BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendos të rrisë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, në nivelin 6.00 për qind

Data e publikimit: 26.09.2007

 

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 26 shtator 2007, pasi mori në shqyrtim zhvillimet më të fundit ekonomiko - financiare vendosi të rrisë normën bazë të interesit (interesi i marrëveshjeve të riblerjes me maturim shtatëditor) me 0.25 pikë përqindjeje, në nivelin 6.00 për qind.

Të dhënat për ecurinë e treguesve ekonomikë flasin për praninë e rreziqeve që ushtrojnë presione rritëse mbi normën e inflacionit përtej objektivit të Bankës së Shqipërisë. Rritja e çmimeve të administruara dhe çmimet e larta të lëndës së parë në nivel botëror po përcillen në koston e produkteve në vend. Gjatë dy muajve të fundit, zhvillimet e çmimeve të artikujve bujqësorë kanë kthyer tendencën rënëse, e cila ka zbutur presionet inflacioniste në dy vitet e fundit. Gjithashtu, kostoja në rritje e energjisë në aktivitetin ekonomik po evidentohet në ecurinë e nivelit të përgjithshëm të çmimeve. Këto efekte pritet të shtrihen në kohë duke ruajtur presionet e kahut të ofertës.

Aktiviteti i ekonomisë është mbështetur nga rritja e kredisë gjatë dy viteve të fundit. Ritmet e larta të kredisë kanë ushqyer kërkesën agregate dhe kanë lejuar përcjelljen e kostove më të larta në rritjen e çmimeve të konsumit. Rritja e kërkesës së ekonomisë për mallra dhe shërbime është shoqëruar me zgjerimin e deficitit të llogarisë korente.

Ky vendim është në vijim të komunikimeve më të hershme, të bëra të njohura publikisht nga ana e Këshillit Mbikëqyrës. Në qendër të tij është vendosmëria jonë për të mbajtur të ankoruara pritjet inflacioniste rreth nivelit 3 për qind, i cili është dhe objektivi numerik i politikës tonë monetare.

Informacioni shtesë gjatë muajve shtator-tetor do të qartësojë nevojën për hapa të mëtejshëm në drejtim të stabilizimit të pritshmërive për inflacionin, në përputhje me objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Duke qenë se Banka e Shqipërisë është autoriteti licencues dhe i mbikëqyrjes së sistemit bankar, Këshilli Mbikëqyrës rithekson gatishmërinë e tij për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë ligjore jo vetëm në drejtim të stabilitetit të çmimeve të konsumit por edhe në drejtim të stabilitetit financiar të sistemit bankar.