BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendos të ulë normën bazë të interesit me 0,25 pikë përqindje

Data e publikimit: 29.04.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të radhës, në datë 28 prill 2004, ndërmjet të tjerash analizoi përshtatshmërinë e politikës monetare aktuale të lidhur me ecurinë, parashikimet dhe pritshmëritë më të fundit të inflacionit.

Duke vlerësuar me kujdes:

  • zhvillimet në treguesin e inflacionit në periudhën e fundit, veçanërisht shifrën e muajit mars;
  • ecurinë e treguesve kryesorë makroekonomikë, veçanërisht zhvillimet e fundit në kursin e këmbimit, si rezultat i të cilave leku ka njohur një mbiçmim të dukshëm si ndaj euros ashtu edhe ndaj dollarit amerikan;
  • ekzistencën e një diference ende të lartë midis normave të interesit për investimet në lekë me ato në euro dhe në dollar;
  • qëndrimin e moderuar të të dy politikave bazë në ekonomi si të asaj monetare ashtu dhe asaj fiskale, treguesit kryesore të të cilave vlerësohet se kanë ndjekur zhvillime jo ekspansioniste;
  • parashikimet dhe pritshmëritë për një rikthim të inflacionit brenda intervalit objektiv, përfshirë dhe të dhënat e para në lidhje me çmimet e produkteve ushqimore për muajin prill 2004;

me qëllim për të ulur akoma më tej koston e huamarrjes në ekonomi, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit (normën e interesit të marrëveshjeve te riblerjes).
Në këtë mënyrë, norma bazë e interesit në ekonomi bëhet 6.25 për qind.

Ulja e normës së interesit do të mundësojë një bashkëjetesë më të mirë të kushteve monetare në ekonomi me respektimin e objektivit të inflacionit dhe nevojat e zhvillimit të vendit.

Vendimi për uljen e normës bazë të interesit, pritet të ndikojë në një ulje të përgjithshme të normave të interesit në ekonomi, duke mbështetur kreditimin e sektorit privat.

Gjithashtu, reduktimi i diferencës së normave të interesit të monedhës vendase me valutat e huaja, kryesisht euro dhe dollarin amerikan, gjykohet se do të ndikojë në zbutjen e presioneve mbi lekun duke mbështetur më tej zhvillimet në sektorin real të ekonomisë.

Ndërkohë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se moment i marrjes së këtij vendimi është i ai i duhuri dhe se në vazhdimësi do të tregohet kujdes i madh në monitorimin dhe analizmin e zhvillimeve ekonomiko - financiare si brenda dhe jashtë vendit me qëllimin e vetëm për të ndërmarrë veprimet e duhura në kohën dhe në drejtimin e duhur.