BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 7 korrik 2021

Data e publikimit: 07.07.2021

 

Pyetje: Ju thatë pak me herët që rritja ekonomike është e pritshme por nuk thatë vlerën sa pritet të rritet ekonomia deri ne fund të vitit, në bazë të të dhënave që ju keni dhe pritshmërive që ka banka e Shqipërisë?

Guvernatori:  Bazuar në analizat e kryera nga Banka e Shqipërisë, ne kemi komunikuar që shifra më e fundit për parashikimin e rritjes ekonomike ka qenë në nivelin 5.3%. Kemi qenë në një linjë komunikimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Ju e dëgjuat në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, pas analizës së sotme, që të dhënat e disponuara nga Raporti i ndërmjetëm i Politikës Monetare sugjerojnë për rritje më të lartë të rritjes ekonomike në tremujorët në vazhdim. Edhe tremujori i parë i vitit rezultoi në një rritje ekonomike në nivelin 5.5%. Nuk mund të them sa do të jetë pasi nuk ka përfunduar analiza se sa është saktë parashikimi i Bankës së Shqipërisë. Parashikimet janë gjithmonë parashikime. Kjo vlen për t’u parë se sa do të materializohen, por gjithsesi ne parashikojmë të kemi një rritje të mirë ekonomike, mbi 5%. Nëse do të jetë mbi 5.3% apo jo, kjo do të analizohet dhe do të komunikohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës, që do të jetë në muajin gusht. Pra raporti i plotë i Politikës Monetare me të dhënat e konkluduara do të jetë pas një muaji, dhe ne do ta komunikojmë.

Gjithsesi, dua të theksoj që niveli i rritjes ekonomike është i kushtëzuar nga rreziqet që përmenda në deklaratë. Rreziku kryesor është situata ekonomike e ndikuar nga pandemia. Nëse do të kemi përkeqësim të situatës nga pandemia, sidomos në vjeshtë, duke pasur parasysh edhe informacionet që dëgjojmë nga variantet e reja të virusit, atëherë mund të mos materializohet parashikimi për rritjen ekonomike. Në të kundërt, sikundër dhe të gjithë treguesit dhe të dhënat konfirmojnë, natyrisht që ne do të kemi një rritje të mirë ekonomike këtë vit, por edhe në dy vitet në vazhdim. Pra, fatmirësisht kemi pritshmëri më të mira për rritjen ekonomike se parashikimet. Të gjithë treguesit, qoftë të rritjes ekonomike, qoftë të bilancit tregtar, importeve-eksporteve, dhe të sistemit financiar, japin sinjale pozitive.

Sistemi financiar, gjithashtu, ka tregues shumë të mirë kreditimi. Pra, në përgjithësi kemi sinjale pozitive që premtojnë për një rritje të mirë ekonomike, por shifrën e saktë do ta konfirmojmë në mbledhjen e radhës.

Pyetje: Çfarë po bën Banka e Shqipërisë për të kthyer objektivin e inflacionit? Ju tashmë e shprehët, patëm një inflacion 1.9% në tremujorin e dytë, por çfarë do të ndodhë? Për sa kohë mund të arrihet objektivi?

Guvernatori: Në vijim të komenteve që sapo bëra, inflacioni gjithashtu ka qenë në rritje. Pra, treguesi ka vajtur drejt objektivit, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Inflacioni në tremujorin e mëparshëm ka qenë në nivelin 0.9%. Ndërkohë që në muajt prill dhe maj, sikurse e theksuam dhe në deklaratë ishte në nivelin 1.9%. Ne parashikojmë që do të arrijmë nivelin e inflacionit brenda vitit 2022. Ky është parashikimi. Ka sinjale ndërkombëtare, analiza në vende më të zhvilluara dhe në vende më të mëdha, që mund të ketë një situatë inflacioniste më të shpejtë se sa e parashikuara.

Objektivi ynë i inflacionit është në nivelin 3%, pra ne jemi nën objektiv dhe synojmë të rrisim pak nivelin e inflacionit për të stimuluar ose për të ndezur pak ekonominë. Por, nga shtete të ndryshme, sidomos nga kriza e shkaktuar nga pandemia, sinjalet janë që të mund të afrojë më shpejt një situatë inflacioniste krahasuar me periudhat e mëparshme.

Megjithatë, pavarësisht nga kjo, politika monetare stimuluese apo akomoduese do të vazhdojë. Të gjithë shtetet kanë konfirmuar qëndrimin e tyre: që ekonomitë kanë nevojë për stimuj monetarë dhe fiskalë.  Sikundër në këtë aspekt dhe ne do të vazhdojmë me politikën monetare stimuluese. Pra, instrumenti kryesor për arritjen e objektivit të inflacionit nga Banka e Shqipërisë është norma e interesit, pra është politika monetare e ndjekur. Ne do të vazhdojmë me këtë politikë akomoduese, për një periudhë afatmesme, deri në momentin që do të mbyllet hendeku negativ i prodhimit dhe ekonomia do të arrijë në nivelin e saj të kërkuar. Pra, do të jetë në potencial. Dua të theksoj që ne nuk kemi përdorur plane kontigjence. Gjithmonë kemi pasur plane kontigjence për lehtësira sasiore dhe nuk i kemi përdorur, pasi ekonomia shqiptare ka qenë mjaftueshmërisht fleksibël kundrejt goditjeve të krizës. Dhe, fatmirësisht ne jemi në kahun pozitiv, pra presim rritje. Në këto kushte, ne do të vazhdojmë me politikën monetare stimuluese  dhe synojmë të arrijmë objektivin tonë të inflacionit brenda vitit  2022 – mund të them në gjysmën e dytë të vitit 2022. Por e rëndësishme është ajo që thamë dhe në pyetjen e parë, pra që të arrijmë ritmet e rritjes, që të arrijmë një rritje të qëndrueshme këtë vit dhe në vitet më pas.

