BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 26 shkurt 2004

Data e publikimit: 25.02.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 25 shkurt 2004, pasi shqyrtoi propozimet e disa departamenteve, vendosi të miratojë:

1. Deklaratën e Bankës së Shqipërisë "Mbi kërcënimin e stabilitetit të sistemit financiar në Shqipëri".

Banka e Shqipërisë, në zbatim të kërkesave të ligjit, ka vijuar të ushtrojë me përgjegjësi detyrimin e saj ligjor për mbikëqyrjen e sistemit bankar, për identifikimin në kohë dhe për eliminimin e zhvillimeve të cilat mund të përfaqësojnë një kërcënim të mundshëm për mirëfunksionimin e tij. Nëpërmjet respektimit të objektivit kryesor të saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut konkret në rritjen ekonomike në tërësi, si edhe në stabilitetin e sistemit financiar.

Banka e Shqipërisë konstaton se në pjesën e dytë të vitit 2003, u evidentuan zhvillime pozitive në sistemin bankar të cilat do të ndikojnë në qëndrueshmërinë e tij dhe në rritjen e besimit të publikut. Sistemi bankar është tashmë më i pranishëm në ekonominë e vendit nëpërmjet hapjes së degëve të reja nga bankat, nëpërmjet prezantimit të instrumenteve bashkëkohore të shërbimit bankar, nëpërmjet rritjes së kreditimit ndaj ekonomisë etj.. Kjo periudhë ka shënuar edhe konsolidim në veprimtarinë e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, një institucion i rëndësishëm në marrëdhëniet e sistemit bankar me depozituesit.

Ndër treguesit kryesorë të sistemit bankar për vitin e kaluar, përmendim:

Treguesi

Dhjetor 2002

Nëntor 2003

Mjaftueshmëria e kapitalit

31.60%

33.50%

Kapitali aksioner (milionë lekë)

21,620.00

24,267.00

Rezultati neto (milionë lekë)

3,878.00

4,530.00

Kredia e re (milionë lekë)

62,597.00

78,206.00

Kredia me probleme neto / kredia neto

2.80%

2%

Kredia me probleme, bruto / totali i bilancit

0.60%

0.60%

Banka e Shqipërisë nuk konstaton ndonjë element, i cili përfaqëson kërcënim për ecurinë e qendrueshme të sistemit bankar edhe në të ardhmen. Megjithatë, si edhe më parë, Banka e Shqipërisë dëshiron ta shfrytëzojë këtë mundësi ligjore për të tërhequr vëmendjen rreth disa zhvillimeve, të cilat janë ose mund të shndërrohen në shqetësime të sistemit bankar. Më konkretisht:

