BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 30 gusht 2006

Data e publikimit: 30.08.2006

 

Në mbledhjen e tij të datës 30 gusht 2006, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim zhvillimet në inflacion dhe në treguesit monetarë për periudhën qershor - korrik 2006. Norma vjetore e inflacionit në muajin korrik 2006 shënoi vlerën 3.2 për qind, norma më e lartë e këtij viti. Inflacioni vjetor në muajin korrik ishte rreth dy herë më e lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, i shfaqur kryesisht në rritjen e çmimeve të mallrave ushqimorë.

Në këndvështrimin makroekonomik, faktorët e ofertës kanë dhënë ndikim rritës në inflacionin e këtij muaji, ndërkohë që faktorët e kërkesës kanë qenë më të moderuar. Ulja e ofertës së mallrave bujqësorë, rritja e masës së tejçimit të inflacionit të importuar si pasojë e inflacionit relativisht të lartë të vendeve partnere dhe dobësimit të rolit zbutës të kursit të këmbimit, si dhe rritja e fundit e çmimit të energjisë elektrike, janë faktorët kryesorë të kahut të ofertës që kanë ndikuar inflacionin. Nga ana e kërkesës, stimuli ekonomik i dhënë nga rritja e kredisë është zbutur nga pozicioni i moderuar i treguesve buxhetorë. Kjo situatë, pritet të pësojë modifikime në pjesën e mbetur të vitit, si pasojë e rritjes së pritshme të shpenzimeve buxhetore dhe deficitit buxhetor. Zgjerimi monetar në muajin qershor rezulton më i lartë se në muajt e tjerë të gjashtëmujorit, në përputhje me zhvillimet sezonale të ekonomisë.

Në muajin korrik, Banka e Shqipërisë ndryshoi kahun e politikës monetare të orientuar drejt kontrollit të presioneve inflacioniste, me tendencë të lehtë rritëse në periudhën afatmesme. Sistemi bankar ka reaguar nëpërmjet rritjes së normave të interesit të investimit në letrat me vlerë të qeverisë. Ndonëse të dhënat janë paraprake, efekti i rritjes së normës bazë nuk është reflektuar i plotë në tregun e depozitave.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 për qind. Banka e Shqipërisë mbetet në pritje të të dhënave të mëtejshme ekonomike për të analizuar më me imtësi tendencat e zhvillimeve inflacioniste. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mënyrë unanime gjykon se inflacioni mbetet objektivi madhor i Bankës së Shqipërisë e për këtë qëllim, do të ndërmerren të gjitha lëvizjet e duhura që garantojnë zbutjen e presioneve inflacioniste në ekonomi.

Raporti i Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë për muajin korrik 2006 së bashku me Deklaratën "Për stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2006", që u miratuan sot nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të publikohen të plota në Faqen e Internetit dhe në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në këtë mbledhje mori në shqyrtim dhe miratojë kërkesën e paraqitur nga Banka ProCredit sh.a., Shqipëri për shitblerjen e pjesës së kapitalit të BERZH - Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (në cilësinë e shitësit) tek ProCredit Holding A.G. (në cilësinë e blerësit).

BERZH dhe ProCredit Holding AG janë aksionerë të Bankës ProCredit sh.a. Shqipëri me pjesmarrje respektive 11.25 për qind dhe 32.50 për qind të aksioneve në kapitalin aksioner të Bankës ProCredit sh.a. Pas miratimit të transferimit të aksioneve nga BERZH tek ProCredit Holding A.G., kjo e fundit do të zotërojë 43.75 për qind të aksioneve në kapitalin e Bankës ProCredit sh.a.

Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi edhe disa rregullore që lidhen me aktivitetin e Komitetit të Investimeve dhe me strukturat e tjera të Bankës së Shqipërisë.