BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës e datës 14 prill 2004.

Data e publikimit: 15.04.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 14 prill 2004, pasi shqyrtoi propozimet e disa departamenteve, vendosi të miratojë:

1. Vendimin "Mbi miratimin për shitjen e 100 përqind të aksioneve të kapitali aksioner të Bankës së Kursimeve sh.a."

Banka e Shqipërisë miratoi kërkesën për transferimin e aksioneve të Bankës së Kursimeve nga Ministria e Financave të Republikës së Shqipërisë tek Raiffeisen Zentralbank, Austri. Kërkesa mbështetur në ligjin nr. 8365, datë 02.07.1998 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe rregulloren "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë", shoqërohet me dokumentacionin përkatës.

Sipas dokumentacionit të paraqitur Raiffeisen Zentralbank, Austri do të zotërojë 100 përqind të aksioneve të bankës. Kontrata e shitjes midis palëve u nënshkrua më datë 13.01.2004 nga Ministria e Financave dhe Raiffeisen Zentralbank, në vijim të procesit të tenderit të hapur ndërkombëtar. Raiffeisen Zentralbank, Austri është themeluar në vitin 1927 dhe aktualisht është një nga bankat tregtare dhe të investimeve lider në Austri dhe lojtari kryesor në Europën Qendrore dhe Lindore.

Segmentimi i aktiviteteve të RZB konsiston në biznesin me korporatat, thesarin dhe bankingun e investimeve, retail banking, shërbimet e transfertave, pjesmarrjet dhe të tjera.
RZB është vlerësuar nga agjencitë kryesore të rating-ut ndërkombëtar si Standard & Poor's dhe Moody's si dhe është vlerësuar me cmime ndërkombëtare nga revistat "Global Finance" dhe "The Banker".

2. Vendimin "Për lejimin e ushtrimit të aktivitetit të kredidhënies nga Banka e Kursimeve".

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë krahas miratimit të transferimit të pronësisë së aksioneve të Bankës së Kursimeve tek Raiffeisen Zentralbank Osterreich Aktiengesellschaft, miratoi dhe lejimin e ushtrimit të aktivitetit kredidhëndës për Bankën e Kursimeve.

Banka e Shqipërisë ka kufizuar aktivitetin kredidhënës për Bankën e Kursimeve nisur nga kujdesi për të mos lejuar mundësinë e përkeqësimit të cilësisë së aktiveve të saj si edhe për të ruajtur vlerën e saj deri në përfundim të procesit të privatizimit.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në vendimin e tij nr. 74, datë 05.09.2001 "Për heqjen e kufirit të kredive me probleme ndaj totalit të kredive të bankës", ka vendosur që të vazhdojë ndërprerja e aktivitetit kredidhënës i Bankës së Kursimeve , deri në përfundimin e procesit të privatizimit të saj.…"

Pas miratimit të aksionerit të ri të Bankës së Kursimeve nga Banka e Shqipërisë, dhe me hyrjen në fuqi të kontratës së shitjes së 100 për qind të aksioneve të Bankës së Kursimeve procesi i privatizimit të saj konsiderohet i përfunduar.

Kështu, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shfuqizoi kufizimin e mësipërm. Në momentin kur Raiffeisen Zentralbank do të figurojë ligjërisht si aksioner i Bankës së Kursimeve banka do të zhvillojë aktivitetin e saj plotësisht sipas licencës së dhëne nga Banka e Shqipërisë, pa kufizime.

3. Informacionin mbi Asistencën Teknike që Banka e Shqipërisë ka përfituar nga FMN dhe nga Banka Botërore në periudhën 1993-2003.

Shqipëria u bë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 1991. Në këtë periudhë, reformat e suksesshme makroekonomike kërkonin para së gjithash ndryshime institucionale rrënjësore në çdo sektor. Këto ndryshime do të reflektoheshin pa dyshim edhe në Bankën e Shqipërisë, e cila u zhvillua përgjatë tranzicionit, si autoriteti monetar qendror i vendit dhe fitoi atributet e një banke qendrore të mirëfilltë. Në këtë drejtim, ajo ka përfituar nga programet e asistencës teknike të FMN-së dhe BB-së.

Në përputhje me Nenet e Marrëveshjes, objektivi i programit të asistencës teknike të FMN-së është të kontribuojë në zhvillimin e burimeve produktive të vendeve anëtare, nëpërmjet rritjes së efektivitetit të politikave ekonomike dhe administrimit financiar, nëpërmjet mbështetjes së përpjekjeve të vendeve anëtare për forcimin e kapaciteteve të tyre, njerëzore e institucionale, për formulimin dhe zbatimin e politikave strukturore e financiare të qëndrueshme për reduktimin e varfërisë dhe rritjen. Në këtë këndvështrim, asistenca teknike e FMN-së për Bankën e Shqipërisë është konkretizuar në bashkëpunimin dhe ofrimin e njohurive dhe të eksperiencës ndërkombëtare. Ajo është ofruar në forma të ndryshme: duke filluar nga vizitat e stafeve të departamenteve të Fondit, me misione ekspertësh rezidentë afatshkurtër dhe afatgjatë (në varësi të natyrës së objektivave të vendosur), me përgatitje të raporteve teknike dhe vlerësuese, me seminare, ëorkshope e kurse trainimi e deri me këshillime për çështje të ndryshme.
Misionet e asistencës teknike të FMN-së në veçanti, dhe asistenca e tij në përgjithësi nëpërmjet Departamenteve të Statistikave, të Thesarit, të Çështjeve Monetare dhe Këmbimeve, atij Ligjor të Fondit etj. janë reflektuar në disa aspekte të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë:

