BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 29 tetor 2008

Data e publikimit: 29.10.2008

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 29 tetor 2008, pasi mori në analizë zhvillimet më të fundit në inflacion, në tregun financiar dhe në aktivitetin ekonomik të vendit, vendosi "Të mbajë të pandryshuar, në nivelin 6,25 për qind, normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me afat maturimi një javor". Ky vendim mbështetet në situatën e stabilizuar makroekonomike, në përputhjen e faktorëve të kërkesës dhe ofertës dhe në parashikimet për presione të kontrolluara inflacioniste në periudhën e ardhme.

Mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe monetare

Në muajin shtator 2008, inflacioni vjetor shënoi 2.7 për qind, ndërkohë që inflacioni mesatar vjetor në tremujorin e tretë të këtij viti zbriti në 3 për qind. Vlera e inflacionit për muajin shtator u ndikua kryesisht nga rënia e çmimit të mallrave dhe shërbimeve të kategorive "ushqime të papërpunuara" dhe "mallra të administruara".

Qetësimi i goditjeve nga kahu i ofertës si dhe qëndrueshmëria makroekonomike në vend ndikuan në normalizimin e inflacionit brenda kufijve të objektivit. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka kontribuar në garantimin e kushteve të përshtatshme monetare për të kontrolluar rritjen e çmimeve të konsumit brenda objektivit. Shtrëngimi kushteve monetare dhe forcimi i normave të mbikëqyrjes bankare kanë ndihmuar në kontrollin e ritmeve të kredisë dhe të ekspansionit monetar, duke kontribuar direkt në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në konsolidimin e stabilitetit financiar. Gjithashtu, nëpërmjet sinjalizimit të vullnetit institucional të bankës qendrore për respektimin e objektivit të saj ligjor, këto masa kanë ndihmuar në ruajtjen e besimit të publikut në monedhën kombëtare dhe në sistemin financiar, si dhe në ankorimin e pritjeve inflacioniste në nivele të ulëta.

Gjatë tremujorit të dytë, sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve në ekonominë e vendit, regjistruan rritje të aktivitetit ekonomik krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ecuria pozitive gjykohet të jetë nxitur nga kërkesa e lartë e brendshme në ekonomi. Kontributin kryesor në shifrën e realizuar të afarizmit ka vijuar ta japë sektori i shërbimeve, ndërkohë që në aktivitetin prodhues kontribuesi kryesor mbetet ndërtimi.

Gjatë vitit 2008, aktiviteti ekonomik në rang botëror është karakterizuar nga kushtet jo të favorshme ekonomike në ekonomitë e zhvilluara. Kriza financiare, krahas problemeve të vazhdueshme në sistemin bankar të ekonomive të zhvilluara, ka ndikuar negativisht aktivitetin ekonomik botëror. Inflacioni në nivel botëror mbetet në nivele të larta, megjithëse nivelet e tij po vijnë në rënie si pasojë e uljes së muajve të fundit në çmimet e mallrave bazë. Thellimi i krizës financiare ka rritur pasigurinë në lidhje me zhvillimet e ardhshme ekonomike dhe financiare në ekonominë botërore. Gjatë periudhës janar-gusht 2008 shkëmbimet tregtare të Shqipërisë arritën në 2,87 miliardë euro, duke qenë rreth 19 për qind më të larta se e njëjta periudhë e vitit 2007. Eksportet u rritën me 20 për qind, ndërsa importet u rritën me rreth 19 për qind. Deficiti tregtar arriti në 1,63 miliardë euro, duke u thelluar me rreth 19 për qind në terma vjetorë.

Zhvillimet monetare në ekonomi kanë ndjekur tendencat e parashikuara në programin monetar si dhe kanë qenë në përputhje me ecurinë e aktivitetit real të ekonomisë. Kërkesa për para e ekonomisë ka vijuar të jetë e lartë. Me gjithë ngadalësimin në 41.8 për qind të rritjes vjetore, kreditimi i ekonomisë vazhdon të jetë faktori kryesor i zgjerimit të ofertës së parasë. Rritja e portofolit të kredisë ka mbështetur kryesisht bizneset, ritmi vjetor i te cilit është barazuar me rritjen e portofolit të individëve prej 43%. Në muajin gusht, agregati M3 u rrit me 13.2 për qind në terma vjetore, duke shënuar një përshpejtim të lehtë kundrejt rritjes mesatares prej 12 për qind në pjesën e parë të vitit.

Normat e interesit në tregun ndërbankar kanë qenë të luhatshme, me një prirje rritëse që u theksua në periudhën e llogaritjes së detyrimit të rezervës. Kjo luhatshmëri nuk është përcjellë në tregun primar ku yield-et kanë qëndruar lehtas nën vlerat e një muaji më parë. Interesat për depozita në lekë dhe në euro kanë vijuar të rriten pas prezantimit të ofertave tërheqëse verore. Njëkohësisht, normat mesatare për kredinë në lekë dhe atë në valutë kanë pësuar rritje.

Situata aktuale reflektohet edhe në ecurinë e parashikuar të inflacionit, i cili në 12 muajt e ardhshëm do të luhatet rreth objektivit 3 për qind të Bankës së Shqipërisë. Faktorët e rrezikut janë të shpërndarë në mënyrë simetrike dhe pritjet inflacioniste paraqiten të stabilizuara. Këshilli Mbikëqyrës gjykon se ruajtja e kushteve monetare në parametrat aktualë do të ndihmojë në kontrollin e inflacionit brenda parametrave të synuar, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm makroekonomik dhe financiar të vendit. Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të marrë të gjitha masat e duhura për respektimin e objektivave të saj ligjorë.