financiare dhe formalizimin në drejtim të financave. Amnistia fiskale sigurisht që do të kishte impakt pozitiv në këtë drejtim, kjo është pak por e qartë. Njëkohësisht amnistia fiskale do të sillte edhe likuiditete të mëtejshme në ekonomi dhe do të ndihmonte buxhetin e shtetit për të plotësuar nevojat e tij. Nga kahu tjetër, kostot e amnistisë fiskale janë rreziku që mund të ketë përfshirja e pastrimit të parave. Opinioni i Bankës së Shqipërisë ka qenë i qartë, që duhet shmangur rreziku i pastrimit të parasë në këtë amnisti fiskale, njëkohësisht dhe paratë që mund të vijnë nga kriminaliteti dhe korrupsioni. Ne e kemi theksuar që amnistia fiskale duhet bërë e studiuar si projekt, në mënyrë që të jetë një instrument në funksion të përmirësimit të administrimit fiskal. Praktikisht, duhet të jetë një nga elementet për të rritur të ardhurat dhe për të shmangur evazionin fiskal nga ky moment e në të ardhmen. Pra, nuk duhet krijuar një koncept që amnistitë fiskale bëhen në mënyrë të vazhdueshme. Kjo amnisti nëse do të bëhej dhe do të funksiononte, do të duhej të jepte mesazhin e qartë që pas saj nuk ka më fshehje të ardhurash dhe taksat dhe tatimet duhen paguar rregullisht, pra duhet të minimizojmë maksimalisht evazionin fiskal. Në rast se këto objektiva do të realizoheshin, sigurisht që Banka e Shqipërisë e shikon amnistinë fiskale në funksion të formalizimit të ekonomisë dhe veçanërisht si objektivi ynë specifik, rritjen e përfshirjes financiare, pra futjen e parasë që qarkullon jashtë sistemit bankar brenda tij. Ky është opinioni i përsëritur disa herë nga Banka e Shqipërisë në raport me amnistinë fiskale.

Pyetje: Në mos gaboj, deri tani është e katërta herë që kemi rritje të normës së interesit. Nëse ne do të përballemi sërish me rritje të inflacionit, cila do të jetë politika monetare që do të ndiqet nga Banka e Shqipërisë? 

Guvernatori: Sikurse e theksuam në deklaratën e politikës monetare, Banka e Shqipërisë e ka bërë të qartë se ne do të vazhdojmë normalizimin e kursit të politikës monetare në raport me rritjen e inflacionit.

Bankat qendrore, jo vetëm Banka e Shqipërisë, por bankat qendrore qoftë të rajonit apo dhe më gjerë, kanë vazhduar një kurs normalizimi të politikës monetare. Pra ju keni vënë re që normat e interesit kanë vijuar të rriten nga të gjitha bankat qendrore, në Evropë, në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera. Dhe Banka e Anglisë ka vazhduar t’i rrisë normat e interesit. Rritja e normës së interesit apo shpejtësia e normalizimit të politikës monetare kushtëzohet nga inflacioni, pra nga rritja e tij. Të njëjtën gjë do të bëjmë dhe ne si bankë qendrore. Shifra e inflacionit do të përcaktojë reagimin tonë. Pra, nëse inflacioni do të rritet me ritme më të shpejta, dhe ne do t’i përgjigjemi me politikën tonë monetare normalizuese. Në rast të kundërt, do të shohim pasi sigurisht që objektivi ynë kryesor është parandalimi ose frenimi i inflacionit dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve, por njëkohësisht me shumë kujdes shohim dhe nivelin e rritjes ekonomike. Pra po ta vini re, normalizimi gradual që ne kemi bërë është në funksion të mospengimit të rritjes ekonomike. Por kjo varet, ne nuk mund të sakrifikojmë stabilitetin e çmimeve, pasi në rast se ne nuk do ta bënim këtë, efekti negativ që do të vinte nga rritja e çmimeve më pas në rritjen ekonomike, do të ishte shumë i lartë, si për individët ashtu dhe për bizneset, po edhe dhe për buxhetin e shtetit. Kjo është shumë e qartë pasi historia e ka provuar këtë gjë. Praktikisht, bankat qendrore po reagojnë në drejtim të rritjes së normës së interesit. Nuk mund ta themi saktësisht se si do të vazhdojë ecuria e politikës monetare pa pasur shifrat që do të vijnë në të ardhmen periodikisht mbi nivelin e inflacionit dhe treguesit e tjerë makroekonomikë në vend.

