BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 02.12.2005

 

Në mbledhjen e zhvilluar në datat 30 nëntor 2005 Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pasi shqyrtoi materialet e paraqitura prej Departamentit të Politikave Monetare dhe Departamentit të Operacioneve Monetare të Bankës së Shqipërisë miratoi :

RAPORTIN E POLITIKËS MONETARE PËR MUAJIN TETOR 2005

Norma vjetore e inflacionit në muajin tetor shënoi vlerën 3.3 për qind, duke shënuar një rritje të lehtë kundrejt vlerës 3.1 për qind të rregjistruar në muajin paraardhës. Rritja e lehtë e inflacionit në muajin tetor erdhi si pasojë e rritjes së çmimeve të lëndëve djegëse dhe të naftës. Pavarësisht nga prania e goditjeve të tilla nga ana e ofertës, politika monetare dhe ajo fiskale vazhdojnë të kontribuojnë në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për kontrollin e presioneve inflacioniste. Norma mesatare vjetore e inflacionit mbeti në nivelin 2.3 për qind në muajin tetor.

Zhvillimet monetare në ekonomi kanë qenë të qëndrueshme gjatë muajve shtator - tetor. Presionet e vërejtura gjatë muajve të verës mbi likuiditetin dhe mbi normat e interesit kanë rënë. Banka e Shqipërisë, nëpërmjet instrumenteve të saj operacionalë, ka arritur stabilizimin e situatës monetare dhe rivendosjen e ekuilibrit në tregjet financiare. Norma e rritjes së ofertës monetare dhe ajo e kërkesës së brendshme për para kanë shfaqur rënie gjatë muajve të verës. Ngadalësimi i rritjes vjetore të agregatit monetar M3 u favorizua nga ulja e ritmit të rritjes së kërkesës për mjete monetare në lekë. Kjo ka ardhur kryesisht si rezultat i plotësimit të nevojave për likuiditet të qeverisë pas rikthimit të saj në kushte ekuilibri. Kërkesa e sektorit privat për kredi vazhdon të mbetet në nivele të larta. Kredia e re e akorduar për ekonominë në muajin shtator shënoi 11.3 miliardë lekë ose 2 herë më shumë se një vit më parë.

Bazuar në sa më sipër si dhe në projeksionet e modeleve parashikuese të inflacionit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të mos ndryshojë qëndrimin e politikës monetare, duke mbajtuar normën e interesit për marrëveshjet e riblerjes me afat maturimi njëjavor në nivelin 5.00 për qind.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë po vlerëson me kujdes të gjitha ndërlikimet që mund të shoqërojnë krizën aktuale energjitike, dinamikat e së cilës bëhen më shqetësuese në kushtet e ekzistencës së çmimeve të larta të naftës dhe të nënprodukteve të saj. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë po analizon me kujdes edhe efektet e mundshme negative që mund të shfaqen në një kohë të dytë. Për këtë qëllim po monitorohen me kujdes zhvillimet në sistemin e pagave, në pritshmëritë për inflacionin e së ardhmes dhe në kostot e produkteve në përgjithësi. Për të minimizuar këto efekte negative të ashtuquajtura "efekte të raundit të dytë" Banka e Shqipërisë, po punon për identifikimin në kohë të tyre me qëllim që t'i paraprijë ato me vendimet e duhura.

Raporti i politikës monetare do të publikohet i plotë në Buletinin Zyrtar dhe në Faqen e Internetit të Bankës së Shqipërisë.

Rregulloren "Mbi Kredinë Brënda Ditës për bankat e nivelit të dytë"

Kjo rregullore zëvendëson rregulloren ekzistuese "Mbi kredinë brënda ditës". Rregullorja e re eshte trajtuar nga një këndvështrim i ri që synon një menaxhim aktiv të likuiditeteve nga ana e bankave të nivelit të dytë si dhe përfshirjen më aktive të tyre në procesin e vlerësimit të kolateralit. Në këtë mënyre rritet roli i bankave në drejtim të përdorimit të instrumentave të ofruara nga Banka e Shqipërisë, rol i cili konsiston jo vetëm ne frekuencën,sasinë dhe kohën e përdorimit të tij por edhe në drejtim te rritjes së inisiativave të tyre. Miratimi i kësaj rregulloreje do të ndihmojë në një rritje cilësore të instrumentit të kredisë brënda ditës në përshtatje me të gjithë kuadrin e instrumentave të Bankes së Shqipërisë.

Kjo rregullore do të hyjë në fuqi menjëherë pas publikimit në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.


Këshilli Mbikëqyrës, në këtë mbledhje analizoi pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për muajin tetor 2005 dhe informacionin:

"PËR GJENDJEN FINANCIARE TË SISTEMIT BANKAR SHQIPTAR PËR TREMUJORIN E TRETË TË VITIT 2005".

Tremujori i tretë, prezanton një sistem bankar me rritje të totalit të aktiveve me rreth 16 miliardë lekë ose 3.3 për qind, nga 22 miliardë lekë ose 4.8 për qind në tremujorin e dytë. Grupi i bankave të mëdha vazhdon të japë kontributin kryesor në rritjen e aktivitetit bankar, ndërsa tendenca në rënie e këtij ritmi tregon për reduktimin e përqendrimit të sistemit dhe përmirësimin e kushteve të konkurrencës.