Pyetje: Kredia me probleme në vitin 2020 ka qenë në rënie me 0.26% duke arritur në nivelin 7.8% ndërkohë në institucionet financiare jobanka kredia e keqe është rritur. Si e  argumentoni apo si e komentoni ju këtë luhatje mes nivelit total dhe nivelit në sektorin jobanka?

Guvernatori: Lidhur me kredinë me probleme, është për tu theksuar që ky tregues ka rënë. Pra aktualisht thamë në deklaratë është në nivelin 7.8 %. Ne prisnim të kishim një rritje të kredisë me probleme sikundër të gjithë shtetet si pasojë e goditjes nga pandemia. Bizneset dhe individët u goditën dhe kjo do të reflektohej në sjelljen e tyre me sistemin financiar. Si pasojë e masave të marra nga Banka e Shqipërisë për ristrukturimin e kredive, për shtyrjen e kësteve apo masat e komunikuar që tashmë ju i dini, por edhe si pasojë e vetë reagimit të bizneseve shqiptare në raport me krizën, për fat të mirë nuk kemi pasur akoma rritje të kredisë me probleme. Bankat e nivelit të dytë japin sinjale pozitive që nuk presin një rritje të konsiderueshme të kredisë me probleme.

Është për tu parë, por ne jemi të përgatitur. Dhe në skenarin më të keq, si pasojë e analizave të Bankës së Shqipërisë, bankat nuk do të kishin probleme ose nevojë për kapital shtesë si pasojë e përkeqësimit të portofoleve të kredisë. Nuk jemi në këtë situatë, pra praktikisht ne nuk presim një rritje të kredisë me probleme të rëndësishme. Institucionet financiare jobanka ku  përfshihen ato të mikrokredisë dhe institucione të tjera, kanë një dallim nga bankat e nivelit të dytë. Në radhë të parë këto institucione nuk punojnë me fonde, me depozita të qytetarëve, por punojnë me donacione ose burime të ndryshme financimi. Nga ky këndvështrim sigurisht që ne ushtrojmë një vëmendje të madhe, pasi kontribuojnë në zhvillimin ekonomik nëpërmjet kreditimit, por nga pikëpamja e rrezikut të stabilitetit financiar mbartin një rrezik më të vogël krahasimisht me bankat, pasi nuk cënojnë drejtpërdrejtë depozitat e qytetarëve. Këtu ka shumë faktorë sepse kredia e keqe në këto institucione mund të jetë më e lartë. në rradhë të parë. Në radhë të parë, duhet ti falenderojmë këto institucione për punën që ato kryejnë duke kredituar, duke financuar zona më të vështira, që janë kryesisht zona rurale, ose segmente popullate më pak formale se segmentet e tjera dhe duke qenë që këto institucione punojnë me këto rajone dhe këto segmente të biznesit dhe kredia në raport me shlyerjet e kredisë është pak më e vështirë. Megjithatë dhe këto institucione kanë ecur mirë dhe kanë treguar një rezistencë mjaft të mirë gjatë periudhë së pandemisë, por gjithsesi e thkesoj dhe njëherë që këto janë institucione që nuk punojnë me depozita të popullatës, por me fonde dhe donacionet e tyre.

Pyetje: Ju keni hedhur për konsultim publik me grupet e interesit një projektrregullore mbi kredinë konsumatore dhe atë hipotekore. Si është pritur nga shoqëritë jobanka dhe kur pritet të hyjë në fuqi?

Guvernatori: Banka e Shqipërisë si rregullator i sistemit financiar ka analizuar dhe ka vërejtur dhe si pasojë e shumë ankesave që kanë ardhur nga subjekte, qoftë qytetarë, qoftë biznese të ndryshme, për normat e larta të interesit, duhet të jemi të qartë që këto institucione financiare sapo thashë duke qenë se punojnë me donacione ose burime të tjera financimi kanë një kosto më të lartë dhe bazuar në këto kosto kanë dhe norma interesi më të larta dhe tipologjia e kredive që japin këto institucione mbart normë interesi më të lartë kudo, jo vetëm në Shqipëri po në të gjithë rajonin, dhe në të gjithë botën. Sigurisht që këto norma interesi kanë një limit dhe për ta rregulluar tregun, për të mos patur tejkalime limitesh në normat e interesit, Banka e Shqipërisë po përgatit një rregullore për të bërë një rregullim të tregut.

Natyrisht që tregu është i lirë dhe raportet e çmimeve janë të lira, por sigurisht që ne duam të shmangim abuzimet në qoftë se ka dhe jemi në fazën e verifikimit dhe studimit të tregut në këtë aspekt. Akoma nuk është konkluduar, bëhet fjalë që puna analizuese në raport me këtë rregullore do të mbyllet brenda këtij viti dhe rregullorja do të hyjë në fuqi vitin që vjen.

Ne jemi në konsultim të vazhdueshëm me industrinë dhe institucionet përkatëse. Natyrisht që ato janë alerte për të parë se çfarë ndryshimesh po bën Banka e Shqipërisë, por dhe ne duhet të jemi shumë seriozë në bashkëpunim me industrinë para se të bëjmë çdo ndryshim rregullativ. Natyrisht që nuk do donim të lejonim abuzime në këtë treg.