BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 14 korrik 2004

Data e publikimit: 14.07.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 14 korrik 2004, pasi shqyrtoi propozimet e disa departamenteve, vendosi të miratojë:

1. Rregulloren "Për administrimin e rrezikut të kredisë".

Rregullorja "Për administrimin e rrezikut të kredisë" përmban disa risi në krahasim me rregulloren e mëparshme. Në të është bërë një risistemim i karakteristikave analizuese të cilësisë së portofolit të kredive sipas rradhës së rëndësisë së karakteristikave ku si parësore është analiza e gjendjes financiare të kredimarrësit. Për të patur një vlerësim sa më real të cilësisë së portofolit të kredisë analiza e karakteristikave mund të bëhet duke u mbështetur si në mënyrë individuale ashtu dhe në mënyrë të kombinuar të karakteristikave .

Analiza si individuale ashtu dhe e kombinuar e karakteristikave nga bankat do të ketë si oponencë gjykimet profesionale dhe të argumentuar të inspektorëve të mbikëqyrjës për klasifikimin e kredisë. Është lënë një hapësirë më e madhe gjykimit profesional të bankave për mjaftueshmërinë e procesit të sigurimit të kredisë, duke privilegjuar dinamikën e tërësisë së këtyre gjykimeve.

Janë përfshirë në rregullore përcaktimet për kreditë e rregullta dhe kreditë me probleme, janë saktësuar kategoritë e klasifikimit të aktiveve të tjera tashmë në dy grupe të rregullta ose standarte dhe të parregullta ose me probleme dhe llogaritja e fondeve rezervë për mbulimin e humbjeve të mundshme nga zhvlerësimi i aktiveve.

Normat e llogaritjes së fondeve rezervë për grupin e kredive me probleme kanë mbetur ato që kanë qënë, por janë shprehur më qartë kufijtë minimal dhe maksimal të çdo kategorie kredie me probleme duke e qartësuar më shumë dhe pa prekur përmbajtjen e shprehur në rregulloren që është në fuqi dhe në Manualin e Kontabilitetit Bankar.

Vetëm për kreditë të cilat janë të kolateralizuar pjesërisht ose plotësisht me një depozitë bankare në cash, për vetë shkallën e ulët të rrezikut që paraqesin, bankës i është dhënë e drejta të klasifikojë kredinë (ose pjesën e saj të kolateralizuar me cash), në kategorinë ku ajo është e bindur që vlera e kolateralit sëbashku me vlerën e provigjioneve, është e mjaftueshme për shlyerjen e kryegjësë dhe të interesit. Në këtë rast, banka e përcakton vetë normën e provigjionimit.

2. Vendimin "Për shtypjen e monedhave për qëllime numizmatike për vitin 2005".

Banka e Shqiperisë , në zbatim të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë" neni 33, pika 3 dhe neni 43, gëma d, miratoi me vendimin "Për shtypjen e monedhave për qëllime numizmatike", me tematikat dhe të dhënat si më poshtë:

1. Monedhë metalike, prerja 10 Lekë, me tematikë "Tirana, 85 vjet kryeqytet, 1920 - 2005" , pa kurs ligjor, me këto të dhëna teknike :

Vlera emërore : 10 Lekë
Materiali dhe pastërtia : CuAl6Ni2
Pesha : 3,60 gr
Diametri : 21,25 mm
Forma : e dhëmbëzuar
Tirazhi : 10.000 copë
Ngjyra : e verdhë


Trajtimi i tematikës të jetë i lirë, duke respektuar që:

a) Në pamjen kryesore do të ketë vlerën emërore "10 Leke" dhe të shkruar "Tirana, 85 vjet kryeqytet i Shqipërisë".
b) Më pamjen pas: në hark sipër do të ketë të shkruar "SHQIPËRI - ALBANIA" dhe në hark poshtë vitin " 2005".

2. Monedhë metalike, prerja 10 Lekë, me tematikë "Objekte të trashëgimisë kulturore (kostumet Popullore në Shqipëri)", pa kurs ligjor, me të dhënat teknike si vijon:

Vlera emërore : 10 Lekë
Materiali dhe pastërtia : CuAl6Ni2
Pesha : 3,60 gr.
Diametri : 21.25 mm
Forma : e dhëmbëzuar;
Tirazhi : 10.000 copë
Ngjyra : e verdhë

Trajtimi i tematikës të jetë i lirë, duke respektuar që:


a) Në pamjen kryesore do të ketë vlerën emërore "10 Leke" dhe të shkruar "Objekte të trashëgimisë kulturore".
b) Në pamjen pas : në hark sipër do të ketë të shkruar "SHQIPËRI - ALBANIA" dhe në hark poshtë vitin " 2005".

Objekt i vizatimit mund të jetë xhubleta, si një veshje sinjifikative, simbol i kostumeve shqiptare.


3. Informacionin "Mbi vrojtimin për ecurinë e aktivitetit kreditues dhe depozitues të bankave të nivelit të dytë".

Aktiviteti depozitues.
Aktiviteti depozitues në tërësi gjatë periudhës janar - qershor 2004 është cilësuar si më i mirë krahasuar me gjashtëmujorin paraardhës. Bankat kanë realizuar objektivat mbi 100 për qind për depozitat në lekë por kanë mbetur në realizimet në masën 50-100 për qind për depozitat në valutë.