Pyetje 3: Çfarë politikash fiskale apo masash i sugjeron Banka e Shqipërisë Qeverisë për t’u përputhur me politikën monetare në kushtet e inflacionit të lartë?

Guvernatori: Ne vazhdimisht i kemi bërë transparente dhe i kemi komunikuar rekomandimet tona lidhur me politikën fiskale. Banka e Shqipërisë, çdo vit, ka dhënë opinionin e saj lidhur me buxhetin e shtetit, para miratimit të tij në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Në rastin më specifik, ne përsëri e kemi bërë të qartë gjykimin tonë. Në radhë të parë, kemi rekomanduar që të kihet kujdes me nivelin e borxhit, me uljen e nivelit të tij, pra duhet të shkohet drejt një konsolidimi fiskal. Por, paralelisht me situatën e vështirë ekonomike, duhet pasur në vëmendje edhe trajtimi i shtresave në nevojë. Paketat e rezistencës sociale apo çdo lloj pakete tjetër që do të shkonte në drejtim të kompensimit të nevojave të këtyre shtresave, të ndikuara nga rritja e çmimeve, sigurisht që do të ishte një element pozitiv që Qeveria po e ndjek, dhe duhet të ndiqet, por kjo masë duhet të jetë e balancuar. Pra, në radhë të parë duhet të shihen shtresat në nevojë. Të kompensohen, për shembull për çmimin e energjisë dhe për të gjitha çmimet e tjera që mund të kenë rritje dhe afektojnë këto shtresa. Por duke mos cenuar, pra duke pasur kujdes nivelin e borxhit publik. Duhet menaxhuar në të dyja drejtimet. Këto janë dy elementet kryesore që unë mund të përmend momentalisht. Sigurisht, që ka pasur një listë me rekomandime dhe këshillime që ne i kemi dhënë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Qeverisë Shqiptare lidhur me fiskun. Por, për momentin, këto janë dy elementet kryesore që unë do të përmendja lidhur me këshillimin drejtuar Qeverisë. Faleminderit!

Pyetje 4: Javët e fundit në hapësirën online është folur për blerjen e një banke me kapital të huaj nga një bankë me kapital vendas. A ka pasur një kërkesë pranë Bankës së Shqipërisë për një transaksion të tillë, dhe nëse po, cili është gjykimi tani me konsolidimin e mëtejshëm të sistemit bankar dhe me prezencën gjithmonë e më të madhe të kapitalit vendas?

Guvernatori: Nuk kemi një kërkesë zyrtare nga asnjë bankë e nivelit të dytë për ndryshim aksionerësh, qoftë e huaj, qoftë lokale. Gjatë gjithë periudhës, ju keni qenë dëshmitarë të ndryshimeve esenciale në strukturën e sistemit bankar shqiptar. Disa banka të huaja - disa banka me kapital të kryesisht të vendeve evropiane, por edhe të tjera (sikundër ka qenë edhe një bankë me kapital nga Malajzia) - janë tërhequr nga tregu ynë. Këto banka nuk janë tërhequr vetëm nga Shqipëria, por janë tërhequr nga i gjithë rajoni. Pra, arsyeja nuk ka qenë largimi nga territori i Republikës së Shqipërisë për problematika të ndryshme. Por, arsyeja kryesore ka qenë pasoja e krizës financiare globale të vitit 2008 në bilancet e tyre. Kriza financiare globale goditi bilancet e këtyre bankave dhe BQE-ja u vuri kushte: ose të rrisnin kapitalin ose të mbyllnin filialet e tyre në disa shtete. Në pamundësi për të rritur kapitalin, këto banka u detyruan të mbyllnin filialet e tyre, dhe Shqipëria, sikundër edhe disa vende të rajonit, u afektua.

Ky ka qenë një proces i vështirë dhe stresant, për të qenë të sinqertë dhe transparent me ju. Gjatë gjithë periudhës së mandatit tonë të parë, ne jemi përballur me një sërë krizash si: krizën e borxheve në Greqi, në Eurozonë, pasojat e tjera që erdhën si nga tërmeti, nga pandemia, por edhe me elemente të mbartura nga kriza financiare globale e vitit 2008, të cilat kërkonin një sistem bankar të shëndetshëm. Ne synonim të kishim një rritje ekonomike, por edhe ulje të kredive me probleme, të cilat i trashëguam në një nivel shumë të lartë, deri në 25%, që erdhën kryesisht nga operimi i këtyre bankave evropiane, pasi ato kishin peshën më të madhe.

