BANKA E SHQIPËRISË

Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 6 tetor 2021

Data e publikimit: 06.10.2021

 

Pyetje: Z. Guvernator ju i patë shqetësimet që vinin nga tregjet ndërkombëtare për rritjen e çmimeve e kështu me radhë, por sot kemi patur dhe një publikim nga BB për një rritje të ekonomisë për Shqipërinë në 7.2%. Cilat janë pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë dhe a kemi ndryshime të parashikimeve nga konferenca e fundit që ju keni bërë dhe pse ky gjithë optimizëm i BB për një rritje kaq të madhe të ekonomisë kur tashmë jemi parashikuar për një krizë energjie e cila ka pasojat e veta nëse do të jetë një krizë e mirëfilltë?

Guvernatori: Në fakt kjo përkon edhe me parashikimin e Bankës së Shqipërisë për rritjen ekonomike të këtij viti. Edhe njëherë po e përsëris që ne patëm një rritje të fortë në tremujorin e dytë të vitit, e cila rezultoi në nivelin 17.9% si pasojë e dy faktorëve. Së pari, një ndikim i fortë sipas bazës krahasuese të tremujorit të dytë të vitit të kaluar, që ishte tremujor i mbyllur për të gjithë sektorët e ekonomisë, ku rënia ishte në nivelin 11.3%. Por pavarësisht, duke shmangur ndikimin e këtij faktori në rritjen ekonomike të tremujorit të dytë, përsëri analiza e politikës monetare dhe e gjithë treguesve tregon për një rritje ekonomike në nivelin 4.5%- 6%. Së dyti, kemi një rritje ekonomike me bazë të gjerë në tremujorin e dytë, e cila është ndikuar nga rritja e sektorëve të industrisë, të ndërtimit dhe të shërbimeve. Vetëm sektori i bujqësisë ka qenë sektori i cili ka pasur një rënie të lehtë dhe kjo është e kuptueshme pasi ky sektor ka vazhduar të jetë eficient vitin e kaluar si pasojë e plotësimit të nevojave të popullatës për ushqim.

Banka e Shqipërisë ka parashikuar që të ketë një rritje ekonomike dhe në 2 tremujorët në vijim. Rritja ekonomike e këtij viti do të vijojë sipas parashikimit tonë në nivelet 7%-8%. Pra, parashikimi i Bankës Botërore në nivelin 7.2% përkon ose është në përputhje me parashikimet që ka bërë dhe Banka e Shqipërisë. Këtë vit do të kemi një rritje të mirë ekonomike, pavarësisht parashikimeve që kemi për ndikimin që mund të ketë rritja e çmimit të energjisë.

Ekonomia po vazhdon të rritet, konsumi është rritur dhe të gjithë faktorët dhe indikatorët tregojnë dhe nxisin pritshmëritë për rritje ekonomike sikurse u theksua dhe në deklaratën tonë të politikës monetare. Rritja ekonomike e viteve më pas do të jetë më e ulët pasi baza krahasuese nuk do të jetë njëlloj si me vitin 2020, por ekonomia pritet të kthehet në potencial. Edhe kriza e rritjes së çmimit të energjisë do të jetë e përkohshme, pra pritet të ketë një ndikim kalimtar.

Pyetje: Kur mund të kemi një afat për stabilizimin mes ofertës në treg dhe kërkesës nga konsumatori që të kemi dhe stabilizim të çmimeve?