Diferenca e normave të interesit midis depozitave në lekë dhe në valutë ka vazhduar të favorizojë rritjen e depozitave në lekë ndërsa ka frenuar ritmet e rritjes së depozitave në valutë në këtë periudhë. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka ndikuar normat e interesit me anë të vendimeve për uljen e normës së repos. Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë vlerësohet e efektshme në rritjen e eficencës së sistemit bankar

Indeksi i besimit i ecurisë së depozitave në lekë dhe në valutë ka paraqitet në rritje. Kjo tregon se ecuria e aktivitetit depozitues në gjashtëmujorin e ardhshëm shihet me optimizëm. Për pjesën e dytë të vitit 2004, specialistët parashikojnë rritje të nivelit të depozitave në lekë dhe të depozitave në valutë. Normat e interesit të depozitave në lekë pritet të ruajnë nivelet e ulëta që kanë arritur ndërsa për normat e interesit të depozitave në valutë pritet të ketë rritje. Normat e interesit të depozitave në lekë do të reagojnë në varësi të lëvizjes së normës së repos dhe politikave konkurruese të bankave.

Aktiviteti kreditues.
Rreziku i procesit të kredidhënies konsiderohet të mos ketë ndryshuar, por vihet re një besim për rënien e lehtë tij. Preferenca për kreditim sipas llojit të biznesit ka mbetur e pandryshuar; biznesi i mesëm është më i preferuari. Madhësia e tregut joformal është reduktuar krahasuar me gjashtë muaj më parë.

Sipas opinioneve të të intervistuarve, për të ardhmen parashikohet rritje e aktivitetit kreditues dhe në veçanti i kredisë për bizneset. Kreditimi në valutë do të vazhdojë të jetë forma kryesore e kreditimit. Normat e interesit të kreditimit në lekë pritet të ulen ndërsa për kreditimin në valutë ato do të mbeten të pandryshuara. Renditja e preferencave për sektorët e ekonomisë nuk ka ndryshuar. Sektori i tregtisë do të vazhdojë të jetë sektori më i preferuar për kreditim. Për gjashtëmujorin e ardhshëm rreziku i procesit të kredidhënies pritet të qëndrojë në të njëjtat nivele.

Aktiviteti kreditues i subjekteve jobanka.
Niveli mesatar i realizimit të planit për kredinë është 95.4 për qind, duke shënuar rritje në krahasim me 84 për qind që paraqitej në fund të vitit 2003. Rreziku i procesit të kredidhënies konsiderohet të jetë i njëjtë me një vit më parë si dhe vlerësohet të mbetet i tillë edhe për pjesën e dytë të vitit 2004. Biznesi i vogël vazhdon të mbetet biznesi më i preferuar për subjektet jobanka, por vihet re një rritje e vazhdueshme e preferencës për biznesin e mesëm krahasuar me një vrojtim më parë. Situata energjitike mendohet se ka ndikuar negativisht si në shlyerjen e kredisë ashtu dhe në kërkesën për kredi të reja. Madhësia e tregut joformal është reduktuar krahasuar me fundin e vitit 2003.

Sipas opinioneve të të intervistuarve, për të ardhmen pritet rritja e kreditimit në lekë dhe në valutë. Pritjet për rritjen e kreditimit në lekë gjejnë një mbështetje më të gjerë. Normat e interesit në lekë dhe në valutë pritet të ulen. Sektorët e tregtisë dhe të shërbimeve janë sektorët më të preferuar për kreditim.

4. Informacionin "Mbi ecurinë e tregjeve financiare ndërkombëtare dhe mbi zhvillimet në rezervën valutore në periudhën maj-qershor 2004".

SHBA
Të dhënat ekonomike të muajit të kaluar, konfirmuan më tej pamjen e një ekonomie me një rritje mbi potencialin ekonomik, ku presionet inflacioniste kanë filluar të shënojnë rritje të ndjeshme. Punësimi vazhdon të rritet me një rritëm të shpejtë, duke shtuar pritjet për rritje të presioneve inflacioniste në tremujorët e ardhshëm. Përmirësimi i tregut të punës si dhe rritja graduale e të ardhuarave disponibël, ka ndikuar në përmirësimin e besimit konsumator, duke mbështetur nivelin aktual të konsumit, megjithë nivelin ende të lartë të cmimeve të naftës. Në këtë klimë pozitive të rritjes ekonomike, Fed-i, në mbledhjen e fundit, rriti normën e rifinancimit me 25 pikë përqindje në 1.25%, duke sugjeruar një rikthim në një politike monetare më neutrale, me një rritëm të moderuar. Megjithë rritjen e ndjeshme të presioneve inflacioniste, Fed-I mendon se ato janë ndikuar nga faktorë kalimtarë, dhe se inflacioni pritet të mbahet nën kontroll në afatmesëm. Me rritjen e normës bazë të interesit në muajin qershor, për herë të parë pas 4 vjetësh, Fed-i duket se ka rinisur ciklin e rritjes së interesave, ku rritje të tjera priten në muajt në vijim.