Tremujori i tretë evidenton shpërndarje më të diversifikuar të portofolit të sistemit bankar. Sistemi bankar është orientuar drejt aktivitetit kreditues, duke u zhvendosur disi nga investimet në letrat me vlerë të Qeverisë Shqiptare. Rrjedhimisht, portofoli i kredive përbën rreth 23 për qind të portofolit nga 15 për qind në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Grupi i bankave të mëdha vazhdon të japë ndikimin kryesor në zgjerimin e aktivitetit kreditues, ndonëse pesha e portofolit të tyre të huasë ndaj totalit të portofolit të huave, e krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka rënë disa pikë përqindje. Në tremujorin e tretë, teprica e kredisë së sistemit bankar shënoi rritje me 13.5 miliardë lekë ose 13.6 për qind, nga 18.8 miliardë lekë ose 23.5 për qind në tremujorin e dytë. Ritmi më i ulët rritës për tremujorin e tretë shpjegohet kryesisht me pakësimin e tepricës së kredisë nga tre banka, me rreth 795 milionë lekë, ndërkohë që kredia e re e akorduar shënon një nga nivelet më të larta. Tremujori i tretë dallon një zhvendosje të lehtë të kreditimit nga ai afatshkurtër dhe afatmesëm në atë afatgjatë. Kredia afatshkurtër shfaq një qëndrueshmëri përgjatë vitit 2005, rreth nivelit 26 për qind, ndërsa evidentohet një rënie e kredisë afatmesme në favor të kredisë afatgjatë. Këto zhvillime tregojnë një tendencë të sistemit bankar për të financuar projekte më afatgjata, të cilat kontribojnë për një rritje më të qëndrueshme të ekonomisë në të ardhmen.

Peformanca shumë e mirë e sistemit bankar edhe për tremujorin e trete të vitit 2005, tashmë nuk përbën më ngjarje por është rrjedhojë e një tendence që po konsolidohet nga njëra periudhë në tjetrën. Rezultati neto përllogaritet rreth 45 milionë lekë më i lartë sesa tremujori i dytë i vitit dhe 284 milionë lekë më i lartë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Rezultati neto në fund të këtij 9-mujori e ka tejkaluar rezultatin neto të realizuar në fund të vitit 2004 me rreth 2.6 për qind. Gjithashtu, rezultati neto për tremujorin e tretë përbën rezultatin neto më të lartë të vitit mbi baza tremujore si edhe shënon një nivel prej rreth 177 milionë lekë më shumë sesa mesatarja tremujore për vitin 2005. Këto analiza krahasuese dhe zhvillimet në kohë të rezultatit neto, në kushte normale, pemtojnë për një vazhdimësi të mirë të tij edhe për tremujorin e fundit të vitit, ndërsa performanca shumë më e mirë sesa ajo e vitit të kaluar përbën një rezultat të sigurtë.

Tremujori i tretë i vitit shënoi vlerën 32.3 miliardë lekë të kapitalit aksioner të sistemit ose rreth 2 miliardë më të lartë se në periudhën e mëparshme. Grupi i bankave të mëdha (G3) dallon me kontributin më të lartë me 1.3 miliardë lekë, grupi i bankave të mesme (G2) shënon rritje vetëm 625 milionë lekë, ndërsa grupi i bankave të vogla (G1) njeh rritje të pakonsiderueshme, rreth 15 milionë lekë.

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar, në fund të tremujorit të tretë të vitit, evidentohet 18 për qind ose rreth 2 pikë përqindjeje më i ulët se në tremujorin e dytë, ndërsa bankat vazhdojnë të ndërmarrin më shumë rrezik duke investuar në aktive me rrezik më të lartë. Gjithashtu, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat e sistemit, edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit, përllogaritet mbi nivelin minimal të kërkuar prej 12 për qind. Tendenca e mjaftueshmërisë së kapitalit sipas grupbankave të sistemit ruhet edhe gjatë tremujorit të tretë. Nivelin më të lartë të treguesit e dallojmë në G1 (38%), ndërsa në G2 dhe G3 treguesi shënon respektivisht 17 për qind dhe 15 për qind.

Tremujori i tretë i vitit ruan një nivel të kënaqshëm të aktiveve likuide në totalin e aktiveve të bankave të sistemit. Ky tregues është shumë i rëndësishëm pasi tregon aftësitë e bankave, në rast të një krize likuiditeti, për të përballuar një tkurrje të bilancit me mjete likuide para se të jenë të detyruara të shesin mjetet më pak likuide.

Pavarësisht treguesve statikë prudencialë për likuiditetin, të dhënat operative për tregun ndërbankar dhe lehtësirat kredituese të Bankës së Shqipërisë prezantojnë një periudhë tremujore me luhatje të gjendjes së likuiditetit të karakterizuar nga rënia, mungesa dhe teprica e likuiditetit në muajt respektivë. Këto situata janë ndjekur me kujdes dhe Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në momentet e duhura me operacione injektuese.