  • Banka e Shqipërisë dëshiron të shprehë edhe një herë synimin e saj të vazhdueshëm për reduktimin e parasë cash në ekonominë e vendit, si një ndër zhvillimet e nevojshme në reduktimin e ekonomisë joformale. Banka e Shqipërisë kërkon përfshirjen në këtë proces, me një angazhim edhe më të madh, të të gjithe institucioneve përkatëse të shtetit. Në këtë mënyrë, do të krijohen kushte më të mira për shmangie të evazionit fiskal, për rritje të të ardhurave të buxhetit të shtetit, për reduktimin e ndjeshëm të mundësive për veprimtari financiare të paligjshme, për rritje të potencialeve të sistemit bankar për të ndërmjetësuar në zhvillimin e ekonomisë, si edhe per rritje të mëtejshme të efektivitetit të politikës monetare. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë inkurajon çdo përpjekje të sistemit bankar që synon afrimin e publikut nëpërmjet ofrimit të shërbimeve bankare bashkëkohore.
  • Ndryshimet strukturore në sistemin bankar, duke përfshirë edhe privatizimin e Bankës së Kursimeve, do të ndikojnë në rritjen e shkallës së konkurrencës në sistemin bankar. Ato pritet të shoqërohen me rritjen e kapaciteteve të kreditimit të ekonomisë, me zvogëlim të kostos së kryerjes së shërbimeve bankare dhe me një përfitueshmëri më të madhe për depozituesit. Rritja e konkurrencës mund të sjellë edhe zvogëlimin e marzhit të fitimit për banka të veçanta, gjë që do të vendosë në provë cilësinë e politikave ekzistuese të kreditimit dhe të administrimit të fondeve përkundrejt nevojës së ruajtjes së pjesës së tregut apo të marzhit ekzistues të fitimit. Imponohet kështu, nevoja për rishikimin e politikave ekzistuese të bankave në mënyrë që ato të reflektojnë realitetin e ndryshuar si edhe të pritshëm në mjedisin konkurrues.
  • Rritja e kreditimit për ekonominë, është një zhvillim i mirëpritur i cili do t'i japë frymëmarrje më të gjerë aktivitetit prodhues në vend. Kjo rritje, pritet të vijojë edhe gjatë vitit 2004 me një ritëm të lartë. Në këto kushte, ruajtja e cilësisë së kredisë në nivele të pranueshme, fiton rëndësi edhe më të madhe. Për këtë arsye, nevojitet forcimi i mëtejshëm i sistemeve të kontrollit të këtij aktiviteti në banka dhe ndjekja e tij në mënyrë të vazhdueshme. Banka e Shqipërisë shfrytëzon edhe një herë këtë mundësi për të tërhequr vëmendjen e bankave të nivelit të dytë, mbi strukturën e kredisë. Përbërja e saj sipas monedhave si edhe sipas afateve, duhet të reflektojë qëndrimin e bankës ndaj rrezikut aktual të aktivitetit si edhe ndaj zhvillimeve të pritshme në treguesit makrofinanciarë me ndikim të drejtpërdrejtë në pozicionin e kredimarrësit ndaj bankës. Aktualisht, rreth 82 për qind e kredisë është në monedhë të huaj, një shifër e cila duhet të sensibilizoje bankat si edhe publikun mbi nevojën për një trajtim më të kujdesshëm të këtij aktiviteti. Njohja më e studiuar e niveleve aktuale dhe të pritshme të rrezikut nga ana e bankës, do të mundësojë krijimin e rezervave të mjaftueshme në kohën e duhur, si edhe do të shmangë luhatjet e ndjeshme në rezultatin financiar të sistemit. Banka e Shqipërisë gjykon që përpjekjet për krijimin e Zyrës së Informacionit të Kredive nga bankat e nivelit të dytë duhet të intensifikohen, në mënyrë që të realizohet sa më shpejt kjo strukturë me ndikim të rëndësishëm në mirëadministrimin e aktivitetit kreditues të sistemit bankar.
  • Pavarësisht nga zhvillimet pozitive në funksionimin e zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Patundshme, Banka e Shqipërisë konstaton vështirësi dhe probleme të klientelës së sistemit bankar për të proceduar me regjistrimin e pasurive të patundshme, si pjesë e rëndësishme e sigurisë në procesin e kreditimit. Shpesh, procesi i regjistrimit të pasurive të patundshme, është i shoqëruar me paqartësi dhe vonesa të pajustifikuara, që dëmtojnë procesin e ndërmjetësimit të sistemit bankar dhe kufizojnë rolin e tij në rritjen dhe në zhvillimin e ekonomisë.
  • E konsiderojmë të rëndësishme të ritheksojmë nevojën për bashërendim në nxjerrjen dhe në zbatimin e akteve administrative të institucioneve të shtetit, të cilat lidhen me veprimtarinë e sistemit bankar, me marrëdhëniet e tij me klientët dhe me Bankën e Shqipërisë si institucioni mbikëqyrës. Në disa raste kemi vërejtur se aktet rregullative të Bankës së Shqipërisë nuk njihen siç duhet nga institucione të tjera të shtetit dhe atyre nuk iu kushtohet vëmendja e duhur në rastin kur këto institucione ndërveprojnë me sistemin bankar. Këto ngjarje duhet të evitohen pasi, në raste ekstreme, ato mund të behen shkak për cënimin e marrëdhënieve midis sistemit bankar dhe klientëve të tij.