EVROPË
Ekonomia evropiane vazhdon të rikuperohet me një rritëm gradual, mbështetur në kërkesën e fortë globale, ndërsa konsumi i brendshëm po shfaq shenja modeste përmirësimi. Megjithatë, besimi konsumator mbetet ende në nivele të ulta dhe niveli i lartë i papunësisë si dhe pasigurtë që rrethojnë reformat e tregut të punës dhe sistemit te sigurimeve sociale të ndërmarra në disa vende brenda eurozonës, nuk garantojnë rritje të qëndrueshme të konsumit megjithë përmirësimet në të ardhurat e disponueshme të konsumatorëve evropianë. Cmimet e larta të naftës kanë ndikuar dukshëm në rritjen e ndjeshme të inflacionit, por BQE-ja për momentin duket e pashqetesuar, duke garantuar monitorim të kujdesshëm të ndikimeve të cmimeve të naftës në rritjen ekonomike dhe inflacion. Tregjet evropiane financiare janë ndikuar ndjeshëm nga zhvillimet në tregjet globale dhe kryesisht në SHBA, ku fillimi i ciklit të rritjes së interesave ka rritur pritjet e tregut se dhe BQE-ja do të ndjekë të njëjtin rritëm në muajt e ardhshëm. Megjithatë, do të nevojiteshin më shumë evidenca pozitive ekonomike, kryesisht në konsumin e brendshëm, për të garantuar një rritje të qëndrueshme të ekonomisë evropiane, para se BQE-ja të ndërmerrte një hap të tillë.

5. Informacion mbi faqen e re të internetit të Bankës së Shqipërisë.

Në kuadrin e objektivit të rritjes së përgjegjshmërisë institucionale nga ana e BSH dhe të transparencës për aktivitetin e saj, parashtruar në Planin e Zhvillimit institucional, Banka e Shqipërisë ka përsosur mënyrat e komunikimit me publikun, duke përmirësuar e bërë më efikas komunikim ‘online' dhe në kohë reale me publikun e gjerë, shprehje e fundit e të cilit është faqja e re e internetit. Frut i angazhimit njëvjeçar të grupit të punës, faqja e re nuk presupozon thjesht një rinovim të pamjes, por krijimin e një produkti krejt të ri e modern, ku ndërthuren avantazhet e intra dhe internetit.

Faqja e re sjell një fuqizim të funksioneve të mëparshme, në ndihmë të publikut jashtë dhe brenda Bankës, si dhe zhvillime të reja në drejtimet e mëposhtme:

- Krijimi i një baze dokumentare të bankës nëpërmjet krijimit të një librarie dokumentash dhe imazhesh;
- përmirësimi i mjeteve dhe i teknikave aktuale të kërkimit të dokumentacionit nëpërmjet futjes së mekanizmit të kërkimit tematik;
- decentralizimi i procesit të përditësimit, të përmirësimit dhe të zhvillimit të mjeteve të kontrollit mbi përditësimin, nëpërmjet krijimit të lidhjeve shumëfishe;
- rritjen e shkallës së kontrollit dhe të monitorimit të faqes nëpërmjet përqëndrimit të funksionit të kontrollit dhe të miratimit dhe të minimizimit të rreziqeve, që lidhen me gabimet apo me harresat në përditësim;
- zhvillimin e mjeteve të komunikimit ‘online' me publikun jashtë Bankës, nëpërmjet shpërndarjes së postës elektronike të bankës dhe vjeljes së vërejtjeve e sugjerimeve të publikut;;
- përmirësimin viziv të pamjes së përgjithshme të faqes, duke u mbështetur në përvojat më të mira të bankave homologe.

Pra, ajo ofron një pamje, konfigurim e informacion krejtësisht ndryshe nga e vjetra, në një stil, i cili shkon përkrah atij të shumë institucioneve homologe të huaja. Ndryshe nga faqja e vjetër, ajo përmban elementë dinamikë në formë e në përmbajtje, të cilët e bëjnë shfletimin më efikas, më të shpejtë dhe aspak të mërzitshëm, ofron referenca të shumta duke shumëfishuar lidhjet tematike, kategorizim të informacionit, procedura automatike të kontrollit periodik, administrim të abonentëve dhe të përshtypjeve të publikut nëpërmjet dërgimit automatik të njoftimeve, të publikimeve, të rregulloreve, të kurseve etj. tek kërkuesit, duke siguruar në këtë mënyrë kosto përpunimi më të ulët dhe shpejtësi e rregullësi në shpërndarje.

Avantazhet e faqes së re përkthehen në statistika dinamike, të cilat flasin për një rritje të qendrueshme të shikueshmërisë së saj. Kështu, numri i vizitorëve është rritur 50% nga muaji mars, para lançimit të faqes së re, në muajin qershor, ndërsa ai i vizitave është dyfishuar. Banka e Shqipërisë qendron në kontakt të përhershëm me lexuesit, vërejtjet e sugjerimet e të cilëve i shërbejnë përmirësimeve të vazhdueshme të faqes.