BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës e datës 24 mars 2004

Data e publikimit: 24.03.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 24 mars 2004, pasi shqyrtoi propozimet e disa departamenteve, vendosi të miratojë:

1. Rregulloren ‘Për kredinë brenda ditës'

Kredia brenda ditës është një nga instrumentet e ofrimit të likuiditetit brenda ditës që ofrohet kryesisht nga bankat qendrore me qëllim rrjedhjen normale të pagesave në sistemin e pagesave.
Vënia në funksionim dhe operimi i sistemit AIPS (i cili është një sistem i standardit RTGS) shoqërohet me një rritje të nevojës për likuiditet, e cila shkaktohet nga procesimi bruto i pagesave (një nga një) dhe nevoja për administrim të radhës së pagesave me bazë ‘intraday'. Për të zbutur këtë mungesë likuiditeti dhe për të shpejtuar rrjedhën e pagesave, banka qendrore ofron lehtësi kreditimi brenda ditës siç është kredia brenda ditës.

Nisur nga përvoja e mjaft bankave qendrore dhe, në mënyrë të veçantë nga modeli i Bankës Qendrore Europiane, kredia brenda ditës do t'u ofrohet bankave të nivelit të dytë pa interes, por ajo do të jetë e siguruar me kolateral.
Futja në përdorim e këtij instrumenti pritet të sjellë një rrjedhje më të shpejtë dhe të lirshme të parave në sistemin bankar dhe shlyerjen e shpejtë e në kohë të pagesave.

Përcaktimi i një afati maksimal deri në orën 14:00, për përfitimin e kredisë brenda ditës, lejon hapësirë për zhvillimin e lirë të tregut ndërbankar të parasë për kredinë ‘overnight' si dhe rrit përgjegjësinë e bankave në mirëadministrimin e likuiditetit. Kjo mundësohet edhe nga lehtësitë që ofron sistemi i pagesave AIPS për monitorimin e llogarisë në kohë reale nga vetë bankat.

Rregullorja do të botohet e plotë në buletinin zyrtar të Bankës së Shqipërisë.


2. Informacionin "Mbi vlerësimin e gjendjes financiare të sistemit bankar shqiptar për tremujorin e katërt të vitit 2003".

Tregu bankar prezantoi zhvillime të rëndësishme gjatë vitit 2003. Hyrja e dy bankave të reja dhe privatizimi i Bankës së Kursimeve nga një investitor i njohur në Evropën Qendrore dhe Lindore premtojnë rritjen e produktivitetit dhe të konkurrencës në sistem.

Aktivet e sistemit bankar janë rritur 34.3 miliardë lekë ose 10.1 për qind në krahasim me fundvitin 2002. Kjo rritje i atribuohet si "veprimeve me thesarin dhe ndërbankare", ashtu dhe "kredidhënies bashkë me investimet në letrat me vlerë". Ndërsa "veprimet me thesarin dhe ndërbankare" janë rritur 12.3 miliardë lekë, kredidhënia shënon rritje 11.9 miliardë lekë dhe investimet në letrat me vlerë 3.4 miliardë lekë. Kontributi më lartë i këtyre dy të fundit tregon zhvillimet e sistemit bankar drejt aktiviteteve më frytdhënëse.

Tabelë 1. Totali i aktiveve, ecuria në vite.

 

Treguesi në miliardë lekë

Dhjetor ‘99

Dhjetor ‘00

Dhjetor ‘01

Dhjetor ‘02

Dhjetor ‘03

Totali i aktiveve

249.5

270.8

318.5

339.3

373.6

Në % ndaj PBB

49.2

50.2

53.5

51.6

50.2 [1]

 

[1] Rënia e peshës është pasojë e aplikimit të metodës së re llogaritëse për PBB-në e vlerësuar.

Në analizën sipas grupbankave të sistemit grupi i bankave me kapital shtetëror (G1) evidenton rritje të totalit të aktiveve për 10.4 miliardë lekë, grupi i bankave me kapital të përbashkët (G2) për 855 milionë lekë dhe grupi i bankave me kapital privat (G3) 23.1 miliardë lekë krahasuar me fundvitin 2002. Ecuria e kënaqshme e grupit të bankave private, rritja e të cilit tejkalon rreth dy herë rritjen e dy grupeve të tjera, flet për rezultatet pozitive të pronësisë private.

Ndërsa viti 2002 shënon fillimin e krahasueshmërisë së peshës së tregut midis grupeve G1 dhe G3, privatizimi i Bankës së Kursimeve parashikon forcimin e konkurrencës, e cila do të rrjedhojë në prezantimin e produkteve dhe të shërbimeve të reja në treg, në përmirësimin e cilësisë së tyre dhe në reduktimin e kostove.
Struktura e aktiveve të sistemit bankar, sipas zërave kryesorë dallon:
"Veprimet me thesarin dhe ndërbankare", mbas vitit 2001 evidentojnë ritëm rritjeje më të ulët se totali i aktiveve, gjë që shpjegon dhe peshën e tyre në rënie. Ndonëse për vitin 2003 ky grup shënon ritëm rritës (4.5%) disa herë më të lartë se për vitin 2002 (0.3%), tendenca në rënie e peshës së tij ndaj totalit të aktiveve flet për rritje të diversifikimit të portofolit të sistemit bankar.
Zëri "marrëdhëniet me bankën qendrore" shfaq ecuri jo të rregullt. Ndërsa rritet me 12.2 për qind për vitin 2001, pëson rënie prej 5.1 për qind në vitin 2002 dhe përsëri rritje prej 9.9 për qind në vitin 2003. Megjithatë, pesha e "marrëdhënieve me bankën qendrore" ndaj totalit të aktiveve ruhet e njëjtë për dy vitet e fundit (në nivelin 8.7%).
Struktura e aktiveve të sistemit bankar shqiptar vazhdon të evidentojë peshë të konsiderueshme (prej 49.6 për qind) të investimeve në bono thesari.
Ritmi më i ngadaltë rritës i këtij zëri se ai i totalit të aktiveve shpjegon tendencën rënëse të peshës së tij.
Në qoftë se do të përjashtonim Bankën e Kursimeve nga sistemi, pjesa tjetër e tij zotëron investime në bono thesari vetëm 24.7 për qind e totalit të aktiveve. Kjo do të thotë se një nga rrjedhojat e privatizimit të Bankës së Kursimeve do të jetë dhe reduktimi gradual i investimeve të sistemit në bono thesari .
"Marrëdhëniet me bankat e tjera" shfrytëzohet si një mundësi investimi nga bankat që operojnë në Shqipëri, duke zgjeruar disi funksionin kryesor të këtij zëri. Megjithatë, ecuria në rënie e peshës së tij gjatë tre viteve të fundit, flet për shtrirje të bankave në mjete të reja investimi (kredidhënie apo letra të ndryshme me vlerë).
Kredidhënia, pavarësisht peshës së saj të kufizuar (vetëm 13.5 për qind e totalit të aktiveve), prezanton një aktivitet në rritje për sistemin bankar shqiptar. Ndryshimi i konsiderueshëm midis ritmit rritës për vitin 2002 dhe atij për vitin 2001 është shkak i pastrimit të bilancit të Bankës së Kursimeve në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2001, me kalimin e pjesës më të madhe të kredive me probleme pranë ATK-së.
"Investimet në letrat e tjera me vlerë" shfaqen gjithnjë e më të rëndësishme në strukturën e aktiveve të sistemit bankar. Në këtë fundvit evidentohen 7 banka të sistemit me një portofol të tillë, nga 3 banka në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duhet përmendur se obligacionet dyvjeçare të Qeverisë Shqiptare luajnë rol të konsiderueshëm në zgjerimin e këtij portofoli.

