BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit Sejko në Samitin e Vendeve të Rajonit dhe Konferencën e 8-të të Bankës Qendrore Evropiane për vendet e Evropës Qendrore Lindore dhe Juglindore

Data e publikimit: 14.06.2019

 

Në datat 13-15 qershor 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Samitin Vjetor të Vendeve të Rajonit të mbajtur në Becic, Mal i Zi, bashkë me guvernatorë e përfaqësues të lartë të bankave qendrore, ministra financash dhe drejtorë tatimesh nga vendet e rajonit, si Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Kosova dhe Shqipëria.

DSC 0716 - 498Copy

Në samitin e këtij viti me temë “Stabiliteti financiar dhe monetar në rajon në një mjedis me rritje të ngadalësuar në eurozonë”, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendet e rajonit.

Me ftesë të organizatorëve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mbajti një fjalë në panelin e guvernatorëve, ku diskutoi rreth temës “Politika monetare dhe stabiliteti i sistemit bankar në kushtet e normave të ulëta të inflacionit dhe të interesave”.

Në nisje të fjalës së tij, Guvernatori vlerësoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla, si një mundësi e mirë për të shkëmbyer eksperienca mes homologësh mbi çështje të bankingut qendror. Ai i njohu të pranishmit me ecurinë ekonomike e financiare të vendit, si dhe sfidat me të cilat po përballet Banka e Shqipërisë.

DSC 0491 - 498Copy

Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e harmonizimit të politikës fiskale me atë monetare, si parakusht i nevojshëm për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit, si dhe rritjen e efektivitetit të këtyre politikave. Në këtë kontekst, Guvernatori nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të këtyre politikave në përmbushjen e objektivave individualë: ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe qëndrueshmërinë fiskale.

Në vazhdim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko theksoi se ruajtja e inflacionit në nivelin 3 për qind mbetet objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë, dhe me stabilizimin e kursit të këmbimit, inflacioni pritet të kthehet në objektiv brenda dy viteve të ardhshme. Banka e Shqipërisë do të përdorë çdo instrument të saj ligjor për arritjen e stabilitetit të çmimeve.

Një tjetër temë e trajtuar nga Guvernatori në këtë samit ishte procesi i digjitalizimit, si një proces mjaft i rëndësishëm për sektorin bankar, ku Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e saj në zhvillimin e tij. Për këtë qëllim, janë miratuar ndryshime thelbësore në kuadrin rregullator të sistemit të pagesave, të cilat do të ndikojnë në nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit në fushën e pagesave me vlerë të vogël.

DSC 0652 - 498Copy

Më tej, Guvernatori bëri një ekspoze të sfidave të reja me të cilat përballen sot bankat qendrore, ku ndër më kryesoret është mbështetja e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, nëpërmjet përafrimit të politikave dhe praktikave të brendshme me ato të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ).

***

Më herët, në datë 12 qershor 2019, Guvernatori Sejko mori pjesë edhe në Konferencën e 8-të të Bankës Qendrore Evropiane për vendet e Evropës Qendrore Lindore dhe Juglindore (EQLJL), me temë “Qëndrueshmëria ndaj zhvillimeve të pafavorshme globale? Reagimet e vendeve të EQLJL-së ndaj ndryshimeve në kontekstin tregtar dhe financiar”, mbajtur në Frankfurt, Gjermani. E konceptuar në dy sesione dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të BQE-së, guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të EQLJL-së, si dhe ekspertëve të sektorit bankar dhe financiar, konferenca trajtoi sfidat e këtij rajoni në përgjigje të tronditjeve tregtare dhe reagimin e politikës monetare ndaj tronditjeve financiare.

DSC 0639 -498 Copy

Gjatë diskutimeve të konferencës, Guvernatori Sejko, në ndërhyrjen e tij mbi eksperiencën e Shqipërisë ndaj sfidave aktuale, theksoi rëndësinë e kreditimit të ekonomisë, një proces i cili duhet mbështetur nga sektori bankar dhe më gjerë. Rezultatet pozitive të planit ndërinstitucional për uljen e kredive me probleme dhe konsolidimi i sektorit bankar janë faktorë të rëndësishëm që i japin frymëmarrjen e nevojshme ndërmjetësimit financiar të  ekonomisë. Megjithatë, përmirësimi i klimës së biznesit dhe vazhdimi i reformave strukturore përbëjnë parakushte të padisktueshme për nxitjen e kreditimit të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm.