BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 18 gusht 2004

Data e publikimit: 19.08.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 18 gusht 2004, pasi shqyrtoi propozimet e disa departamenteve, vendosi të miratojë:


1. Raporti i Politikës Monetare për muajin Korrik 2004.

Zhvillimet kryesore të muajit

  • Inflacioni mujor në muajin korrik shënoi vlerën - 0.15 për qind duke e cuar inflacionin vjetor në 3.1 për qind. Kjo normë, si dhe inflacioni vjetor mesatar prej 3.22 për qind, rezultuan brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë.
  • Muaji korrik 2004 ka respektuar tendencën historike të normave mujore negative të inflacionit. Zhvillimet e regjistruara në çmimet e konsumit për këtë muaj kanë qenë brenda parametrave normalë.
  • Edhe gjatë muajit korrik, faktorët e kërkesës nuk kanë ushtruar presion në rritje të normës së inflacionit. Zbehja e efektit sezonal të hyrjes së prodhimit të brendshëm shkaktoi rritjen e shifrës së inflacionit vjetor për muajin korrik. Gjithsesi, presionet inflacioniste mbeten të kontrolluara dhe inflacioni vazhdon të qëndrojë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë.
  • Zhvillimet në çmimet e konsumit dhe gjendja e stabilizuar e treguesve monetarë i kanë mundësuar Bankës së Shqipërisë ndjekjen e një politike më të zbutur monetare. Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në datat 23 qershor dhe 28 korrik. Norma bazë e interesit u ul me 0.25 pikë përqindjeje në të dy rastet, duke arritur në nivelin 5.5 për qind.
  • Reagimi ndaj politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë është vënë re në tregun e depozitave në lekë, në tregun primar dhe në tregun ndërbankar. Reduktimi më i ndjeshëm i normës së interesit ka ndodhur për depozitat njëmujore dhe tremujore.
  • Norma e rritjes vjetore të ofertës monetare shënoi një ulje të lehtë në muajin qershor, si pasojë e kërkesës së ulët të qeverisë dhe mbiçmimit të lekut në këtë muaj. Me uljen e normave të interesit dhe ruajtjen e inflacionit afër mesatares së intervalit objektiv, norma reale e interesit ka pësuar rënie, duke u shoqëruar me zbutjen graduale të tendencës rënëse së raportit të parasë jashtë bankave ndaj M3.
  • Teprica e kredisë gjatë muajit qershor të vitit 2004 shënoi një rritje mujore prej 0.6 miliardë lekësh. Krahasuar me fundin e vitit 2003 ajo është rritur me 6.1 miliardë lekë. Kreditimi i ekonomisë nga sistemi bankar në nivel mesatar mujor rezulton pranë parashikimeve të programit monetar për vitin 2004.
  • Tendenca e mëparshme e mbiçmimit të lekut ka vijuar të ndihet edhe gjatë muajit korrik. Rritja e prurjeve të valutës në sezonin turistik dhe rritja e prodhimeve bujqësore të vendit, kanë ndikuar në ruajtjen e tendencave mbiçmuese të lekut.

2. Mbi miratimin e transferimit të 100 përqind të aksioneve të kapitali aksioner të Bankës së Kursimeve sh.a.

Banka e Shqipërisë miratoi kërkesën për transferimin e aksioneve të Bankës së Kursimeve nga Raiffeisen Zentralbank Österreich AG tek Raiffeisen International Bank-Holding AG. Kërkesa është e mbështetur në ligjin nr. 8365, datë 02.07.1998 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe rregulloren "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë" dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës.
Raiffeisen International Bank-Holding AG është shoqëri holding e rrjetit bankar të grupit Raiffeisen Zentralbank Österreich AG (RZB - Group) në Europën Qendrore dhe Lindore dhe është plotësisht e zotëruar dhe e kontrolluar nga RZB. Transferimi i kapitalit ka si qëllim ruajtjen e strukturës së përgjithshme të zotërimit të Grupit RZB dhe nuk sjell asnjë ndryshim në kontrollin e Bankës së Kursimeve, i cili vazhdon të ushtrohet nga RZB.

* * *


Në këtë mbledhje u miratuan edhe disa vendime të tjera që lidhen me aktivitetin e Bankës së Shqipërisë, si dhe u shqyrtua raporti i paraqitur nga Departamenti i Mbikëqyrjes "Për inspektimet e kryera nga strukturat e Bankës së Shqipërisë në bankat e nivelit dytë për periudhën janar - qershor 2004".