Ndërsa kredia e re e lëvruar gjatë vitit 2003 arriti vlerën 92.7 miliardë lekë (rreth 1.5 herë më tepër se në vitin 2002), teprica e kredisë shënoi rritje 11.9 miliardë lekë (ose 30.5%) në krahasim me fundvitin 2002.
Si tipar i kredidhënies vazhdon të shfaqet pesha në rënie e kredisë afatshkurtër , pasojë e rritjes së lëvrimit të kredisë afatgjatë dhe afatmesme. Gjithsesi, vlen të përmendet se ritmi i lëvrimit të kredisë afatshkurtër është ende më i lartë, për sa kohë që një periudhë shfaq rritje më të ulët të tepricës së kredisë, kur kredia e re e akorduar gjatë saj tejkalon nivelin e periudhës paraardhëse.
Ndërkohë, teprica e kredisë në lekë shënon rënie të raportit të saj ndaj totalit të kredisë, në ndryshim nga viti 2002 kur evidentoi një tendencë në rritje.
Treguesi "kredi me probleme / tepricës së kredisë (bruto)", i cili konsiderohet si vlerësues i cilësisë së këtij portofoli, evidenton tendencë në rënie gjatë vitit 2003.
Reduktimi i këtij treguesi është shkak i ritmit rritës më të ngadaltë të kredive me probleme kundrejt tepricës së kredisë.
Kështu, ndërsa teprica e kredisë shënoi rritje 30.5 për qind nga fundviti 2002, kreditë me probleme u rritën vetëm 8.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë.
Treguesi "kredi me probleme / tepricës së kredisë" mbi baza neto , tregon madhësinë e ekspozimit të sistemit bankar ndaj rrezikut të kreditit. Vlerat e ulëta dhe madje në rënie të këtij raporti fllasin për ekspozim të kufizuar ndaj rrezikut.
Niveli i fondeve nga të tretët - depozitat dhe llogaritë rrjedhëse,- në totalin e fondeve të bankave të sistemit evidentohet 87,5 për qind nga 84,6 për qind që evidentohej në vitin 2002.

Gjatë vitit 2003 ecuria e depozitave të sistemit njohu tendencë rritesë. Kështu, në krahasim me vitin 2002, niveli i depozitave të sistemit evidentoi rritje 14.7 për qind ose 42.4 miliardë lekë, ndërkohë që viti 2002 krahasuar me vitin 2001 shënoi një rritje modeste (4 për qind ose 11.2 miliardë lekë).
Në sistem dallohen bankat private (G3) me ndikimin kryesor në rritjen e nivelit të depozitave me 21.6 miliardë lekë dhe Banka e Kursimeve (G1) me 18.9 miliardë lekë, ndërkohë që kontributi i bankave me kapital të përbashkët (G2) vazhdon të jetë modest me rreth 2 miliardë lekë.
Banka e Kursimeve vazhdon të zotërojë nivelin më të lartë të depozitave të sistemit, pavarësisht kontributit në rritje të bankave private. Privatizimi i Bankës së Kursimeve, si banka më e madhe e sistemit me kapital shtetëror, ndonëse nuk parashikon të ndikojë ndjeshëm në nivelin e depozitave të kësaj të fundit, do të rrisë investimin efektiv të tyre në kredidhënie.
Struktura e depozitave të sistemit evidentoi edhe gjatë vitit 2003 nivelin më të lartë të depozitave në lekë (70 për qind) , me afat (82 për qind) dhe të pranuara nga individët (86 për qind) në totalin e depozitave të sistemit. Po kështu, edhe në tre grupbankat e sistemit ecuria e depozitave sipas klasifikimeve respektive evidenton rritje domethenese në depozitat me afat dhe në lekë të invidividëve. Rënia e normës bazë të interesit që shoqëroi uljen e normes së interesit për depozitat në lekë rreth 2 pikë përqindjeje, nuk ndikoi në rënien e nivelit të këtyre të fundit. Kështu, depozitat në lekë evidentuan rritje 15.7 për qind ose 36.4 miliardë lekë, përkundrejt një rritjeje 6 për qind ose 6 miliardë lekë që evidentuan depozitat në valutë .
Viti 2003 konsolidoi besimin e publikut dhe rritjen e kulturës së tij për depozitimet e kursimeve në sistemin bankar. Pavarësisht rënies së normave të interesit për depozitat në lekë dhe valutat kryesore, niveli i depozitave të grumbulluara nga sistemi njohu një rritje të konsiderueshme.
Gjendja financiare e sistemit bankar në fundvitin 2003 vlerësohet kënaqshëm. Sistemi bankar evidenton të ardhura neto pozitive rreth 4,45 miliardë lekë ose 0.6 për qind e PBB-së. Krahasuar me fundvitin 2002, të ardhurat neto të sistemit janë 0,6 miliardë lekë (ose 14,4 për qind) më të larta (në terma realë rritja llogaritet 11.4 për qind) .

