BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendos për uljen e normës bazë të interesit me 0.25 për qind

Data e publikimit: 28.07.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 28 korrik 2004, vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Pas këtij ndryshimi, norma e interesit që do të zbatohet në ankandet njëjavore të Marrëveshjeve të Riblerjes (Repo) do të jetë 5.5 për qind. Ky nivel përbën një tjetër minimum të ri historik për normën bazë të interesit në Shqipëri.

Marrja e vendimit për uljen e normës bazë të interesit mbështetet në ecurinë dhe pritshmëritë për nivele nën kontroll të inflacionit dhe stabilitetit të treguesve makroekonomikë. Mbas disa presioneve inflacioniste gjatë tremujorit të parë të vitit, norma e inflacionit i është kthyer niveleve të ulëta. Rënia e normës së inflacionit ka ardhur pjesërisht si rezultat i prodhimit bujqësor relativisht të bollshëm. Ky prodhim u fut në treg më shpejt se një vit më parë, duke sjellë një efekt sezonal të hershëm në uljen e Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Njëkohësisht, kushtet monetare në ekonomi: likuiditeti, niveli i normave të interesit dhe mbiçmimi i lekut kundrejt valutave kanë kontribuar në qetësimin e presioneve inflacioniste.

Viti 2004 paraqet në tërësi një situatë të favorshme për zhvillimin ekonomik. Stabiliteti makroekonomik dhe zhvillimi i sektorit privat vazhdojnë të përbëjnë baza të qendrueshme për rritjen e aktivitetit ekonomik. Gjithashtu, reduktimi i problemeve energjitike, mbështetja më e mirë e nevojave të ekonomisë për kreditim nga sistemi bankar dhe përdorimi i një pjese të të ardhurave të privatizimit të Bankës së Kursimeve për financimin e projekteve publike do t'i japin më shumë hapësira zhvillimi ekonomisë për pjesën e mbetur të vitit 2004.

Banka e Shqipërisë vlerëson se situata makroekonomike është përgjithësisht e favorshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve edhe për horizontin kohor afatmesëm. Parashikimet tregojnë se inflacioni do të jetë i ulët gjatë periudhës afatmesme dhe brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë për fundin e vitit 2004.

Situata monetare dhe ajo fiskale janë nën kontroll. Shpenzimet qeveritare dhe deficiti buxhetor janë duke ecur sipas rrugës së parashikuar vjetore. Gjithashtu, kushtet monetare rezultojnë të kontrolluara dhe ushtrojnë ndikim pozitiv në përmbushjen e objektivit të inflacionit. Treguesit e likuiditetit: normat vjetore të rritjes së agregatëve monetarë dhe raporti i parasë jashtë bankave ndaj ofertës monetare paraqiten të favorshme për respektimin e objektivit të inflacionit. Nga ana tjetër, inflacioni i ulët ka kontribuar në ruajtjen e niveleve pozitive dhe të pranueshme të normave të interesit të lekut, duke ruajtur besimin e qytetarëve për të depozituar kursimet e tyre në lekë. Normat reale të interesit të lekut dhe diferenca e tyre me valutën janë një prej shkaqeve që ka ndikuar në mbiçmimin e lekut.

Ulja e normës bazë të interesit është konsistente me politikën e Bankës së Shqipërisë për të ruajtur në ekonomi kushtet më të favorshme monetare të cilat përputhen me objektivin e inflacionit. Reduktimi i kostos së huamarrjes së lekut në ekonomi do të nxisë kreditimin në lekë, do të ulë koston e borxhit të qeverisë dhe do të lehtësojë presionet mbiçmuese të lekut, pa shkaktuar presione të dëmshme mbi inflacionin.