Guvernatori: E theksuam edhe në deklaratën e politikës monetare që rritja e çmimeve vjen si pasojë e inflacionit të importuar nga tregjet ndërkombëtare, veçanërisht çmimet e produkteve energjitike. Është rritur çmimi i naftës, gazit dhe energjisë, veçanërisht në Eurozonë me gati 480% krahasuar me vitin e kaluar, kurse në Amerikë ka qenë më e ulët pasi burimet janë më të larta sesa kërkesa. Pra oferta në Shtetet e Bashkuara është më e lartë sesa kërkesa, ndërkohë që në Evropë ka një kërkesë më të lartë për produktet energjitike dhe kjo ka sjellë rritje të çmimit. Gjithsesi, për momentin ne nuk kemi parë të kemi rritje të çmimeve, kjo është thjesht pritshmëri dhe pritshmëria është për 3-mujorin e fundit të këtij viti dhe 3-mujorin e parë të vitit të ardhshëm, duke qenë se kemi dimrin përpara dhe nevoja për energji do të jetë më e lartë. Gjithsesi kjo është për tu parë sesi do të reagojnë tregjet. Nga ana tjetër, ka një mospërputhje midis kërkesës dhe ofertës pas pandemisë sepse kërkesa u rrit menjëherë dhe kapacitetet prodhuese nuk arritën t’i përgjigjeshin dhe natyrisht që çmimi vjen duke u rritur.

Pyetje: Cilat do të ishin instrumentet që Banka e Shqipërisë do të ndërmerrte për pjesën e inflacionit, nuk kemi nivele shqetësuese por rritja e çmimeve bën të kemi diçka të tillë? Kur pritet të ndodhë përputhja e ofertës në treg me kërkesën e konsumatorit e cila do të sillte edhe stabilizim të çmimeve si dhe në rast se inflacioni kapërcen nivelet normale, cilat do ishin instrumentet me të cilat do të ndërhyhej?

Guvernatori: Banka e Shqipërisë do të monitorojë situatën dhe do të shohë sesi do të reflektohet kjo në inflacion. Nëse inflacioni i brendshëm dhe jo inflacioni importuar do të fillojë të rritet më shpejt sesa parashikimi atëherë natyrisht që ne do të reagojmë me instrumentin tonë të politikës monetare. Pra do të kalojmë në politikën monetare shtrënguese që do të thotë rritje e normës së interesit. Gjithësesi është herët për ta thënë këtë.

Banka e Shqipërisë edhe pa këtë rritje çmimesh parashikonte që ekonomia do të kthehej në ekuilibër dhe do të mbyllej hendeku negative i prodhimit gjatë vitit 2022, pra në çdo rast ne kishim parashikuar normalizimin e politikës monetare gjatë vitit 2022, nga mesi ndoshta i vitit 2022, gjithmonë në varësi të nivelit të inflacionit.

Nëse shifrat do të ndryshojnë, nëse do të kemi një inflacion shumë të lartë dhe të qëndrueshëm gjëja e parë që do të bëjmë do të ndryshojmë kahun e politikës monetare, pastaj do të shikojmë dhe elementët e tjerë që mund të përdorim brenda kuadrit ligjor që ne kemi si bankë qendrore. Të gjitha veprimet janë të ndërthurura, politika monetare është e ndërthurur me politikën fiskale të qeverisë shqiptare. Banka e Shqipërisë ka qenë në një koordinim të ngushtë me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për harmonizimin e politikave monetare dhe politikave fiskale dhe po vazhdojmë dhe gjatë kësaj periudhe. Ne jemi duke punuar dhe me misionin e FMN në mënyrë intensive, po koordinohen të gjithë politikat për të përballuar të gjithë efektet që mund të kenë goditjet nga rritja e çmimeve, dhe më gjerë, në ekonomi.

Sot pati dhe një konferencë të Zëvendëskryeministrit Ahmetaj, i cili theksoi që qeveria shqiptare po përgatitet dhe do të anonçojë paketat e saj për të kompensuar nëse do të ketë rritje çmimesh sepse akoma ne nuk po shikojmë transmetim të fortë të rritjes së çmimeve. Pra Banka e Shqipërisë nga ana e saj do të reagojë në kahun e politikës monetare, ndërkohë që qeveria shqiptare do të reagojë me politikat e saj fiskale të cilat do të anonçohen. Gjithsesi është për t’u parë, është mirë që ne të jemi transparent me publikun, të sensibilizojmë opinionin publik dhe ta dimë nëse do të përballemi me një rrezik. Por rreziku akoma nuk ka ardhur. Në qoftë se do të vijë, do të harmonizojmë politikat për të përballuar këtë rrezik. Për momentin jemi këtu ku jemi.