Tabelë 4. Ecuria e të ardhurave dhe shpenzimeve financiare, rezultati financiar.

 

Treguesi në miliardë lekë

Dhjetor ‘99

Dhjetor ‘00

Dhjetor ‘01

Dhjetor ‘02

Dhjetor ‘03

Totali i të ardhurave

39.1

31.0

29.2

28.0

32.0

Totali i shpenzimeve

37.9

25.7

24.9

24.1

27.6

E ardhura neto (fitimi)

1.2

5.3

4.3

3.9

4.4

E ardhura neto nga aktiviteti kryesor i sistemit bankar rezulton 13.3 miliardë lekë dhe krahasuar me fundvitin 2002 është rritur 2,1 miliardë lekë ose 18.8 për qind. Nga këto të ardhura rreth 84 për qind e përbëjnë të ardhurat neto nga interesat, të cilat vazhdojnë të japin kontributin kryesor në të ardhurën neto, ndërsa pjesa tjetër rrjedh kryesisht nga komisionet dhe veprimtaria valutore

Shpenzimet e përgjithshme të veprimtarisë për sistemin bankar rezultojnë 6.1 miliardë lekë duke evidentuar rritje 0.6 miliardë lekë krahasuar me vitin 2002. Kjo rritje gjen shpjegim në zgjerimin e rrjetit të degëve të bankave, të teknologjisë dhe informacionit, etj. Ndërkohë, shpenzimet për provigjione evidentojnë rënie 155 milonë lekë (kjo e fundit flet për përmirësim të cilësisë së kreditimit).

Rezultatet e politikave dhe vendimeve administruese të institucioneve financiare reflektohen në treguesit e rentabilitetit. Vlera pozitive e ROA-së (prej 1.24%) tregon aftësinë e sistemit bankar për të operuar në tërësi me fitim, ndërsa niveli i lartë i ROE-së (prej 19.5%) tregon mundësinë e rritjes së investimeve. Këta tregues evidentohen brenda niveleve normale .

Në fund të vitit 2003 niveli i fondeve të veta (kapitalit aksioner) të sistemit shënon vlerën 22 miliardë lekë ose rreth 400 milionë lekë më shumë se në vitin 2002.
Kapitali i paguar, i cili përbën elementin kryesor të kapitalit aksioner shënon një rritje të konsiderueshme 27.5 për qind ose rreth 4 miliardë lekë . Ky jep ndikimin kryesor në nivelet e kapitalit aksioner krahas fitimit të vitit, ndërkohë që diferencat e rivlerësimit si rezultat i nënçmimit të dollarit amerikan kundrejt lekut, japin ndikim të ndjeshëm negativ .
Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar evidentohet 28.5 për qind, nga 31.6 për qind që evidentohej në fund të vitit 2002. Gjatë vitit 2003, si niveli i kapitalit rregullator dhe aktiveve të klasifikuara sipas rrezikut krahasuar me fundvitin 2002, u rritën respektivisht 1.2 për qind (rreth 207 milionë lekë) dhe 12.2 për qind (6.8 miliardë lekë). Pikërisht, ritmet më të larta të rritjes së aktiveve të klasifikuara sipas rrezikut se ato të kapitalit rregullator shpjegojnë dhe rënien e raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit.

Analiza e raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit sipas grupbankave të sistemit dallon grupin e bankave private dhe ato me kapital të përbashkët me rënie të raportit, ndërkohë që grupi G1 evidenton rritje. Kështu, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për grupin e bankave me kapital privat evidenton nivelin më të ulët 24,4 për qind, për grupin e bankave me kapital të përbashkët 32,7 për qind dhe për grupin e bankave me kapital shtetëror 54,9 për qind. Pra, ndërsa bankat private vazhdojnë të zgjerojnë investimet në aktive më me rrezik, nivelet e larta të treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit në Bankën e Kursimeve gjate vitit ne vazhdim parashikojnë të bien me privatizimin e kësaj të fundit .