  • në aspektin institucional ndihmesa ka konsistuar në krijimin e strukturës së departamenteve dhe në rregullimet e herëpashershme sipas funksioneve kryesore;
  • në aspektin e funksioneve dhe të detyrave kryesore lidhur me politikën monetare, me kërkimet monetare, me operacionet monetare, me politikën e kursit të këmbimit dhe atë të administrimit të rezervave valutore, me mbikëqyrjen bankare, me sistemin e pagesave, me kontabilitetin dhe kontrollin e brendshëm, me statistikat monetare, me administrimin e burimeve njerëzore etj.;
  • në aspektin e vlerësimit të sigurisë së institucionit ose të rrezikut të sistemit bankar;
  • në aspektin e koordinimit të asistencës teknike me donatorë të tjerë;
  • në aspektin ligjor duke dhënë asistencë për formulimin dhe aplikimin e ligjeve së bashku me formulimin e akteve nënligjore;
  • në aspektin e transparencës dhe rritjes së besueshmërisë së institucionit.

Krahas Fondit, edhe Banka Botërore është përfshirë në krijimin dhe në zbatimin e reformave nëpërmjet politikave këshilluese, huadhënies dhe asistencës teknike. Ajo ka asistuar në një sërë drejtimesh si riorganizimi i sistemit bankar, mikrokreditë, kuadri ligjor i procedurave të falimentimit, të regjistrit të pasurive të patundshme, të transaksioneve të siguruara, të sistemit të llogarive të bankës qendrore etj.. Në kuadrin e programeve të BB-së për rimëkëmbjen ekonomike apo përmirësimin institucional në sektorin financiar, Banka e Shqipërisë ka përfituar shërbime konsulence e asistencë në drejtim të forcimit dhe të modernizimit të mëtejshëm të elementeve të ndryshme të infrastrukturës financiare të vendit: sistemin e pagesave ndërbankare, që konsiderohet me një ndikim shumë të madh në zhvillimin e sistemit bankar dhe në nxitjen e zhvillimit të ekonomisë, procedurat standarde të kontabilitetit, të modernizimit të infrastrukturës bankare dhe të forcimit të mbikëqyrjes bankare.

4. Informacionin mbi ecurinë e tregjeve financiare ndërkombëtare.

SHBA
Rritmi i produktivitetit vazhdon të mbetet i lartë në ekonominë amerikane. Sektori i prodhimit po tregon një rritje të fortë e të qëndrueshme, ndërsa konsumatoret po ruajnë nivelin e lartë të konsumit. Por bizneset amerikane po rrisin nivelin e prodhimit duke u mbështetur në punonjësit ekzistues, duke dhënë vetëm sinjale neutrale në përmirësimin e tregut të punës. Në mbledhjen e muajit mars, Fed-i i la të pandryshuara normat e interesit duke mbajtur një qëndrim pothuaj neutral mbi pritjet e inflacionit dhe ton pozitiv për rritjen ekonomike. Megjithatë, Fed-i mbetet i shqetësuar mbi mungesën e krijimit të vendeve të reja të punës në stadin aktual të ekonomisë duke garantuar vazhdimin e politikës monetare ekspansioniste për një kohë relativisht të gjatë. Emetimet amerikane të thesarit do të vazhdojnë të mbeten në presion të dyanshëm në varësi të shifrave që vijnë nga tregu i punës, ndërkohë që niveli shumë i ulët i yieldeve aktuale si dhe mundësia për një kërkesë më të ulët të Bankës së Japonisë për shkak të reduktimit të pranisë së saj në tregun valutor, mund të dëmtojë çmimet e thesarit.

Evropë
Të dhënat ekonomike të publikuara muajin e kaluar, duke përjashtuar të dhënën e shitjeve me pakicë, zhgënjyen pritjet, duke shtruar këtu pyetjen se në këto çaste rritja ekonomike po sheshohet apo ndodhemi në një pike kthese të një cikli shumë të shkurtër ekonomik. Megjithatë, aktualisht ekzistojnë shumë pak të dhëna të cilat të mbështesin skenarin e fundit. BQE-ja vazhdon të besojë se ekonomia evropiane do të rikuperojë gradualisht duke theksuar se normat aktuale të interesit garantojnë këtë rikuperim, megjithë rrisqet në rritje që vijnë nga konsumi i dobët i brendshëm si dhe diferencat strukturore globale. Tregjet financiare jane mosbesuese duke rritur spekullimet, se për të parandaluar "frenimin ekonomik", BQE-së do t'i duhet përsëri të ulë normat e interesit, duke mbajtur të mirëmbështetura emetimet e thesarit. Megjithatë, BQE-ja mbetet e shqetësuar mbi perceptimin e konsumatorëve evropianë për ekzistencën e një inflacioni të lartë që prej prezantimit të euro-s, dhe po përpiqet të përmirësojë besimin e konsumatoreve duke qenë e kujdesshme në ndryshimet e normave te interesit.

Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi edhe disa projekt-vendime të tjera të cilat do të ridiskutohen në mbledhjet e ardhshme dhe informacione të tjera.