BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 27 shtator 2006

Data e publikimit: 28.09.2006

 


Në mbledhjen e tij të datës 27 shtator 2006, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim zhvillimet në inflacion dhe në treguesit monetarë për periudhën korrik - gusht 2006. Norma vjetore e inflacionit në muajin gusht ishte 3.1 për qind, duke qenë afër objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind. Inflacioni vjetor ka patur një tendencë rritëse gjatë 8 muajve të parë të vitit. Kjo tendencë është përcaktuar kryesisht nga ecuria e çmimeve të administruara dhe ecuria e çmimeve të mallrave ushqimorë. Zhvillimet makroekonomike në vend gjatë muajit gusht u ndikuan nga një sërë faktorësh të ofertës, si rritja e çmimeve të energjisë elektrike, rritja e çmimeve të naftës dhe të disa mallrave të akcizës. Pavarësisht nga këto, presionet inflacioniste kanë qenë relativisht të moderuara. Kërkesa agregate ka vijuar të ushqehet nga kreditimi i shpejtë i ekonomisë, por stimuli i ulët fiskal gjatë pjesës së parë të vitit ka sjellë ruajtjen e saj brenda niveleve të programuara.

Banka e Shqipërisë ka mbështetur sinjalin shtrëngues të muajit korrik nëpërmjet operacioneve të saj monetare në tregjet e parasë. Rritja e normës bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje është transmetuar në tregun ndërbankar të parasë, në yield-in e bonove të thesarit dhe në normat e interesit të depozitave në lekë. Burimi i zgjerimit monetar gjatë kësaj periudhe ka qenë kërkesa për kredi e sektorit privat të ekonomisë si dhe prurjet sezonale valutore. Sektori publik vazhdon të karakterizohet nga suficiti buxhetor. Kontributi neto i qeverisë në kërkesën për para mbetet negativ. Zhvillimet aktuale dhe të pritshme monetare shfaqin shenja për ritme më të larta të zgjerimit monetar në muajt e ardhshëm.

Duke u bazuar në zhvillimet aktuale dhe të pritshme të çmimeve të konsumit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ruajti të pandryshuar normën bazë të interesit, 5.25 për qind. Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se presionet inflacioniste mbeten të zhvendosura në kahun rritës. Rritja e shpejtë e kreditimit të ekonomisë në prani të një aktiviteti më të lartë të qeverisë gjatë periudhës në vijim, vazhdimi i ciklit rritës të normave të interesit në tregjet ndërkombëtare dhe normat relativisht të larta të inflacionit në vendet partnere, janë burime të mundshme presionesh inflacioniste. Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë do të jetë e vigjilente gjatë gjithë periudhës në vijim, për të siguruar një ambient monetar joinflacionist, në përputhje me objektivin afatmesëm të inflacionit.

* * *

Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës miratoi dhe udhëzimin "Për kuotat dhe procedurat e kryerjes së shpenzimeve të nevojshme të lindura nga marrëdhëniet e Bankës së Shqipërisë me të tretët" , si dhe shqyrtoi disa informacione, që kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.