Analiza e likuiditetit bazohet në analizën e treguesve kryesorë të tij si raportet e likuiditetit , gap-in e maturimit dhe raportin e kredisë ndaj depozitave.
Në fund të vitit 2003, (1) raporti i aktiveve likuide në totalin e aktiveve për sistemin bankar dhe bankat e tij evidentohet në nivel të kënaqshëm (mbi 30 për qind).
Treguesi i mësipërm mbështetet edhe nga (2) raporti i aktiveve afashkurtra ndaj pasiveve afshkurtra që për sistemin bankar evidentohet 107.1 për qind ose 25.8 pike përqindjeje më i ulet se në fund të vitit 2002. Ndonëse treguesi njeh rënie, që shpjegohet me rritjen me ritme më të larta të pasiveve afatshkurtra 26.4 për qind (ose 29.5 miliardë lekë) se aktivet afatshkurtra 1.9 për qind (ose 2.8 miliardë lekë), ai (treguesi) shënon nivel të kënaqshëm për sistemin.
Në sistem vazhdojnë të evidentohen edhe në fundvit disa banka me nivele të larta (mbi 70 për qind) të raportit të kredisë ndaj depozitave, por këto të fundit mbështeten në nivelet e larta të kapitalit apo nuk evidentojnë tregues të lartë të përkeqësimit të portofolit të kredive, të cilat nuk i ekspozojnë ato ndaj rrezikut të moskthimit të kundërpartisë.
Po kështu, edhe të dhënat operative për tregun ndërbankar dhe lehtësitë kredituese të Bankës së Shqipërisë flasin për një sistem me tepricë likuiditeti. Treguesit e likuiditetit në nivele të kënaqshme nuk e ekspozojnë sistemin dhe bankat e tij ndaj rrezikut të likuiditetit.

Në mbyllje, sistemi bankar shqiptar edhe gjatë vitit 2003 prezantoi gjendje relativisht të mirë financiare.


3. Informacionin: "Aktivitetet e Bankës së Shqipërisë për liberalizimin e lëvizjeve të kapitalit".

Integrimi me vendet anëtare të Bashkimit Evropian kërkon, ndër të tjera, lëvizjen e lirë të kapitalit. Kjo do të thotë që të gjitha vendet që aspirojnë për t'u bërë anëtare duhet të realizojnë aktivitete të ndryshme para se të hyjnë në Bashkimin Evropian, të ashtuquajturin: liberalizimin e plotë të llogarisë kapitale. Liberalizimi i llogarisë kapitale nënkupton heqjen e të gjitha kontrolleve mbi lëvizjen e lirë të kapitaleve. Përgjithësisht, me termin "kontroll" kuptojmë çdo masë që kufizon lëvizjen e lirë të kapitaleve, që ndryshe mund të shprehet si lëvizje e investimeve midis shteteve.

Pavarësisht se autoriteti për të mbajtur dhe për të hequr kontrollet i jepet Bankës së Shqipërisë, lëvizjet në llogarinë kapitale dhe financiare kontrollohen edhe nga ligje dhe rregullore që janë jashtë fushës së mbulimit të Bankës së Shqipërisë. Kjo presupozon se në aktivitetet për liberalizimin e lëvizjeve të kapitalit, është parashikuar edhe bashkëpunimi me institucione të tjera, që kanë lidhje me transaksionet për tokën, me emetimin e letrave me vlerë në valutë, me veprimet në bursë etj..

Përfitimet nga liberalizimi i lëvizjeve të kapitalit përfshijnë mundësinë për hyrje të mëdha investimesh direkte dhe burime teknologjike e administrative, të cilat i shoqërojnë këto investime. Nga ana tjetër, liberalizimi i flukseve dalëse, u krijon mundësi rezidentëve për të ardhura më të larta nga investimet dhe gjithashtu, u krijon mundësi që të diversifikojnë portofolin e mjeteve të tyre duke shpërndarë rrezikun financiar.

Praktika ndërkombëtare tregon se problemet e sektorit të jashtëm, dhe të ekonomisë në përgjithësi, i kanë rrënjët dhe shkaqet themelore jashtë flukseve të kapitalit. Për këtë arsye, vendosja e kufizimeve më pas nuk mund të zëvendësojë efektin e reformave të nevojshme për të zhdukur shkaqet e vërteta të këtyre krizave (nëse ndodhin). Gjithashtu, vihet re se në ekonomitë me shkallë të lartë korrupsioni, ka më shumë të ngjarë që në praktikë kontrollet për kufizimet e lëvizjeve të kapitalit të jenë shumë më pak efektive. Për rrjedhim, efektet e tyre në arritjen e objektivave, për të cilët janë vendosur kontrollet, do të jetë minimale ose inekzistente.

Në përgjithësi, analizat e ndryshme tregojnë se, nëse një vend tenton të prezantojë liberalizimin e llogarisë kapitale në mënyrë të suksesshme dhe të pakthyeshme, si dhe në të njëjtën kohë të reduktojë rreziqet financiare që mbart një veprim i tillë, ai duhet të hartojë politika, të cilat do të lejonin krijimin e parakushteve për liberalizimin e llogarisë kapitale. Në të kundërt, në mungesë të këtyre politikave dhe të parakushteve, mund të shpërthejnë flukse spekulative në madhësi të konsiderueshme, që do të vinin në dyshim e njëkohësisht do të vështirësonin ekzistencën e liberalizimit (të konkretizuar me konvertueshmërinë e llogarisë kapitale ) të prezantuar para kohe.

Në Bankën e Shqipërisë, deri tani, janë zhvilluar aktivitete të ndryshme që lidhen me liberalizimin e lëvizjeve të kapialit. Përmbledhja e mësipërme e argumenteve të studiuara prej kohësh, u bë për të shërbyer si një orientim mbi akvititetet e ndryshme që janë prezantuar në projektmatricën e veprimeve që do të kryejë Banka e Shqipërisë në të ardhmen, në mënyrë që të arrihet liberalizimi i plotë i lëvizjeve të kapitalit si një nga katër liritë e tregut të përbashkët evropian, që respektohet nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Europian.

Natyrisht, zhvillimi i përgjithshëm ekonomik do të jetë faktori vendimtar që do të ndikojë në integrimin e ekonomisë së vendit me atë të Bashkimit Evropian. Duke u shprehur si individë, secili ka të drejtë të zgjedhë më të mirën për kursimet e tij, prandaj po ta përkthejmë në nivel makro: realizimi i programeve dhe i strategjive të zhvillimit të vendit është faktori vendimtar për liberalizimin faktik të llogarisë kapitale. Banka e Shqipërisë me realizimin e funksioneve të saj, ka një rol të rëndësishëm partnerial në këtë proces.

4. Informacionin "Mbi propozimet për strategjinë e Bankës së Shqipërisë për integrimin evropian".

Zhvillimi i vendit kërkon përballimin e problemeve të ndryshme të shoqëruara me skenarë ekonomikë, të koordinuar midis institucioneve përgjegjëse shqiptare. Një element i rëndësishëm që parashtron detyra dhe ambicje të reja është diskutimi për nënëshkrimin e një Marrëveshje Stabilizim Asociimi me Bashkimin Evropian. Vetë emërtimi marrëveshje presupozon që të dy palët të vendosin në letër angazhime dhe detyra konkrete të cilat nëpërmjet një procesi kooperues do të realizojnë integrimin evropian të Shqipërisë. Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit konsiderohen si dokumente të cilat kanë marrë parasysh tërë eksperiencën e vendeve të Komunitetit Evropian në procesin e bashkimit, por që natyrisht, duke u aplikuar për kandidatë të rinj, janë të formës "tailor made".

Është i njohur fakti se vendet e ndryshme që janë në rrugën drejt pranimit në Bashkimin Evropian ose që po ndjekin procesin e Stabilizim Asociimit, i cili i paraprin procesit të pranimit, janë në nivele të ndryshme zhvillimi. Një gjë e rëndësishme është që të përfitohet nga eksperienca e tyre në rrugën e kryer deri tani, pasi janë më të avancuara, si dhe të orientohemi nga marrëdhëniet e vendosura midis këtyre vendeve dhe institucioneve evropiane. Çdo të thotë kjo?

Së pari, të bashkëpunojmë dhe koordinojmë proceset e realizuara deri tani në rrugën e integrimit duke i "përkthyer" ato në termat shqiptare.

Së dyti, të orientohemi nga kërkesat e institucioneve qendrore evropiane për aktivitetet e bankës qendrore.

Së treti, të intensifikojmë bashkëpunimin me banka qendrore ose me institucione qendrore të vendeve të Bashkimit Evropian për të arritur kërkesat e duhura në rrugën e përafrimit me këto institucione.

Një bankë qendrore, në kontekstin e integrimit në strukturat evropiane, synon të realizojë disa politika dhe detyra të rëndësishme:

I. lidhja e politikave të bankës qendrore me objektivat e rritjes ekonomike të vendit:
- stabiliteti i çmimeve, interesat real dhe modelet e ndryshme parashikuese dhe analizuese,
- politika monetare duke u orientuar nga kriteret e konvergjencës së Mastricht-it, në nxitje të konvergjencës së ekonomisë së vendit,
- kursi i këmbimit dhe administrimi i rezervave valutore,
- adoptimi i regjimeve më të avancuara për politikën monetare,
- nxitja e politikave kredituese për ekonominë,
- adoptimi në një fazë finale i monedhës unike evropiane.

II. Zhvillimi dhe forcimi i mbikëqyrjes bankare:
- rritja e aftësive mbikëyrëse duke iu përgjigjur rritjes dhe zhvillimit të sistemit bankar;
- plotësimi i kuadrit rregullator;
- adoptimi i parimeve më të fundit ndërkombëtare të mbikëqyrjes bankare;
- rritja e kapaciteteve analizuese dhe parashikuese të mbikëqyrjes bankare,
- harmonizimi i legjislacionit kontabël të sistemit bankar me direktivat e KE dhe me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit,
- harmonizimi i kuadrit ligjor për të gjitha llojet e institucioneve që ofrojnë shërbime financiare.

III. Zhvillimi dhe funksionimi i sistemit të pagesave.
IV. Kontributi i bankës qendrore në bisedimet e kapitujve (neneve) të marrëveshjes që nënshkruhet me Komisionin Evropian ose për ‘acquis communautaire'.

Është e rëndësishme që në një strategji të zënë vend të veçantë disa detyra në të cilat një bankë qendrore luan një rol të rëndësishëm, duke bashkëpunuar me institucione të tjera qendrore të vendit. Këto detyra, sipas shkallës së prioriteteve të realizimit në procesin e integrimit evropian janë:
- zhvillimi i sektorit financiar,
- lëvizja e lirë e kapitalit,
- parandalimi i pastrimit të parasë,
krijimi i institucioneve.

Ka kaluar më shumë se një vit nga koha e hartimit dhe e diskutimit të Planit të Zhvillimit Afatmesëm të Bankës së Shqipërisë për vitet 2003-2005 dhe po aq nga data 21 janar 2003, kur Këshilli Mbikëqyrës e miratoi këtë dokument. Në shumë forume dhe aktivitete janë bërë bilance të ndryshme për arritjet e Bankës së Shqipërisë të cilat, meqë janë të orientuara nga modeli strategjik i Bankës Qendrore Evropiane, kanë ndikuar në ecjen përpara të institucionit tonë drejt integrimit evropian.

* * *

Këshilli Mbikëqyrës miratoi në parim "Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2003" dhe Fjalën e Guvernatorit që do të mbahet në Kuvend në fillim të muajit prill.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Mbikëqyrës u diskutuan edhe projekte dhe informacione lidhur me çështje të organizimit të brendshëm të Bankës së Shqipërisë.