Së fundi, Banka e Shqipërisë shpreh besimin se viti 2004 do të shënojë zhvillime, të cilat do të ndikojnë në konsolidimin e mëtejshëm të sistemit bankar dhe në rritjen e rolit të tij në zhvillimet ekonomike në vend.

2. Raportin e Politikës Monetare për muajin janar 2004.

Zhvillimet kryesore të muajit.

  1. Norma vjetore e inflacionit në muajin janar 2004 arriti në 3.3 për qind, duke mbetur në një njëjtin nivel të shënuar në muajin dhjetor 2003. Norma mjuore e inflacionit ishte - 0.2 për qind ndërsa norma mesatare vjetore e inflacionit u rrit lehtësisht në vlerën 2.65 për qind.
  2. Grupi "Ushqime dhe pije joalkolike", ka dhënë kontributin kryesor në inflacionin vjetor. Ndikim në vlerën e inflacionit në muajin janar kanë dhënë edhe rritjet e çmimeve të administruara: si rritja e tarifave të komunikimit dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike.
  3. Muaji janar 2004 ka respektuar tendencën historike të normave negative mujore të inflacionit në këtë muaj gjatë viteve të fundit. Norma mujore prej - 0.2 për qind në janar 2004 mbetet poshtë mesatares.
  4. Niveli absolut i ofertës monetare në muajin dhjetor, ka rezultuar gati i njëjtë me atë të muajit nëntor, si pasojë e ndryshimeve në kahe të kundërta të ofertës monetare në lekë dhe depozitave në valutë.
  5. Rezerva valutore bruto e Bankës së Shqipërise në muajin dhjetor arriti nivelin 1.025 miliardë dollarë, duke u rritur me rreth 50 milionë usd krahasuar me një muaj më parë. Ajo është rritur si pasojë e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në tregun valutor në kahun e blerjes së valutës gjatë muajit dhjetor dhe e mbiçmimit të euros ndaj dollarit.
  6. Si në çdo fillim viti, kërkesa e qeverisë për financim ka qenë e ulët. Deficiti buxhetor është financuar pothuajse tërësisht nga bankat e nivelit të dytë. Në financimin e këtij deficiti kanë kontribuar edhe individët, të cilët kanë rritur portofolin e tyre.
  7. Gjatë muajit janar, kursi i këmbimit të lekut ka vazhduar të qëndrojë afërsisht në të njëjtat nivele me ato të muajit dhjetor. Leku është mbiçmuar mesatarisht me rreth 2.3 për qind kundrejt dollarit dhe është nënçmuar mesatarisht me rreth 0.3 për qind kundrejt euros.
  8. Muaji janar vijoi të shënonte tepricë likuiditeti pranë Bankës së Shqipërisë. Ulja e parasë jashtë bankave është reflektuar në rritjen graduale të likuiditetit të tepërt të bankave.
  9. Normat e interesit të lekut kanë qenë në rënie, si pasojë e uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Ulje janë vërejtur edhe në normat e interesit të depozitave në valutë.

Raporti mujor i politikës monetare do të publikohet i plotë në faqen e internetit të BSH dhe në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.


3. Rregulloren "Për parandalimin e pastrimit te parave".

Kjo rregullore zëvendësoi udhëzimin e mëparshëm dhe përcakton rregulla të detyrueshme për t'u zbatuar nga bankat dhe subjektet e tjera të licencuara nga Banka e Shqipërisë, jo të karakterit udhëzues por me të njëjtën fuqi si dhe rregulloret e tjera të mbikëqyrjes bankare, ndaj u quajt "rregullore" dhe jo "udhëzim".

Rishikimi i udhëzimit ekzistues "Për parandalimin e pastrimit të parave" erdhi si pasojë e miratimit të ligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për parandalimin e pastrimit të parave"". Në rregulloren e miratuar përveç ndryshimeve të ligjit janë pasur në konsideratë edhe:

  • verejtjet e grupit të ekspertëve të komisionit evropian për luftën kundër pastrimit të parave dhe terrorrizmit;
  • 40 rekomandimet e FATF (Financial Action Task Force) si dhe 8 rekomandimet e shtuara aktualisht për efekt të luftës kundër terrorrizmit,
  • direktiva e Këshillit të Evropës (2001/97EC ndryshuar me direktiven 91/308/EEC) "Për parandalimin e përdorimin të sistemit financiar për qëllim të pastrimit të prave".

Kjo rregullore është hartuar me asistencë edhe të këshilltarëve të huaj, ndryshimet e bëra konsistojnë në:

  • përcaktimin e rasteve kur subjekti duhet të bëjë identifikimin e klientit;
  • përcakton dokumentat që duhet të paraqesë në cdo rast klienti në bankë për identifikim;
  • ligji kërkon që identifimi të bëhet me dokumentacionin origjinal, në rregulloren e paraqitur është saktësuar që këto dokumenta fotokopjohen nga banka vulosen prej saj dhe mbahen në dosjen e klientit;
  • është përfshirë rasti i veprimit me llogari elektronike (e-banking account);
  • veprimet e bankës kur identifikon një transaksion të dyshimtë;
  • përcaktohen procedurat e brendshme që duhet të ketë banka, të miratuara nga Këshilli Drejtues, lidhur me parandalimin e pastrimit të parave;
  • rolin e Bankës së Shqipërisë si autoritet mbikëqyrës për parandalimin e pastrimit të parave;
  • është shtuar edhe një element që raportet për transaksione të dyshimta të dërgohen jo vetëm tek autoriteti përgjegjës por edhe në Bankën e Shqipërisë;
  • janë bërë disa shtesa tek aneksi 1 i rregullores duke përfshirë edhe aktivitete të tjera të papërfshirë më parë;
  • është shtuar një aneks i ri duke listuar të gjitha llojet e transaksioneve që bankat duhet të njoftojnë autoritetin përgjegjës.

Kjo rregullore së bashku me anekset e saj do t'iu shërbejë bankave dhe subjekteve të tjera për të parandaluar përdorimin e bankave si rrugë për pastrimin e parave dhe financimit të terrorizmit.

Rregullorja e miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës "Për parandalimin e pastrimit të parave" do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtyare të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe:

4. Informacionin "Mbi zhvillimet në sistemin bankar dhe në aktivitetin e mbikëqyrjes bankare për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2003."

Banka e Shipërisë, në funksion të njërit prej qëllimeve të saj më të rëndësishme: ruajtjes së qëndrueshmërisë së sistemit bankar, ka kryer disa ekzaminime të plota dhe të pjesshme në bankat e nivelit të dytë, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2003. Këto ekzaminime kanë pasur si synim vlerësimin e gjendjes financiare dhe të administrimit të bankave dhe degëve të bankave të huaja në përputhje me ligjet "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe "Për Bankën e Shqipërisë" dhe me aktet nënligjore në fuqi.

Në përgjithësi, gjendja në sistemin bankar paraqitet e mirë. Në këtë përfundim, Banka e Shqipërisë ka arritur pas ekzaminimeve që ka kryer në bankat dhe në degët e bankave që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë. Në dhjetor të vitit të kaluar u realizua privatizimi i plotë i Bankës së Kursimeve nëpërmjet shitjes së saj tek banka austriake Raiffeisen Zentralbank. Privatizimi i kësaj banke, e cila zë pjesën dominuese të tregut të sistemit bankar, konsiderohet si një arritje për momentin, duke shpresuar për përmirësime të ndjeshme në administrimin e Bankës dhe në pothuajse të gjithë infrastrukturën bankare. Bankat kanë vazhduar të zgjerojnë rrjetin e aktivitetit të tyre nëpërmjet hapjes së degëve të reja në qytete të ndryshme të vendit.

