BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 24 mars 2021

Data e publikimit: 24.03.2021

 

Pyetje: Ju e keni shprehur dhe më herët në diskutimet me FMN-në, që vaksinimi do të jetë tregues i rritjes ekonomike ose i asaj se si do të shkojë procesi i ringritjes nga kjo situatë. Tashmë që vaksinimi ka filluar dhe duket se do shkojmë drejt imunitetit të tufës, çfarë parashikimi ka Banka e Shqipërisë që do të ketë vaksinimi në projeksionin e saj të rritjes ekonomike?

Guvernatori: Viti i kaluar u mbyll me një recesion, rënie ekonomike,  shifra përfundimtare e të cilit pritet të dalë rreth nivelit - 4%. Natyrisht, dhe në bazë të deklaratës së politikës monetare dhe të analizave që ne kemi bërë me departamentet  e Bankës së Shqipërisë, në linjë dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, parashikojmë të kemi rritje ekonomike gjatë 2 viteve në vijim.

Parashikimi në shifra për momentin, pasi parashikimet ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme, për këtë vit është  një rritje prej 4.9% dhe vitin tjetër prej 4.1%. Gjithsesi parashikimet ndryshojnë dhe janë në varësi të situatës të pandemisë.

Ju përmendët vaksinat. Sigurisht që vaksinat janë elementi kryesor që do të përshpejtojë përmirësimin e situatës së pandemisë dhe paralelisht me të do vijë dhe ringritja ekonomike. Kjo është e qartë jo vetëm për Shqipërinë dhe rajonin, por dhe për gjithë botën. Sa më shpejt të vaksinohet popullsia dhe të arrihet imuniteti i tufës aq më shpejt do të krijohet siguria dhe do të kthehet jeta normale. Dhe sigurisht do të përmirësohen edhe treguesit ekonomikë.

Një nga elementët që ne presim, paralelisht me vaksinimin dhe përmirësimin e situatës së pandemisë, është dhe sezoni veror, i cili është gjithmonë një test sepse turizmi është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare. Është një test që tregon se si do të vijë ringritja ekonomike. Ka pasiguri sigurisht. E theksova që balanca e rreziqeve është në kahun e poshtëm, pikërisht për këto arsye. Pasi nuk e dimë kohëzgjatjen e pandemisë. Sigurisht që ne përpiqemi të bëjmë parashikime sa më realiste dhe bazuar në këto parashikime vijnë  dhe konkluzionet e mësipërme. Pra ne parashikojmë një ringritje për dy vitet në vijim, në rast se situata e pandemisë do të vijë gradualisht duke u shuar. Kjo është ajo që mund të themi për momentin.

Pyetje: Duke qenë se vitin që lamë pas por edhe aktualisht nuk kemi patur ndryshim të kursit të këmbimit, si po shkohet me procesin e deeuroizimit? Duke menduar se do të kemi një rihapje, çfarë të rejash do të kemi dhe çfarë zhvillimesh pritet të ketë?

Guvernatori: Në lidhje me pyetjen e dytë për deeuroizimin, kjo është një histori që ne e kemi diskutuar dhe vazhdojmë ta ndjekim. Banka e Shqipërisë ka një politikë për promovimin e monedhës kombëtare. Kjo politikë për promovimin e monedhës kombëtare bëhet për dy arsye kryesore, teorike dhe praktike, por kryesisht për rritjen e transmetimit të politikës monetare me qëllim stimulimin e konsumit, investimeve dhe kreditimit. Pra me qëllim nxitjen e rritjes ekonomike dhe rritjen e mirëqenies të qytetarëve shqiptarë dhe nga kahu tjetër dhe për ruajtjen e stabilitetit financiar. Qëllim kemi ruajtjen e stabilitetit financiar pasi kemi një nivel shumë të lartë të ekspozimit  të kredive në valutë të huaj, pa llogaritur  klientët që i kanë të ardhurat në monedhë kombëtare, ndërkohë që kredinë e kanë në valutë të huaj.  Në rast se do të kishim në afatgjatë një situatë inflacioniste, situatë të zhvlerësimit të monedhës kombëtare, sigurisht që kjo pjesë e madhe që është 1/4 e portofolit të kredisë do të krijonte problem serioze në performancën e bankave, do të trondiste stabilitetin financiar.

Pikërisht për këto arsye, për  transmetimin më  të mirë të politikës monetare dhe ruajtjes së stabiliteti financiar Banka e Shqipërisë, por dhe bankat qendrore në përgjithësi, promovojnë monedhën kombëtare dhe duan të kenë një rritje të përdorimit të saj. Situata e euroizimit në vend - dikur ka qenë e dollarizimit - është në nivele të larta dhe për këto arsye ne përpiqemi për uljen e nivelit të tij.

Masat janë prezantuar dhe kanë një ecuri pozitive; kemi një rënie të euroizimit, por ne nuk synojmë të shmangim euron. Sigurisht që tregtia e jashtme, importet dhe eksportet, do të funksionojnë në euro, por shitja dhe blerja e disave elementeve duhen bërë në monedhën kombëtare që është leku. Nuk ka nevojë të qarkullojë euro aty ku s’duhet. Aktiviteti i import-eksportit do të kryhet në euro, ndërsa aktiviteti i brendshëm natyrisht që duhet kryer në monedhën kombëtare.

Këto janë synimet tona të politikës së deeuroizimit. Ne i përsërisim sepse nuk ka asgjë të keqe nga përsëritja. Në fakt arritja e këtyre synimeve do të bënte që jo vetëm Banka e Shqipërisë do të arrinte objektivat e veta por do të ishim më të sigurt qoftë nga sistemi bankar, qoftë nga stabiliteti financiar ashtu edhe nga transmetimi më i mirë i politikës monetare.