BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë dhe normat e interesit

Data e publikimit: 21.09.2005

 

Shqetësimi i ditëve të fundit i ngritur në media lidhur me normat relativisht të larta të interesit të bonove të thesarit është i drejtë, dhe Banka e Shqipërisë prej disa kohësh është duke ndjekur me kujdes zhvillimet e tregut dhe implikimet që mund të rrjedhin prej tyre, si në vështirësimin e financave të qeverisë ashtu dhe në ndikimin që mund të kenë mbi inflacionin dhe ekonominë. Nisur nga pozicioni i saj, Banka e Shqipërisë ndien të nevojshme të sqarojë disa çështje që mendojmë se ndihmojnë publikun për të vlerësuar më drejt situatën aktuale.

Së pari, politika monetare e zbatuar aktualisht nga Banka e Shqipërisë që prej fillimit të këtij viti ka qene përgjithësisht neutrale. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që Banka e Shqipërisë nuk ka vepruar për të ndryshuar koston e parasë në treg. Norma bazë e interesit ka mbetur e pandryshuar në nivelet më të ulëta historike të saj 5% që prej muajit Mars të vitit 2005. Ky vendim i politikës monetare është bazuar në radhë të parë në pritshmëritë e ulëta të inflacionit, që përbën dhe objektivin kryesor të Bankës së Shqipërisë, dhe së dyti, në nxitjen e kreditimit të ekonomisë që është pasqyruar dhe në rritjen e agregatëve të tillë si M3. Lëvizjet e normave të interesit, të inicuara dhe të mbështetura nga Banka e Shqipërisë, synojnë krijimin e kushteve të përshtatshme monetare në ekonomi për kontrollin e inflacionit. Ato nuk kanë dhe nuk mund të kenë qëllime të tjera, si nxitjen apo frenimin e politikës fiskale në rastin në fjalë.

Së dyti, një ndër elementët bazë të marrëveshjeve me institucione të rëndësishme financiare si Fondi Monetar Ndërkombëtar është respektimi i deficitit buxhetor nga ana e qeverisë, i cili pasqyrohet dhe në Ligjin për Buxhetin, që miratohet nga Parlamenti. Këto marrëveshje, që nënshkruhen zakonisht në fillim të çdo viti, nuk ndikohen nga ngjarje të tilla si ndryshimi i qeverive. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për marrëdhëniet e Bankës së Shqipërisë me qeverinë, të cilat janë plotësisht të rregulluara dhe të publikuara në faqen e saj të internetit. Shmangiet që mund të jenë vënë re nuk janë të pazakonshme dhe nuk rrezikojnë financat e qeverisë për pjesën e mbetur të vitit.

Së treti, rritja e normave të interesit të bonove të thesarit në treg, duke mbajtur parasysh që shpenzimet qeveritare janë jo shumë larg parashikimeve, është ndikuar përveç të tjerave dhe nga rritja e interesit të bankave drejt kredisë së sektorit privat. Deri në korrik, kredia e sektorit privat është rritur gati 40 për qind kundrejt vlerës prej 18 për qind të të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Kanalizimi në rritje i fondeve drejt ekonomisë ka bërë që kërkesa e bankave për letrat me vlerë të qeverisë të bjerë, duke shkaktuar një rritje të interesave. Ky fenomen nuk është diçka e papritur. Ai tërheq vëmendjen për gjetjen e burimeve të reja të financimit nga ana e qeverisë me rritjen e peshës së sektorit privat në kreditimin e bankave. Pa paragjykuar nivelin aktual të interesave, që duhet theksuar se është rezultat i një tregu të lirë, Banka e Shqipërisë është duke shqyrtuar masat që duhet të marrë për ta bërë sa më të lehtë këtë proces të mirëpritur të rritjes së kreditimit të sektorit privat.