Disa nga karakteristikat kryesore që u vunë re në sistemin bankar gjatë këtij gjashtëmujori janë:

  1. Bankat në përgjithësi janë paraqitur me një gjendje likuiditeti të mirë. Kjo vjen si rezultat i investimit në zëra likuidë si; vendosje në bankat e tjera apo investime në bono thesari të Qeverisë Shqiptare.
  2. Megjithëse në vlerë absolute kemi një rritje të aktivitetit të kredidhënies nga disa banka, në përgjithësi, bankat vazhdojnë të tregohen të kujdesshme në drejtim të zgjerimit të këtij aktiviteti.
  3. Bankat vazhdojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre nëpërmjet hapjes së degëve apo te agjencive të reja në qytete të ndryshme në jug dhe në veri të vendit.
  4. Administrimi i bankave në përgjithësi ka reaguar pozitivisht ndaj vërejtjeve të ngritura nga ekzaminimet e kryera.

Problemet më kryesore të ngritura në vemendje të bankave të nivelit të dytë, në drejtim të të cilave ato duhet të përsosnin më tej punën e tyre, janë përmbledhur si më poshtë:

  1. Respektimi më rigoroz i ligjit nr. 8365, datë 02.07.1998 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", neni 6, për mbajtjen e dokumentacionit dhe të korrespondencës në gjuhën shqipe.
  2. Zbatimi me korrektësi i ligjit nr. 8365, datë 02.07.1998 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", neni 20, lidhur me rritjen e rolit të komitetit të kontrollit të vetë bankës.
  3. Respektimi i rregullores së Bankës së Shqipërisë "Për madhësinë dhe plotësimin e kapitalit minimal fillestar për veprimtaritë e lejuara për bankat dhe degët e bankave të huaja të liçencuara" lidhur me ruajtjen e nivelit të kapitalit bazë mbi nivelin e kapitalit minimal të kërkuar (700 milionë lekë), si dhe me mbajtjen e kapitalit në nivelin e licencës së dhënë nga Banka e Shqipërisë.
  4. Respektimi më rigoroz i kërkesave të rregullores "Për veprimtarinë valutore", të nxjerë nga Banka e Shqipërisë, lidhur me plotësimin e dokumentacionit për qëllimin e transfertave.
  5. Respektimi i rregullores së Bankës së Shqipërisë "Për administrimit të rrezikut të kredisë", në lidhje me klasifikimin e drejtë të kredive dhe me parashikimin e fondit të nevojshëm rezervë për mbulimin e humbjeve nga kreditë.
  6. Plotësimi i kërkesave të udhëzimit të Bankës së Shqipërisë për kontrollin e brendshëm në banka dhe në degët e bankave të huaja, lidhur me forcimin dhe me funksionimin e këtij kontrolli.
  7. Llogaritja e saktë e mjaftueshmërisë së kapitalit duke e ponderuar me peshën përkatëse të rrezikut për disa zëra të aktivit.
  8. Përsosja e integrimit të sistemeve të teknologjisë së informacionit në pothuajse të gjitha bankat e sistemit, lidhur me masat që duhen marrë për rritjen e sigurisë dhe të eficencës së këtyre sistemeve.
  9. Rritja e vëmendjes së administrimit ndaj procesit të punës dhe produkteve të ekspertit kontabël të autorizuar.

Lidhur me problemet e renditura më sipër, Departamenti i Mbikëqyrjes ka bërë dhe rekomandimet përkatëse për çdo bankë në veçanti, duke përcaktuar dhe afate konkrete për plotësimin e këtyre rekomandimeve. Banka e Shqipërisë do të vijojë të ndjekë në mënyrë të vazhdueshme zbatimin e rekomandimeve të lëna prej saj.

5. Në këtë mbledhje u miratuan edhe disa vendime të tjera, që lidhen me aktivitetin e Bankës së Shqipërisë.