Natyrisht që u përpoqëm të kishim në tregun vendas banka të tjera me histori bankare qindravjeçare dhe me origjinë evropiane, por për periudhën nuk kishte interes për arsyet e sipërpërmendura. Ndryshimi në strukturën aksionere solli një rritje të përqindjes së kapitalit vendas në sistemin bankar dhe fatmirësisht me ndryshimet e bëra, sistemi financiar, sistemi bankar ka pasur rezultate më pozitive që janë të dukshme e të matshme. Futja e aksionerëve vendas na ka surprizuar për mirë, ne si bankë qendrore, por edhe realitetin ekonomik shqiptar. Kredia me probleme ka vijuar të bjerë, dhe kreditimi si një instrument për rritjen ekonomike ka vazhduar të rritet duke shkuar në nivelin 14% rritje me bazë vjetore. Mos harroni që para 5 vitesh kemi pasur një rritje anemike të kreditimit. Kjo edhe si pasojë se këto banka evropiane, pikërisht për arsye të kufizimeve qe atyre u ishin vendosur nga grupet apo autoritetet evropiane, ishin jo sa ç’duhej aktive dhe pothuajse nuk po kryenin rolin e tyre në ekonominë shqiptare. Zëvendësimi i tyre me aksionerët e rinj me ambicie për të operuar, për t’u rritur e për të gjeneruar fitime për veten dhe tregun, bëri që kredia të arrijë në nivelin e rritjes 14%, gjithmonë duke pasur parasysh që jemi në një kohë krize. Bëri që mos përkeqësohen bilancet e sistemit financiar dhe gjithashtu norma e mjaftueshmërisë së kapitalit (që është një nga treguesit kryesorë me të cilin masim shëndetin e sistemit bankar) mbeti në nivele shumë të larta. Mesatarja e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar është 19%, krahasuar me 12%, që është minimumi i kërkuar nga Banka Shqipërisë.

Pra, kemi një përvojë afatshkurtër rreth 5-vjeçare të ndryshimit strukturor të sistemit bankar dhe rritjes së peshës specifike të aksionerëve vendas në raport me aksionerët e huaj, e cila ka rezultuar pozitive deri tani.

Natyrisht që jemi në periudha të vështira dhe kjo është një krizë e re. Kaluam krizën e pandemisë që ishte test dhe ekonomia shqiptare rezistoi shumë mirë. Në përgjithësi, rezultatet në të gjithë treguesit makroekonomikë ishin më pozitive nga ato që prisnim dhe kishim llogaritur jo vetëm ne, por edhe institucionet ndërkombëtare. Shpresojmë të ndodhë e njëjta gjë. Do të përdorim të gjitha instrumentet, si në kahun e politikës monetare ashtu edhe në kahun e stabilitetit financiar me instrumentet makroprudenciale, në mënyrë që të ruajmë stabilitetin financiar. Stabiliteti i çmimeve dhe stabiliteti financiar janë të lidhur ngushtë për një qëllim final, rritjen ekonomike dhe rritjen e mirëqenies së popullsisë dhe mbështetjen e biznesit për rritje.

Duke ju rikthyer pyetjes, nuk kemi një informacion konkret. Gjatë gjithë kësaj periudhe, duke qenë se ka pasur ndryshime strukturore për largime ose shitblerje bankash, ka shumë informacione në treg që janë thashetheme. Kjo periudhë ka pasur shumë ndryshime, dhe Departamenti i Mbikëqyrjes por dhe departamentet e tjera brenda Bankës së Shqipërisë të lidhura me këtë aktivitet, kanë fituar eksperiencë. Natyrisht që në çdo rast që mund të kemi tani ose në të ardhmen, ne do të zbatojmë strikt të gjitha kërkesat ligjore dhe rregullative, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Nuk ka ndonjë surprizë nëse do të ndodhte, por nuk kemi asnjë informacion konkret zyrtar. Megjithatë, është për t’u ritheksuar se ndryshimi i strukturës dhe rritja e kapitalit të aksionerëve vendas ka pasur efekte pozitive në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare.