BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 12 tetor 2005

Data e publikimit: 13.10.2005

 

Në mbledhjen e datës 12 tetor 2005, me propozimin e Departamentit të Politikës Monetare dhe Departamentit të Emisionit të Bankës së Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi :

1. Raportin e Politikës Monetare për Muajin Gusht 2005.

Analiza e treguesve ekonomikë dhe financiarë të përfshirë në këtë raport, tregon se presionet inflacioniste në vend janë mbajtur nën kontroll. Inflacioni vjetor në muajin gusht shënoi vlerën 2.3 për qind, duke patur një rritje të lehtë kundrejt muajit korrik dhe duke qenë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Inflacioni në muajin gusht është ndikuar nga rritja e lehtë e çmimeve të produkteve ushqimore, ndërsa grupet e tjera të mallrave të shportës së konsumit kanë ruajtur dinamikat e muajve të fundit. Rritja e çmimit të naftës në tregjet botërore ka sjellë shtrenjtimin e këtij produkti edhe në tregun vendas. Megjithatë, si pasojë e peshës së vogël të këtij produkti në shportën e mallrave të konsumit, ndikimi direkt në inflacion shfaqet i zbehtë. Ndërkohë, rritja e kostos së prodhimeve dhe shërbimeve për momentin nuk duket e ndikuar nga rritja e çmimit të naftës. Megjithatë, Banka e Shqipërisë po ndjek me kujdes implikimet e mundshme që mund të shfaqen në një kohë të dytë si pasojë e këtij zhvillimi.

Banka e Shqipërisë vlerëson se situata makroekonomike mbetet përgjithësisht e favorshme për ruatjen e inflacionit brenda intervalit 2-4 për qind, gjatë periudhës në vazhdim. Nën ndikimin e kërkesës së ekonomisë për kredi, oferta monetare ka shënuar norma të larta rritjeje vjetore. Megjithatë, kjo rritje është shoqëruar me ruajtjen e ekuilibrave kryesorë monetarë dhe qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit të lekut. Nga ana tjetër, me gjithë masat e fundit, politika fiskale mbetet e angazhuar në respektimin e treguesve kryesorë të programit buxhetor për vitin 2005. Banka e Shqipërisë vlerëson se kontrolli i deficitit buxhetor dhe i huamarrjes së brendshme në kufijtë e programuar, do të shërbejë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të ekuilibrave të tjerë makroekonomikë.

Në lidhje me zhvillimet monetare rezulton se zhvillimet në tregun e parasë janë pak të ndryshme nga sjelljet standarde të tij në të kaluarën. Sistemi bankar, tashmë me shumicë dërrmuese nën pronësi private, ka qenë agresiv në uljet e forta të përqindjes së depozitave me afat në lekë gjatë periudhës maj – qershor. Kjo ulje ka reduktuar stimujt për depozitimin e kursimeve pranë bankave dhe, për rrjedhim, gjendja e likuditetit në sistem ka qenë në nivele të ulta.

Në këtë situatë sistemi bankar, ndoshta i nxitur edhe nga kohëzgjatja e procesit pas-elektoral, ka vepruar me agresivitet në drejtim të rritjes së yield-eve të bonove të thesarit, megjithëse kërkesa e qeverisë ka qenë brenda parametrave të programuar. Mungesa e likuiditetit ka induktuar rritjen e normave të interesit të depozitave në lekë. Banka e Shqipërisë vlerëson se rekuperimi i situatës së likuiditetit do të ndikojë në zbutjen e këtyre lëvizjeve jonormale të tregut të parasë. Banka e Shqipërisë i ka ofruar likuiditet sistemit nëpërmjet instrumentit të repos së anasjelltë, duke ushtruar presion në drejtim të uljes së yield-it të bonove të thesarit.

Gjithsesi, këto zhvillime nuk kanë ndikuar në shtimin e presioneve inflacioniste në ekonomi. Sipas modeleve parashikuese të Bankës së Shqipërisë, vlerësohet se inflacioni në fund të vitit 2005 do të jetë brenda intervalit objektiv. Në këto kushte, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.0 për qind.

Raporti i Politikës Monetare do të publikohet i plotë në Buletinin Zyrtar dhe në Faqen e Internetit të Bankës së Shqipërisë.

 

Kliko këtu për të lexuar tekstin e plotë